Qeveria do të rrisë moshën për daljen në pension. Këtë e paralajmëroi dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike përpara se të hapej sesioni i ri kuvendor.Sipas tij, përcaktimi i moshës 65 vjeç për meshkujt dhe 60 vjeç për femrat për daljen në pension ishte kur jetëgjatësia mesatare ka qenë 70 vjeç, ndërkohë që tani ajo është rritur në 78 vjeç. “Jetëgjatësia po zgjatet, po zgjatet në mënyrë të ndjeshme. Mosha 65 vjeç për pensione të caktuara ka qenë në një kohë kur jetëgjatësia mesatare ishte 70 vjeç, sot jetëgjatësia mesatare po shkon rreth 78 vjeç. Nuk janë të lumtur njerëzit që dalin në pension, jo. Shumë prej tyre kërkojnë të rrinë më shumë, ndaj dhe ne do të vëmë indeksimet e zgjatjes së moshës së pensionit me zgjatjen e jetëgjatësisë. Kjo ka kuptim. Nuk është më Shqipëria e turneve, jo. Nuk është më Shqipëria e uzinave mbytëse kimike, jo. Të tjera kushte sot, ndaj dhe ne do ta shqyrtojmë me seriozitet më intensiv, në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij, “ju do të jeni dëshmitarë që krahas krizës së borxheve, disa vende do të kërcënohen nga kriza e fondeve të pensioneve, kështu që me reformën e pensioneve, kemi bërë diskutime të gjera, po u afrohemi konkluzioneve përfundimtare, ne do të vendosim një sistem të atillë dhe nuk do t’i rrisim ne kontributet e punëtorëve. Jo, nuk bazohemi në këtë, bazohemi në një rishqyrtim tërësor të kontributeve dhe do të bëhet e mundur që gjenerata që vjen pas 15, 20 vitesh, të mos ketë më detyrimin për të derdhur nga buxheti i shteti fonde të mëdha, siç ndodh me ne sot në fondin e pensioneve”.
Reforma zgjedhore
Duke iu referuar reformës zgjedhore, kreu i Ekzekutivit përsëriti edhe njëherë se maxhoranca që ai drejton është e gatshme të pranojë të gjitha amendamentet e opozitës. Në të njëjtën kohë, Berisha tha se këtë herë do të merret parasysh edhe qëndrimi i partive të vogla. “Sikundër e ftoj opozitën që në këtë reformë të përfillim realitetet. Përfillja e realiteteve është, që të mos harrojmë se në këtë vend janë dy parti kryesore. Por janë edhe shumë parti të tjera që, të marra së bashku, bëjnë sa një parti kryesore, të cilat padrejtësisht i përjashtuam, me imponim, nga pjesa e deal-it që u takon atyre në procesin zgjedhor. T’ua rikthejmë. Të mos e kushtëzojmë reformën vetëm në marrëveshje midis dy forcave kryesore politike. Unë i garantoj të gjitha partitë e tjera të spektrit të maxhorancës dhe opozitës, se ne shkojmë me këtë koncept në reformën zgjedhore”, u shpreh Kryeministri. Berisha u ndal gjithashtu edhe te lufta ndaj korrupsionit, ku vuri theksin te heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë. “Është mirë të shkëputesh, sado të dhimbshme të jenë disa probleme, të mos mbetesh opozitë e vetme në botë që nuk voton për heqjen e imunitetit. Uroj që kalimi nga rruga e vetmisë në rrugën normale t’i ketë bindur deputetët e opozitës për ta votuar këtë ligj. Një Shqipëri pa imunitarë do të jetë një arritje e madhe për çdo taksapagues të këtij vendi. Në këta dy vjet ne do të korrim të gjitha ato që u mbollën dy vitet e shkuara, të shumta në të gjitha aspektet, kthyer kjo në reforma në të gjitha fushat”. Në fund ai u ndal edhe te deklaratat e opozitës se në Shqipëri ka rreth një milion të papunë. Berisha e ironizoi këtë qëndrim të socialistëve duke thënë se shifrat iu ofruan Ramës nga Angjeli dhe ish-guvernatori i Bankës, Shkëlqim Cani. “Ky vend është vendi i vetëm në Europën Juglindore me rritje të investimeve, me rënie të papunësisë. E dëgjoja zotin Rama që fliste gjatë fushatës për një milion të papunë. Mirë, – mendoja me vete, – se ky është piktor i dështuar dhe nuk e di që Shqipëria ka gjithsej as 1 milion e 100 mijë forcë pune në vend. Kur marr vesh unë, kjo ishte matematika e Cacit. Këto simite ia servirte Caci çdo mëngjes. Imagjinoni, kryeekonomisti i Partisë Socialiste së bashku me ish-guvernatorin”, tha Kryeministri.
ADI SHKEMBI











