
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha dje se niveli i korrupsionit në sistemin Gjyqësor është shumë herë më i vogël se sa ai që perceptohet nga publiku. Në paraqitjen e analizës vjetore të vitit 2011 të Ministrisë së Drejtësisë, Halimi bëri të ditur kontrollet e Ministrisë në gjykata dhe prokurori të vendit, kontrolle ku kanë rezultuar me shkelje 10 gjykatës dhe 14 prokurorë. Sipas ministrit Halimi, në sistemin e Drejtësisë ka një nivel korrupsioni, por në Gjyqësor “ai është shumë herë më i vogël se ai që percepton publiku”. “Është një pjesë e vogël, jashtëzakonisht e vogël, e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët e fillojnë dhe mbarojnë ditën e punës duke krijuar favore personale, apo favore financiare”, u shpreh ministri. Në vijim, Halimi deklaroi se “pikërisht misioni i gjithë reformës në Drejtësi, misioni i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, i ministrit të Drejtësisë, i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është që këtë pakicë, këtë numër të vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh, të cilët prishin sistemin, të përballen me Drejtësinë, të përballen me përgjegjshmërinë e tyre me ligjin dhe me Kushtetutën”.
KONTROLLET
Me qëllim rritjen e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj ligjit dhe Kushtetutës, Ministria e Drejtësisë ka kryer gjatë vitit 2011 kontrolle tematike dhe individuale në sistemin Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë. Këto kontrolle janë “finalizuar” me fillimin e procedimit disiplinor për 10 gjyqtarë, të cilët Ministria i ka njoftuar dhe aktualisht është në pritje të kundërshtive të tyre për të proceduar më tej sipas ligjit. “Gjatë vitit 2011, Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë ka ushtruar kontroll në veprimtarinë administrative të 15 gjykatave, dhe 5 gjykata të tjera në veprimtarinë e tyre procedurale gjyqësore. Këtij kontrolli i janë nënshtruar 15 gjykata rrethi dhe 5 gjykata apeli. Një pjesë e këtyre raporteve janë duke u përpunuar dhe një pjese prej tyre kanë përfunduar. Gjatë vitit 2011, Inspektorati ka prekur punën administrative të mbi 15 kryetarëve gjykatash dhe 35 gjyqtarëve. Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë ka kryer njoftimet për 10 gjyqtarë për fillimin e procedimit disiplinor, dhe janë njoftuar 25 gjyqtarë të tjerë mbi rezultatet e kontrollit të kryer nga inspektimet e përbashkëta për të shqyrtuar eventualisht shkeljet për këta të fundit”, citoi dje nga analiza ministri Halimi. Në lidhje me kontrollet e ushtruara pranë prokurorive gjatë vitit të kaluar, ministri u shpreh se janë gjetur me shkelje 14 prokurorë. “Gjatë vitit 2011, Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë ka ushtruar kontroll gjithsej në 8 prokurori, duke kontrolluar rreth 45 prokurorë. Gjatë inspektimit janë konstatuar shkelje për 14 prokurorë, për të cilët është bërë njoftimi i Prokurorit të Përgjithshëm dhe i Presidentit të Republikës”, u shpreh Halimi. I pyetur nga përfaqësuesit e medias për përplasjen me deklarata të Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për rastin e dosjes “Kostandin Xhuvani”, ministri u shpreh se “bashkëpunimi shkresor dhe institucional me Prokurorinë e Përgjithshme është aq i shpeshtë në ditë sa me asnjë institucion tjetër. Në momentin e inspektimit, askujt nuk i pëlqen të kontrollohet dhe askujt nuk i pëlqen të marrë vlerësime jopozitive. Por ajo që duhet të na udhëheqë të dyve, qoftë mua, Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, është zbatimit me rigorozitet i Kushtetutës”.
Pronat, prioritet për vitin 2012
Ministri Eduard Halimi paraqiti dje përparësitë ku ishte përqendruar Ministria që ai drejton në vitin 2011. “Përgatitjen e planit për dixhitalizimin e gjithë sistemit të Drejtësisë dhe aktorëve të këtij sistemi, si një element i rëndësishëm në rritjen e transparencës, rritjen e besimit qytetar ndaj këtij sistemi, rritjen e përgjegjshmërisë së aktorëve ndaj ligjit dhe Kushtetutës dhe luftën kundër korrupsionit në sistemin e Drejtësisë në tërësi”, pohoi Halimi. Njëkohësisht, si përparësi ai përmendi forcimin e kapaciteteve në sistemin e Drejtësisë, forcimin e kapaciteteve në sistemin penitenciar, si dhe zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut sipas standardeve ndërkombëtare, duke përfshirë: respektimin e së drejtës së pronësisë nëpërmjet vijimit të procesit të kthimit dhe kompensimit, aplikimit të procedurave transparente dhe efikase të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe respektimi i të drejtave të të dënuarve.
Ish-pronarët
Gjatë fjalës së tij, ministri u shpreh se do të zbatohet lirimi i shtëpive të ish-pronarëve. Ai shtoi se ato familje që lirojnë këto ambiente do të marrin kredi të zbutura nga shteti. Ministri Halimi u shpreh se gjatë 2011-s, Agjencia e Kthimit të Pronave ka shqyrtuar mbi 1500 vendime. “AKKP ka arritur në 90% të shqyrtimit të kërkesave nga pronarët”, tha Halimi.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











