Mediat në Prishtinë kanë mbledhur burimet e tyre për të ndërtuar skenarin e 45 minutave të kaluara në pauzë në Kuvendin e Kosovës, mes raundit të dytë dhe të tretë të votimit për president, ku kanë zbuluar se Hashim Thaçi gjatë atyre minutave ka dhënë dorëheqjen, por është rikthyer përsëri. “I revoltuar me zhvillimet rreth zgjedhjes së presidentit, Hashim Thaçi për disa minuta kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në parti”, kështu shkruante gazeta “Zëri”, referuar burimeve të saj. Në pauzën 45 minutëshe të Grupit Parlamentar të PDK-së, ndërmjet dy raundeve të votimit të Pacollit për president të Kosovës, Thaçi ishte larguar, pasi nuk ra dakord me deputetët e tij për të respektuar paktin me Pacollin. Sipas “Zërit”, dorëheqja e tij nuk zgjati më shumë se rreth pesë minuta, pasi “Thaçi i ra pishman dhe u rikthye në mbledhje, e natyrisht edhe në krye të partisë”, kanë bërë të ditur burime të “Zërit”, të afërta me GP të PDK-së. “Pas disa minutave që ishte larguar nga mbledhja e Grupit Parlamentar, Thaçi është kthyer, ku u ka thënë deputetëve se ai e di shumë mirë se cilët deputetë janë kundër Pacollit. Ai i ka kërcënuar ata se nëse në raundin e tretë nuk do të votojnë për presidentin e ardhshëm, ata më nuk do të jenë në listën e PDK-së, në rast të zgjedhjeve të reja”, njoftohet nga një burim i gazetës.











