“Grupi i punës në PS, për strategjinë e Presidentit konsensual”

Jan 13, 2012 | 11:45

Eglantina Gjermeni

Flet anëtarja e Kryesisë, Eglantina Gjermeni.

Gjermeni: S’bëhet fjalë për konkurs apo proces të ngjashëm me Avokatin e Popullit.

Anëtarja e Kryesisë socialiste, Eglantina Gjermeni, sqaron përmes një interviste për “Panorama” se zgjedhja e Presidentit të Republikës s’ka asgjë të përbashkët me përzgjedhjen e Avokatit të Popullit. Ajo shprehet se bazuar dhe në frymën e Kushtetutës, Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një produkt konsensual, kur palët të jenë marrë vesh me njëra-tjetrën, duke e parë zgjedhjen e tij jo thjesht si llogari numrash, por procesi të hapur dhe transparent dakordësie mes palëve, në një periudhë që vendi aspiron të kërkojë statusin e vendit kandidat. Sipas saj, një grup pune do të ndërtojë strategjinë politike, përmes së cilës PS do të tentojë një President konsensual.
Zonja Gjermeni, ju keni qenë kryetare e komisionit përzgjedhës të kandidaturave për Avokatin e Popullit, ndërkohë që përpara kemi zgjedhjen e Presidentit. Mendoni se një procedurë e aplikuar për Avokatin e Popullit mund të përdoret dhe për kandidatin e PS-së për President?
Dua të sqaroj që në fillim se nuk kam qenë kryetare e komisionit për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit, por vetëm një anëtare e tij. Në fakt, deklarata që unë kam dhënë dje në media kishte si qëllim që të theksonte se paralelizmi i vendosur mes përzgjedhjes me konkurs të Avokatit të Popullit dhe Presidentit të Republikës ishte një keqkuptim mediatik. Përzgjedhja e Avokatit të Popullit ishte një proces transparent, që bëhej për herë të parë nga një parti politike në Shqipëri, por që nuk është e njëjta gjë me përzgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ajo që dua të theksoj është se kur bëhet fjalë për procesin përzgjedhës për Avokatin e Popullit, ishte tërësisht një proces në të cilin u përzgjodh një drejtues i një institucioni, bazuar në një kornizë të caktuar ligjore dhe procesi që ne realizuam ia arriti qëllimit, dhe krijoi modelin e përzgjedhjes së drejtuesve të institucioneve të tilla të pavarura e kushtetuese. Për sa i përket funksionit të Presidentit, që sipas Kushtetutës, është ai që përfaqëson unitetin kombëtar, ajo që PS ka shprehur disa herë, sidomos në këtë fillimviti, është fakti se jemi për një figurë konsensuale të Presidentit të Republikës, bazuar kjo në kuptimin kushtetues të ngritjes e funksionimit të institucionit të Presidentit.  Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit, Kushtetuta i jep rol neutral ose të paanshëm, mbi partitë politike dhe logjikisht nuk ka se si të jetë produkt vetëm i një force politike. Veç kësaj, historia mbi 20-vjeçare e pluralizmit në Shqipëri ka treguar se zgjedhja konsensuale e Presidentit të Republikës është një sfidë e realizueshme. Një President konsensual duhet zgjedhur jo vetëm për faktin se e kërkon situata politike dhe kushtet në të cilat ndodhet vendi sot, por dhe për faktin që përputhet me vizionin që kemi, duke synuar të bëhemi pjesë reale e Bashkimit Europian.
Ju jeni shprehur dje se në PS ka një grup pune që do të punojë për të përcaktuar kriteret për një kandidaturë konsensuale apo të propozuar nga PS. Është ngritur ky grup pune dhe me se do të merret?
Ideja e keqkuptuar nga mediat sot, lidhet me ngritjen e një grupi pune të posaçëm nga Partia Socialiste. Ky grup pune do të vendosë dhe realizojë strategjinë dhe hapat që do të ndiqen se si do të arrihet në një President konsensual përmes një dialogu dhe bashkëpunimi me forcat e tjera politike, pra nuk është një grup pune që do të përzgjedhë kandidaturat. Nuk bëhet fjalë as për konkurs apo një proces të ngjashëm me atë që ndoqëm për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit… Mendoj se diskutimi lidhur me numrin e votave në Parlament, jo vetëm është i parakohshëm, por dhe shumë i thjeshtëzuar, duke e parë procesin vetëm nga ana formale.
Ju keni mjaft kontakte me faktorin ndërkombëtar në Tiranë, cili është qëndrimi i tyre në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit?
Në fakt, një pjesë e mirë e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtarë, kanë shprehur hapur edhe në media qëndrimin e tyre dhe mesazhin për një President konsensual, duke theksuar pjesën e procesit dhe dakordësisë për një figurë që do të përmbushë profilin kushtetues, por më i rëndësishëm është se si partitë politike do të ndërtojnë një konsensus për kreun e institucionit që garanton unitetin kombëtar. Them se mesazhet e dhëna nga faktori ndërkombëtar janë mjaft të qarta, dhe PS-ja e shpreh hapur qëndrimin dhe vullnetin e saj për përzgjedhjen e një Presidenti konsensual.
Mendoni se PS në fund të këtij procesi do të ketë një kandidat të saj për President?
Tani për tani mund të them një gjë, që grupi i punës do të jetë ai që do të ndërtojë dhe zbatojë strategjinë për të arritur në një President konsensual dhe mendoj se kjo do të jetë pjesë e procesit që do të ndërtohet, por nuk mendoj se është ky qëllimi. Strategjia për një President konsensual mund të ketë një impakt pozitiv në zhvillimet politike në Shqipëri.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura