Pas përfundimit të ndeshjeve të “play-off”-it, kampionati “Euro 2012” njeh tashmë 16 përfaqësueset pjesëmarrëse në finalet e tij, që do të zhvillohen në Poloni dhe Ukrainë, nga data 8 qershor deri më 1 korrik të vitit të ardhshëm. 12 skuadra u kualifikuan direkt për këtë faze finale, pas pozicioneve prej lideri në grupet kualifikuese të këtij kompeticioni, ndërsa katër të tjera e fituan këtë të drejtë pasi triumfuan edhe në “provimin” shtesë, dy ballafaqimet e “play-off”-it. Prej nga iu bashkuan 12 skuadrave të tjera finaliste të Europianit të Ukrainës dhe Polonisë edhe kombëtare të tilla si Portugalia, Irlanda, Kroacia dhe Republika Ceke. Duke nisur prej këndejmi, në bazë të koeficientëve përkatës të UEFA-s, prej së cilëve është bërë edhe vendosja e skuadrave para shortit të fazes finale, Portugalia dhe Kroacia do të jenë në vazon e tretë, ndërsa Republika Ceke dhe Irlanda në vazon e katërt, aty ku gjendet edhe Franca, në një shpërndarje paksa të habitshme, e cila vjen për shkak se vendet mikpritëse të “Euro 2012”, Polonia dhe Ukraina, duhet të jenë në vazon e parë. Vazoja e dytë do të përbëhet nga ekipe shumë të forta: Italia, Gjermania, Anglia dhe Rusia. Do të ketë 4 grupe me nga 4 skuadra dhe në secilin grup do të ketë një ekip nga çdo vazo. Shorti do të hidhet në datën 2 dhjetor, në Kiev të Ukrainës.
Ja edhe përbërja e vazove, nga ku do të përzgjidhen ekipet sipas grupeve, prej nga do të nisë edhe faza finale e Europianit të vitit të ardhshëm:
Vazo 1: Spanja, Hollanda, Polonia dhe Ukraina
Vazo 2: Gjermania, Italia, Anglia, Rusia
Vazo 3: Kroacia, Greqia, Suedia, Portugalia
Vazo 4: Danimarka, Franca, Irlanda, Republika Ceke
© Panorama.al











