“Falja e gjakut”, shija e mirë e çmimit të merituar

Sep 14, 2011 | 11:26
Nga filmi “Falja e gjakut”

“Kuptimin mos e hup!”. Kjo ishte këshilla përpara se të xhironin. Dhe dialogët i kishin marrë ata në dorë. Kjo ishte një nga lëvizjet më të zgjuara të regjisorit Joshua Marston dhe që e nxori faqebardhë.Pas një trofeu në një nga festivalet më të rëndësishme kinematografike në botë, në Berlinale dhe disa shfaqjeve të tjera të suksesshme, “Falja e gjakut” mbërriti në Tiranë. Dje ishte shfaqja për mediat, ndërsa premiera do të jetë të premten mbrëma. Me gjithë fjalët e mira që ishin thënë për filmin, sërish mbetej dyshimi nëse do arrinte të godiste edhe shikuesin shqiptar. Kur flitet për një film për gjakmarrjen, menjëherë të vijnë në mendje ato skenat klishe, me burra me tirq, me mustaqe, me pushkë të gjatë, me kulla, me frëngji, me batuta gati-gati shabllone. Dhe, në këtë mes nuk ka asgjë të çuditur, përderisa edhe vetë bashkëskenaristi Andamion Murataj, i cili prej vitesh jeton në Amerikë, ka ardhur që andej me këtë skemë në kokë. E teksa në mendje të vijnë këto imazhe, vazhdon të “përpëlitesh” mes dyshimit: More këtyre të huajve u duken interesante, ekzotike këto temat shqiptare, me gjakmarrje, me kulla…! Por filmi të rrëzon të gjitha skemat e menduara. Ashtu si u ndodhi skenaristëve, të cilët ia lanë realitetit shqiptar e qindra dëshmive të atyre që e vuajnë gjakmarrjen, t’ua ndërtonte skenarin. Më shumë se një histori gjakmarrjeje, ajo është një histori konflikti, e trajtuar gati në mënyrë dokumentareske, por pa të rënduar me shumë informacion. Një histori nga ato të rëndomtat, ku dy komshinj vriten për një rrip tokë. Axha i Nikut e Rudinës vrasin për vetëmbrojtje një bashkëfshatarin e tyre, me të cilin kishin debatuar. Regjisori nuk na e jep skenën e vrasjes. Askujt nuk i duhet ky fakt, por çfarë vjen më pas. Deri këtu nuk ka asgjë të re.
Këndvështrimi
E reja është tek sytë që e ndjekin ngjarjen dhe e përjetojnë atë. Nga njëra anë është Niku, një 17-vjeçar gjimnazist, që si të gjithë moshatarët e vet ka një celular, shkarkon këngë, kalon kohë tek interneti i lagjes (ani se është në të njëjtin ambient me ushqimoren), madje i pëlqen edhe një vajzë me gërshet të gjatë dhe gjithnjë i zgjidhen këpucët tek cepi i gardhit ku kalon vajza. Niku ëndërron të hapë një qendër interneti… Kjo është jeta dhe liria e tij, që i vritet në momentin kur axha e i ati lënë të vdekur bashkëfshatarin e tyre. Ai është 17 vjeç e për të ngujimi është më keq se burgu. Niku nuk ka nevojë të thotë shprehje të mëdha, me peshë filozofike. Tristan Halilaj ka ca sy të mëdhenj që flasin boll. Nga ana tjetër është Rudina, e motra, më e vogël në moshë, por më e motivuar për t’iu bindur fatit. Ajo ka qenë prezent në një grindje të të atit me të vrarin. I duhet të lërë shkollën e të vazhdojë punën e tij. Të shpërndajë bukë nëpër dyqane. E këtë e bën me një karrocë me kalë, por jo se nuk mund të ketë një mjet të motorizuar, por për strategji. Karroca mund t’i bjerë edhe rrugicave e të mbërrijë para konkurrentit. Rudina është më e fortë se i vëllai, ka prirje për biznes e shpreson se shpejt do bëhet më mirë. Po ndërsa Rudina ka liridalje, Niku nuk mund dhe drama e tij është më së shumti e brendshme. Ai nuk ka mundësi të veprojë dhe i provon të gjitha sa mundet, derisa vendos të shkojë vetë në shtëpinë e gjakësit dhe fiton jetën, lirinë, por jo faljen. Ndoshta falja vjen pas kësaj.
Përplasje brezash
“Falja e gjakut” është një përplasje mentalitetesh. I ati dhe Niku shkojnë në të njëjtën rrugë, deri kur djalit iu cenua liria. Në bilancin që bën me jetën, ai bëhet egoist. Ai s’mund të bëjë më gjërat që bënte më parë, s’mund të takojë më vajzën që pëlqente e çka po i duhet kanuni, ngujimi, besa, gjaku e njëqind marrëzira të këtij lloji. Atij i duhet një zgjidhje, qoftë përmes ndërmjetësish, pajtuesish gjaqesh, që e kanë kthyer këtë proces në biznes, qoftë kjo edhe në këmbim të lirisë së të atit. Reagimi i tij është gati instiktiv, kur sheh se të atin e kanë liruar si të pafajshëm e gjakësit e thyen besën. E atij i duhet të ngujohet prapë dhe humbë atë pak mundësi për të shijuar lirinë. E aty ai ha një shpullë. Nga ana tjetër, ndonëse i ati përpiqet të justifikojë vrasjen, nuk do të kishte dashur që gjërat të shkonin deri këtu. Ngujimi i tij, i fëmijëve… Deri diku ai ngjan më i vogël se Niku. E në fund, kur i duhet t’i japë një mendim se çfarë duhet të bëjë, të ngujohet, apo të ikë, ai nuk di. Ai burri vigan nuk është më… Ai e lë të birin të lirë të zgjedhë.
Gjuha
Përpara se të shohësh filmin, një tjetër dilemë, krahas skenarit, është gjuha. Ajo është një telash më vete. Në sa e sa filma shqiptarë kemi dalë të zhgënjyer prej dialogëve patetikë, të thata, gjithë ngërçe. I gjithë filmi ishte në dialektin gegë. Aktorët japin e marrin në gjuhën e përditshme dhe kjo nuk të shqetëson. Gjatë procesit të audicioneve, realizuesit e filmit u ndërgjegjësuan se nuk kishte një tjetër zgjidhje. Një fshatar nga Guri i Zi nuk mund të flasë në gjuhë letrare e as në dialektin “tirons”. E regjisori nuk bëri gabimin të merrte ndonjë aktor të njohur nga Tirana, qoftë dhe vetëm për emër. Të rinjtë e zgjedhur për të luajtur rolet kryesore, të Nikut (Tristan Halilaj), Rudinës (Sindi Laçej), Bardhës (Zana Hasaj) fatmirësisht nuk ishin të “infektuar” nga patetizmi i aktrimit shqiptar në përgjithësi. Ata nuk recitonin, edhe pse asnjëri prej tyre nuk kishte pësuar mbi shpinën e vet ndonjë dramë gjakmarrjeje. Duke qenë amerikan, është e sigurt që Joshua Marston nuk do të mund të shkruante frazat e duhura në gojën e një shqiptari verior, madje as Andamion Murataj, i cili nuk është nga Veriu. Dhe mund ta besojmë Tristan Halilajn, kur thotë se Marston i la të lirë të improvizonin, të ngacmonin njëri-tjetrin siç do të bënin në një ditë të zakonshme, të ziheshin me prindin siç do të bënin në shtëpinë e tyre. Dhe ky ishte çelësi. “Unë nuk di t’i shkruaj këto që thonë këta”, thotë Andamion Murataj, teksa dëgjon Sindin e Tristanin të flasin pas premierës. Dhe ata janë aq natyralë në film, saqë e shtyn veten të mendosh se ata nuk kanë qenë të ndërgjegjshëm se po xhironin një film dhe se ishin në kuadrin e një loje. Pastaj nuk mund të vësh në dyshim lojën e Refet Abazit në rolin e babait, Çun Lajçi në rolin e gjyshit, apo Ilire Çelaj në rolin e nënës, shoqëruar nga një grup burrash e grash figurantë që ishin secili në vendin e duhur.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura