Debati i sotëm mbi procedurat e zgjedhjes së Presidentit të Republikës ka ndodhur edhe më parë. Është ekzaktësisht kështu, sado e çuditshme të duket. Ka ndodhur për një çështje tjetër, por thelbi i debatit është plotësisht i njëjtë. Madje, kjo ngjashmëri është kaq e madhe, saqë nuk mund të mos bjerë në sy. Tri vite më parë, në gushtin e vitit 2009, kur sapo ishin qartësuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti dhe sapo ishte përcaktuar koalicioni fitues, dhe rrjedhimisht edhe maxhoranca e ardhshme e vendit, Partia Socialiste dhe opozita në tërësi filloi të artikulonte tezën e “rinumërimit të votave” apo ndryshe, të hapjes së kutive për një rishqyrtim të rezultatit të zgjedhjeve. Në thelb të kësaj kërkese qëndronte pretendimi pa prova dhe pa baza i një “mega-manipulimi” të rezultatit të numërimit të votave. Ky “mega-manipulim” i kishte dhuruar – sipas opozitës – fitore të pamerituar koalicionit të sotëm qeverisës.
Ajo që të binte veçanërisht në sy përgjatë këtij debati të “rihapjes së kutive”, ishte plani moral në të cilin Partia Socialiste u mundua të vendoste shqyrtimin mediatik dhe politik të kësaj kërkese: …ç`të keqe ka të rihapen kutitë e votimit? Nëse është e vërtetë që nuk ka manipulim të votave, atëherë përse të mos i hapim? Vetëm ata që fshehin të vërtetën, mund të kenë frikë nga rinumërimi… etj…
Fillimisht për jo pak qytetarë, ne mënyrën se si Partia Socialiste e artikuloi tezën e saj, këto pretendime tingëllonin të logjikshme dhe deri diku moralisht të drejta, në qoftë se (e përsëris, në qoftë se) shkëputen nga konteksti politik dhe institucional në të cilin po ndodhnin.
Siç është edhe e kuptueshme, këto pretendime ishin “muzikë” për veshin e militantëve opozitarë dhe, për më tepër, sollën pështjellim jo të pakët edhe për ata qytetarë-votues të cilët nuk shikonin asgjë të keqe në rinumërimin e votave për hir të transparencës dhe të eliminimit të konfliktit politik. Për më tepër, kur Partia Socialiste në emër të transparencës përshkallëzoi aksionin e saj politik me bojkotin e Parlamentit, me bllokimin e bulevardit qendror në Tiranë, me bllokimin e rrugëve kombëtare, me fjalorin e ashpër politik (gjithnjë në emër të numërimit korrekt të votës), shumë qytetarë, nisur më shumë nga pragmatizmi sesa tifozeria politike, mendonin që do të ishte më mirë të rinumëroheshin votat aq herë sa kërkonin socialistët, sesa Shqipëria të rifutej në një cikël konflikti politik dhe dhune rrugësh. Sidomos frika për këto të fundit ishte realiste: 21 janari, kur PS dhe opozita organizuan ngjarjen më të dhimbshme për shqiptarët pas atyre të vitit 1997, vërtetuan pikërisht këtë gjë!
Maxhoranca e këtij debati iu përgjigj në mënyrë konstante, pa asnjë devijim në argument, që nga fillimi deri në fund të saj: nuk kemi asgjë kundër “hapjes së kutive” dhe rinumërimit të votave, por duhet ndjekur rruga ligjore, pra përqasja institucionale për këtë gjë. Shkoni në Gjykatë, paraqisni prova për kërkesën tuaj, dhe në qoftë se Gjykata merr një vendim të tillë, ajo do të jete plotësisht e detyrueshme për të gjitha institucionet. Pa ndjekur këtë rrugë, maxhoranca as nuk mund të rihapë kutitë, sepse është shkelje flagrante e Kodit Zgjedhor, dhe as nuk mund të refuzojë rinumërimin e votave nëse Gjykata e urdhëron një gjë të tillë. Thjesht, maxhoranca nuk ka të bëjë me kërkesën tuaj, prandaj mos ia kërkoni asaj këtë gjë… konsensusi politik nuk mund të zëvendësojë institucionet, ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Në ato raste që është bërë, vendi i është afruar rrezikshëm kolapsit…
Sot, Partia Socialiste po kërkon që Presidenti të jetë konsensual, gjë që në thelb nuk është aspak e kritikueshme, përkundrazi, është e lavdërueshme. Këtë gjë, por të shprehur ndryshe, kërkon edhe neni 86 i Kushtetues: Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e vendit dhe të jetë mbi palët. Ndoshta zgjedhja konsensuale nuk është e njëjta gjë me përfaqësimin e unitetit dhe të qenët mbi palët, por mund të biem dakord se deri diku, njëra gjë sjell tek tjetra.
Dikush mund të pyesë tashmë se ç’ka të bëjë ky debat i hershëm dhe i lodhshëm mbi “hapjen e kutive” me debatin e sotëm mbi zgjedhjen e Presidentit të Republikës? Është në thelb e njëjta gjë: Partia Socialiste po e vendos përsëri debatin në planin moral të asaj çfarë duhet të përfaqësojë Presidenti i Republikës. Por, opozita e anashkalon me qëllim faktin se ku mbaron “moraliteti” dhe ku fillon “detyrimi i procedurës kushtetuese”! Opozita tenton ta mjegullojë këtë kufi shumë të rëndësishëm, por është detyrë e maxhorancës ta qartësojë atë.
Problemi është që socialistët dhe opozita nuk nënkuptojnë me fjalën “konsensual” vetëm dhe ekzaktësisht një figurë presidenciale “konsensuale”: ata duan që me anë të kompromisit (konsensualitetit) t’i kërkojnë maxhorancës që në thelb të mos i përmbahet procedurës kushtetuese, por të arrijnë që në tavolinë dhe me anë të negociatave, dhe vetëm kështu, të imponojë zgjedhjen e një Presidenteje ndryshe nga procedura kushtetuese e përcaktuar qartë në nenin 87 të saj. Pra, me pak fjalë, përsëri ashtu si edhe në debatin sfilitës mbi hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, në emër të “moralitetit politik” të figurës unitare, që duhet të përfaqësoje Presidenti i Republikës, Partia Socialiste po kërkon, pa asnjë të drejtë, diçka që tejkalon procedurën dhe që del qartazi jashtë saj.
Nëse Kushtetuta përcakton se në raundin e katërt dhe të pestë Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë të numrit të përgjithshëm të deputetëve, atëherë kështu duhet të ngjasë. Pavarësisht çfarë kërkon Partia Socialiste, dhe mbi të gjitha, pavarësisht se në emër të kujt e kërkon këtë.
Por në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme që, ashtu si edhe në debatin e “hapjes së kutive”, të sqarohet mirë opinioni publik përse duhet respektuar Kushtetuta deri në fund, dhe përse, në qoftë se dështon negociata në tri raundet e para, maxhoranca do detyrohet ta zgjedhë e vetme Presidentin e ri. Dhe kjo zgjedhje nuk është për “hir të uzurpimit politik” të pozicionit të Presidentit, përkundrazi, është për të respektuar deri në fund atë çfarë shpreh dhe kërkon Kushtetuta e vendit. Kjo çështje është shumë e rëndësishme sepse, ashtu si edhe në rastin e “kutive”, nëse z. Rama do të ndërmarrë përsëri një aksion të bojkotit të Parlamentit dhe të dhunës së rrugës, shqiptarët duhet ta kuptojnë mirë se ku qëndron e vërteta.
Kjo çështje nuk është për PD e sotme dhe as për atë të nesërme. Nëse shqyrtimi i kandidaturave dhe rënia dakord mbi një kandidaturë të veçantë nuk rezulton e suksesshme ne tri raundet e para (të gjithë urojmë të jetë e kundërta), me shumë gjasa Presidenti i ri do të dalë nga gjiri i maxhorancës. Kështu dhe vetëm kështu do të sanksionohet një herë e mirë që Kushtetuta dhe ligji janë të shenjta, dhe se kompromisi politik në kurriz të saj vetëm i dobëson institucionet e funksionimin e tyre normal.
Pavarësisht se në ç’mënyre do të zgjedhë të reagojë z. Rama, maxhoranca e sotme, ashtu si edhe në rastin e tri viteve më parë, nuk duhet të cedojë asgjë, asgjë që nuk e garanton ligji dhe Kushtetuta. Ky është shërbimi më i madh qe i bëhet vendit, më jetëgjatë se çdo kompromis politik në emër të “gjasme-kompromisit” që propozon opozita.
© Panorama.al












