
Leskaj analizë me mediat: Raport Berishës për tenderat
Buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm 4.2 milionë dollarë nga shkeljet e disiplinës financiare nga administrata e institucioneve. Analiza e Departamentit të Kontrollit të Buxhetit Qendror pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit, e zhvilluar dje, detajoi në shifra kontrollet e ushtruara dhe rekomandimet e bëra nga institucioni. Për herë të parë, KLSH-ja aplikoi praktikën e një analize të hapur për mediat, një nismë kjo e marrë nga kryetari i ri, Bujar Leskaj. Në fjalën e tij të hapjes, kreu i KLSH-së e vuri theksin në transparencën që institucioni që ai drejton, do të ketë ndaj publikut. Nga ana tjetër, vuri theksin në punën që do të bëhet për të përmirësuar performancën e KLSH-së në drejtim të zbulimit të shkeljeve dhe dëmit real dhe jo atij hipotetik. “KLSH-ja duhet të heqë dorë nga praktika e zbulimit hipotetik të dëmit, sepse në këtë mënyrë fshihet korrupsioni i vërtetë dhe detyrë institucionale jona është të parandalojmë këto fenomene”, tha Leskaj.
Dëmi
Dëmi në buxhetin e shtetit i konstatuar nga KLSH-ja përfshin si zërin e të ardhurave, ashtu edhe atë të shpenzimeve. Nga 38 subjekte të planifikuara për t’u kontrolluar nga ky institucion, procesi ka përfunduar për 37 të tilla dhe, lidhur me të gjitha këto kontrolle, janë bërë rreth 591 rekomandime. Dëmi i evidentuar në total shkon 4.2 milionë dollarë, për të cilin është rekomanduar zhdëmtimi në vlerën 100 për qind të tij. Të ndarë në zëra të veçantë, në fushën e të ardhurave dëmi është 3.4 milionë dollarë, ku pjesën më të madhe e zënë shkeljet e abuzimit me pasurinë kombëtare dhe më pak shkeljet në sektorin e dhënies me qira të objekteve, si dhe sektori i tatimtaksave. Te shpenzimet abuzimi është më i ulët, me një vlerë 0.7 milionë dollarë. Përgjithësisht zërat ku janë hasur shkelje, lidhen me pagat, shpenzimet operative dhe prokurimet publike që mbajnë dhe rekordin.
Leskaj për prokurimet
Kryeministri dhe Antikorrupsioni duhet të njoftohen me një raport të veçantë mbi shkeljet e hasura në fushën e prokurimeve publike. Për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, kjo do të jetë një praktikë që duhet të zbatohet në vijim në mënyrë që të ketë koordinim me institucionet qendrore në luftën kundër korrupsionit. Deklarata e Leskajt u bë gjatë analizës që iu bë kontrolleve që janë ushtruar gjatë vitit të kaluar, ku pjesa më e madhe e shkeljeve në zërin e shpenzimeve është evidentuar në procedurat e tenderimit. “Shohim që prokurimi publik mbetet një problem i madh në dëmin që i shkaktohet buxhetit. Nga ana jonë duhet të hartohet një raport me shkeljet e evidentuara më shpesh në këtë fushë dhe kjo duhet që t’i kalojë Kryeministrit si dhe Antikorrupsionit, në mënyrë që bashkëpunimi me këto institucione të japë efektin e duhur në uljen e shkeljeve për këtë fushë”, u shpreh Leskaj.
Dëmi në buxhet
Në fushën e të ardhurave 343 milionë lekë
1. Nga tatim-taksat 743 mijë lekë
2. Nga dhënia e objekteve me qira 978 mijë lekë
3. Nga shfrytëzimi i pasurive komb. 342 milionë lekëNë fushën e shpenzimeve 76 milionë lekë
1. Në fushën e pagave 440 mijë lekë
2. Në shpenzime operative 11.1 milionë lekë
3. Në prokurime publike 65 milionë lekëShuma në total 420 milionë lekë
Rekomanduar për zhdëmtim 420 milionë lekë
NERTILA MAHO
© Panorama.al











