
Ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu kërkuan dje që Presidenti i Republikës të zgjidhet me shumicë të cilësuar ose nga populli. Kjo deklaratë u bë gjatë konferencës shkencore të zhvilluar nga “Forumi Civil 2010” me temë “Realiteti i sotëm shqiptar dhe sfidat e ardhshme kushtetuese dhe ligjore”. “Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet me shumicë të cilësuar. Nëse kjo shumicë nuk arrihet, vendi s’duhet të kalojë në zgjedhje të parakohshme, por presidenti të zgjidhet nga populli”, u shpreh ish-presidenti Meidani. Ndërsa ish-presidenti Moisiu i kërkoi klasës politike që t’i japin presidentit të Republikës, që do të zgjidhet vitin e ardhshëm, funksionin e unitetit ët popullit. “Ndryshimet kushtetuese të 2008-s krijuan mekanizma për prishjen e balancës mes pushteteve. Qëllimi i këtyre ndryshimeve ishte më shumë për t’u zgjidhur probleme partive dhe pushtetit të radhës, sesa interesit afatgjatë për vendin. Tani sikur janë penduar dhe ky është lajm i mirë, por ama ndryshimet vazhdojnë të jenë në fuqi dhe nuk ka asnjë nismë serioze për t’i korrigjuar ato. Një politikë dashamirëse për vendin dhe qytetarët e vet duhej të ndërhynte në Kushtetutë për kalimin e zgjedhjes së presidentit direkt nga qytetarët. Të mos ecet më pas modelit të zgjedhjes së presidentit nga maxhoranaca e thjeshtë”, u shpreh Moisiu. Ai shtoi se shumë herë zgjedhja e presidentit është bërë përmes pazareve politike. “Unë u zgjodha në 2002-shin me konsensus politik, por ishte një rast i veçantë. Herët e tjera ka dominuar maxhoranaca që ka zgjedhur presidentin e Republikës. Zgjedhja e presidentit s’duhet të bëhet pazar politik”, u shpreh Moisiu. Kostitucionalisti Luan Omari gjatë fjalës së tij, duke trajtuar marrëdhëniet pozitë-opozitë në Kuvend, tha se disa zgjedhje të Kuvendit duhen bërë me shumicë të cilësuar. “Rregullorja e Kuvendit të miratohet me 3/5 e votave, ndërsa kryetari i Kuvendit nuk është përfaqësues vetëm i një pale pas zgjedhjes, por do të mbajë një pozicion mbi palët, prandaj ai duhet të ketë pëlqimin e shumicës konsensuale. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me 3/5 e votave”, u shpreh kostitucionalisti Luan Omari. U shpreh gjithashtu edhe kostitucionalisja tjetër, Aurela Anastasi. Sipas saj, problem më të madh do t’i sillte vendit zgjedhja e presidentit nga një forcë e vetme politike që ka dhe shumicën, sepse në këtë mënyrë sipas saj, kjo do të sillte një pushtet absolut. “Zgjedhja më e mirë e presidentit do të ishte ajo përmes një konsensusi sa më të gjerë politik. Nëse presidenti nuk dëgjohet, ai duhet të lexojë mirë Kushtetutën dhe t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Anastasi.
Fatmir Xhafa
I vetmi politikan i pranishëm në konferencën e djeshme të “Forumit Civil 2010” ishte deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. Asnjë forcë tjetër parlamentare nuk iu përgjigj ftesës së dy ish-presidentëve për të shkëmbyer mendimet dhe qëndrimet e tyre lidhur me ndryshimet e mundshme kushtetuese, reformën në Gjyqësor dhe rolin e institucioneve të pavarura në një shtet real demokratik. Të pranishëm në konferencën e djeshme ishin kostitucionalistë të njohur, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë.
Ekspertët
Në konferencën e djeshme shkencore morën pjesë dhe ekspertë të huaj të së drejtës. Geoffrey Nice, avokat i lartë nga Britania e Madhe, Roger Sherrard, avokat dhe këshilltar ligjor nga SHBA dhe Veron Bogdanor ndanë përvojat e tyre lidhur me rëndësinë e ndarjes së pushteteve, të forcimit të pushtetit gjyqësor, si dhe filtrat që duhet të kontrollojnë aktivitetin e gjyqtarëve dhe ngushtimin e veprimeve korruptive përmes tyre. Të tre ekspertët kanë në CV-të e tyre një eksperiencë të gjatë në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare.
Propozimet e “Forumi Civil 2010”
. Presidenti i Republikës të zgjidhet ose me shumicë të cilësuar dhe me konsensus, ose nga populli
. KQZ të rikthehet si një institucion kushtetues si në Kushtetutën e 1998-s
. Të rishitet neni 104 i Kushtetutës për mocionin e besimit ndaj qeverisë që t’i paraqitet Kryeministrit në Kuvend
. Rregullorja e Kuvendit të miratohet me 3/5 e votave
. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me 3/5 e votave
. Para miratimit të ligjeve të rëndësishme, të organizohet konsultim i detyrueshëm me të gjitha grupet e interesit dhe jo formalisht
. Buxheti i shtetit të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit
. Prokurori i Përgjithshëm, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese të zgjidhen me një shumicë parlamentare mbi 60% e votave
. Kryetari i KLSH-së, ILDKP dhe Avokati i Popullit, me shumicë të cilësuar
. Prefektët dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të emërohen nga kryeministri dhe të dekretohen nga presidenti
Kryetarja e Parlamentit, vizitë në Hungari
Presidenti i Hungarisë, Pal Schmitt, e inkurajon kryeparlamentaren Jozefina Topalli të bëjë përpara në garën presidenciale që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në vendin tonë. Gjatë takimit të zhvilluar në Hungari midis Presidentit Schmitt me Topallin, mësohet se kreu i shtetit të Hungarisë, e cili ka mbajtur postin e kryetarit të Parlamentit, i ka uruar të njëjtën rrugë vitin e ardhshëm Topallit, në përfundim të mandatit të Presidentit Bamir Topi. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidentit të Hungarisë, Schmitt, mësohet të këtë thënë: “Shpreh kënaqësinë që ju takoj. Është hera e tretë që ju takoj. Herën e parë si kryetar Parlamenti, sot si President, dhe kjo është rruga për t’u bërë President”. Zonja Topalli ka qenë një ndër emrat e parë të lakuar për postin e Presidentit të Republikës, pas krisjes që pësuan marrëdhëniet me kreun aktual, Bamir Topi. Kryetarja e Kuvendit, gjatë bashkëbisedimit, e ka ftuar Presidentin Schmitt të vizitojë Tiranën më 28 Nëntor të vitit të ardhshëm, që korrespondon me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Duke mirëpritur këtë ftesë, Presidenti Schmitt tha se do të shohë me prioritet mundësinë e ardhjes së tij në këtë datë të rëndësishme në Shqipëri. ”Po planifikoj vizitën time në Shqipëri gjatë festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Është shumë e rëndësishme që dy popujt t’i kushtojnë vëmendje njëri-tjetrit”, ka deklaruar Schmitt.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











