Mançester Junajtid mori titullin e 19-të dhe vendosi verdiktet e tjera. Siti arriti fitoren e 4-t radhazi, kësaj radhe në fushën e Boltonit, për të hipotekuar vendin e 3-të që e çon në Champions pa nevojën e ndeshjes eliminatore. Këtë të fundit do të duhet ta luajë Arsenali, që në këtë fund sezoni ka pasur vetëm rënie të lirë. “Topçinjtë” morën një pikë në derbin londinez me Fulhamin (2-2). Tjetër goditje për Ançelotin dhe Çelsin, që me shumë mundësi dje u shkarkua nga stoli. Goli i Bekford për Evertonin pavarësisht se luante në inferioritet numerik (Kolman me të kuqe) u lejoi atyre të mundnin blutë e Londrës.
Liverpuli jashtë Europës – Totenhemi ka mundur në shtëpi Birmingemin dhe si ngushëllim për humbjen e luftës për vendin e 4-t kualifikohet për në Ligën e Europës. Goli në minutën e 93-të i Pavljuçenkos, nuk tregoi aspak mëshirë ndaj fituesve të Kupës që ranë nga kategoria. Liverpuli mundet nga Aston Vila dhe përgatitet për një sezon “Made in England”, pa kënaqësinë e të luajturit në Europë.
Lamtumirë Blekpull dhe Birmingem – Por emocionet më të jashtëzakonshme i dhuroi e ashtuquajtura “Survival Sunday” (E Diela e Mbijetesës). Në fund janë dorëzuar dhe do t’u bëjnë shoqëri sezonin e ardhshëm Uest Hemit në Championship, Blekpulli dhe Birmingemi. Shpëtojnë ndërkohë Blekbërni, Uigani dhe U’Hemptoni. Blekpulli u mund nga kampionët e Junajtid 4-2, në ndeshjen e fundit të Edvin Van Der Sarit, që Ferguson i dha shansin të ishte dhe kapiten. Një goditje dënimi e Adam u dha për momentin e barazimin djemve të Hollouej, pasi kampionët kishin kaluar në avantazh me Park. Përmbysje dhe ripërmbysje në 45 minutat e dyta. Tejlor Fletçer shënon golin e “shpëtimit” për miqtë, por Anderson, autogoli i Evat dhe Ouen treguan se edhe në javën e fundit Premeir Liga nuk di të bëjë asnjë kompromis (4-2). Birmingemi i mundur në “Ëhite Hart Lane” dhe fitues i Kupës së Anglisë, ka ndjerë shijen më të hidhur të këtij sezoni, sepse i dha lamtumirën Premier Ligës në sekondat e minutës së 3-të shtesë. Uigani, pas një pjese të parë me vuajtje fiton në fushën e Stokut (1-0), falë golit me kokë të Rodalegës dhe mori pikët që i duheshin për të shpëtuar. U’ Hemptoni u mund 3-2 në shtëpi nga Blekbërni dhe të dyja skuadrat luajnë në Premier Ligë sezonin e ardhshëm. Uest Hemi konfirmon sezonin e dështuar, ndërsa munden edhe në ndeshjen e fundit në “Upton Park” 3-0 me Sandërlendin. Barazim rokambolesk 3-3 mes Njukasëllit dhe Uest Bromuiçit. Golat për “qymyrxhinjtë” mbajnë autorësinë e Stiven Tejlorit, danezit Lovenkrands që përfiton nga një gabim i portierit Karson dhe një autogoli të Olsonit. Ekipi i Hodgsonit, kundërpërgjigjet me një tripletë të kamerunasit Tçoi.











