TIRANE- Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë të lirë sot tre nga të akuzuarit për “Masakrën e Cërrikut”. Mësohet se të akuzuarit Llazar Bicja, Meti Bozi dhe Skëndër Cani janë lënë të lirë nga Gjykata për mungesë provash.
Prokuroria kishte kërkuar burg për jetë për të akuzuarin, Meti Bozi, 25 vjet heqje lirie për Llazar Bicjan dhe 21 vjet për Skëndër Canin. Të pandehurit e Bandës së Cërrikut akuzohen si autorë të masakrës së Cërrikut, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe u plagosen 15 punonjës të Policisë së Shtetit.
Banda e organizuar, pritë gardistëve në qytet
TIRANE – Ngjarja e njohur si “Masakra e Cërrikut” u shënua më 23 maj të vitit 1997, në qytetin e vogël pak kilometra larg Elbasanit. Në orët e para të kësaj dite, një autokolonë me blinda të Gardës së Republikës dhe të forcave speciale ranë në një pritë të armatosur në qendrën e qytetit të Cërrikut. Autokolona u qëlluar me artileri të rëndë nga tarracat e pallateve që rrethonin qendrën e qytetit. Nga zjarri mbi “njerëzit e shtetit”, mbetën të vrarë 6 efektivë të Gardës, si edhe u plagosën 15 të tjerë. Dy nga gardistët e plagosur u mbajtën peng për disa orë. Një natë më parë, elementë të armatosur kishin sulmuar dhe bastisur Postën e Policisë së Cërrikut. Të akuzuarit e Prokurorisë për Krimet e Rënda në lidhje me këtë ngjarje janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skender Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi.
© Panorama.al











