Ka nisur normalisht ditën e punës kryetari aktual i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili mbrëm-jen e së enjtes, me vendim të KZAZ Nr. 12, u shpall fitues i Bashkisë së Elbasanit, duke nisur kështu mandatin e tij të dytë.Natën e së enjtes, fitoren e tij Sejdini e ka ndarë me grupin e numërimit dhe komisionerët, madje edhe me mbështetësit e tij, me ftesë të këtyre të fundit. Ata kanë darkuar në lokalin “Riviera”, në periferi të qytetit të Elbasanit, dhe kanë festuar bashkë deri në orët e para të mëngjesit të së premtes. Më pas Sejdini i është rikthyer normalitetit. Një kafe në shtëpinë e tij me bashkëshorten në mëngjes e më pas në Bashki. Që në orën tetë të mëngjesit të së premtes, Sejdini është pritur nga administrata në Bashki, ku mes urimesh dhe duartrokitjesh ka hyrë në zyrën e tij. Aty ka qëndruar deri rreth mesditës, për t’u nisur drejt Tiranës, ku u konfirmua si kryetar bashkie edhe nga kreu i PS, Edi Rama. “Ka qenë një ditë normale, e qetë, por ndryshe nga ditët e tjera që jam mësuar të hyj në Bashki. Më ka pritur mjaft mirë administrata që unë drejtoj prej katër vitesh dhe sërish për katër vite të tjera do të punoj me ta”, thotë Sejdini. Ai shton se që në orët e vona të së enjtes dhe gjatë gjithë ditës së premte ka pritur me qindra urime dhe mesazhe nga qytetarët elbasanas që e besuan dhe i dhanë votën për një mandat të dytë.
Tashmë, Këshilli Bashkiak do të jetë i përbërë me shumicë nga anëtarë të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, por për Sejdinin duket se kjo nuk është një gjë e re. Ai deklaron se dhe ata këshilltarë janë qytetarë të Elbasanit. “Edhe ata e duan qytetin e tyre dhe mendoj se kërkon një zhvillim të tij. Kam punuar për 48 muaj në Këshillin Bashkiak dhe kontestimet e kundërshtimet e këshilltarëve të djathtë gjithnjë për mbarëvajtjen e qytetit janë mirëpritur nga ana ime. Besoj se edhe në këta katër vjet, këto kundërshtime dhe kontestime nuk do të jenë politike, pavarësisht se cilës partie politike u përkasin, ndërsa e përsëris se të gjitha kontestimet për mbarëvajtjen e punës së qytetit nuk do të jenë shqetësim për mua. Ne do të punojmë së bashku për zhvillimin e Elbasanit”, deklaron Sejdini. Gjatë katër ditëve të numërimit të fletëve të votimit në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, edhe pse ishte i sigurt në fitore thuajse që në hapjen e dhjetë kutive të para të votimit, Sejdini asnjëherë nuk u largua prej andej. Për këtë kryebashkiaku thotë se qëndroi si vëzhgues në numërimin e fletëve të votimit për respekt të qytetarëve që e besuan, por edhe të grupeve të numërimit, që punuan ditë e natë për të nxjerrë rezultatet përfundimtare. Vetëm një orë para se të përfundonte procesi i numërimit të kutisë së fundit, në sallën e Pallatit të Sportit ka nisur festa e familjarëve të Sejdinit dhe mbështetësve të tij, mes tyre dhe nënkryetari i Bashkisë, Artan Cepa, si dhe deputeti Ilir Bejtja.
Në zgjedhjet lokale të 8 majit, Qazim Sejdini u shpall fitues me një diferencë prej rreth 8 mijë votash kundrejt kandidati të LSI-së, Durim Hushi, në një proces numërimi që nisi mbrëmjen e së dielës dhe përfundoi vetëm mbrëmjen e së enjtes.
Këshilli Bashkiak
Aleanca për Qytetarin
• PD 9 këshilltarë
• LSI 4 këshilltarë
• PAA 2 këshilltarë
• PDIU 2 këshilltarë
• PR 2 Këshilltarë
Aleanca për të Ardhmen
• PS 16 këshilltarë
• PSD 1 këshilltar
PD-ja merr 5 bashki e 25 komuna
Partia Demokratike ka marrë 5 bashki e 25 komuna, ndërsa PS-ja dy bashki, njëra prej të cilave ajo e Elbasanit, si dhe 17 komuna.
Në qarkun e Elbasanit ” Aleanca për qytetarin” fitoi Bashkinë e Librazhdit, Prrenjasit, Peqinit, Cërrikut dhe Belshit, ndërsa “Aleanca për të ardhmen”, Bashkitë e Elbasanit dhe të Gramshit. Gjithashtu, një fitore të thellë “Aleanca për qytetarin” ka pasur në këshillat bashkiakë, ku në qytetin e Elbasanit ka marrë 22588 vota, ndërsa ” Aleanca për të ardhmen” 19944 vota. Ndër komunat që ka fituar e djathta, janë ajo e Bradasheshit, Paprës, Kodovjatit etj, nëdrsa PS-ja ka marrë komunën Qendër, Qukës, Shushicë etj.
Ruzhdia e PD mbyll procesin e numërimit pas 5 ditësh
PATOS – Pas 5 ditësh ka përfunduar paraditen e së premtes procesi i numërimit të votave për KZAZ me numër 19 në Patos. Ishte Ruzhdia, komuna e fundit që pritej të shpallej si e përfunduar, e cila rreth orës 14.00 ka mbyllur numërimin e 5 kutive të fundit të votimit ku është shpallur fitues kandidati i Aleancës për Qytetarin, Pajtim Gllava. Ky i fundit ka arritur të marrë fitoren me 340 vota avantazh. Ai ka fituar 1840 vota kundrejt kandidatit të Aleancës për të Ardhmen, Aleksandër Karemani, që mori 1500. Pajtim Gllava është kryetari aktual i komunës Ruzhdie. Ajo që u vu re ishte fakti që të 9 qendrat e votimit u numëruan pa asnjë problem dhe në asnjë rast nuk u shfaqën tensione. Kandidatët pranuan rezultatin. Ndërkohë në komunën Kurjan ka fituar kandidati i pavarur Adrian Shabani me rreth 600 vota diferencë nga kandidati i Aleancës për Qytetarin Hamza Toro i LSI. Pas përfundimit të kësaj komune të procesit të numërimit rezulton se pjesa më e madhe e njësive vendore që ishin në KZAZ 19 fitohen nga e djathta. Kështu Bashkia Roskovec Komuna, Kuman, Kurjan, Strum dhe Rruzhdie janë fituar nga e djathta kundrejt bashkisë Patos dhe komunës Portëz që janë fituar nga e majta. I vetmi që ka animuar rezultatin pas shpalljes së tij është kandidati i majtë, Arben Semanjaku, i cili i është drejtuar KQZ-së, me kontestimet përkatëse.
Zona e përmbytur në Shkodër, PS merr 3 komuna, PD vetëm 2
SHKODER – Koalicioni i majtë ka fituar 3 nga 5 komunat që u përmbytën vitin e kaluar. Megjithëse me rezultate jo shumë të thella, siç duket, përmbytja në këtë zonë ka pasur ndikimin e saj te banorët. Komunat Ana e Malit, Dajti, Bërdica, Velipoja dhe Bushati, gjatë fushatës elektorale, drejtuesit e PS-së i kanë pasur në qendër të vëmendjes. Kështu, Aleanca për të Ardhmen ka fituar në komunën Ana e Malit, në Bërdicë dhe Velipojë. Ndërsa demokratët kanë fituar me shifra të thella dy komunat e tjera, atë të Dajtit dhe të Bushatit, ku gjatë vitit të kaluar, krerët e PS-së, duke filluar nga kryetari Edi Rama dhe deputetët e Shkodrës, kanë bërë një fushatë parazgjedhore, duke bërë politikë dhe duke akuzuar qeverinë dhe drejtuesit e komunave përkatëse në lidhje me situatën e vështirë gjatë përmbytjeve. Mbi këtë fakt ata ndërtuan edhe strategjinë e tyre për të marrë sa më shumë vota në këto zona. Komuna e parë që pësoi ndryshim politik ishte Bërdica, ku për herë të parë pas 20 vitesh, PS merr postin e kryetarit të saj. Kandidati Besnik Brahimi u shpall fitues dhe mori 1273 vota, ndërkohë që kandidati i Koalicionit për Qytetarin dhe ish-kreu i komunës, Qamil Xhurreta, mori vetëm 844 vota. Velipoja ishte komuna e dytë ku fituan socialistët. Për kreun e kësaj komune garoi kryetari aktual i saj, Nikollë Marku, me demokristianin Pashk Ujka. Dje u mbyll numërimi edhe për komunën Ana e Malit, ku fitues doli kandidati i së majtës, Xhevat Molla, i cili mori 1176 vota, karshi 957 të rivalit të tij. Në komunën Dajt, kandidati i djathtë, Arben Gjura, dominoi mbi rivalin e PS-së. I njëjti rezultat edhe në komunën Bushat, ku kandidati i PD-së, Zef Hila, fitoi 4605 vota, ndërsa rivali i tij, i PS-së, 2413 vota.
ELBASAN/ Miranda Sadiku
© Panorama.al











