
“Nga 342 kërkesa në nëntor, sot 45-të. Mos abuzohet me gjakmarrjen”
Shkodër, sekretarja belge: Shqipëria e uli numrin, por kujdes.
“Numri i azilkërkuesve shqiptarë në Belgjikë është ulur, por sërish ekziston rreziku për vendosjen e regjimit të vizave. Kjo do të ndodhë nëse rritet trysnia e azilkërkuesve drejt vendeve të BE-së”. Reagimi erdhi dje nga sekretarja e Shtetit për Azilin dhe Emigracionin e Mbretërisë së Belgjikës, Maggie de Block, gjatë një vizite pune në prefekturën e Shkodrës. Ajo ka shfrytëzuar këtë moment për të bërë apel në uljen e kërkesave, nisur dhe nga fakti se shumica e precedentëve kanë qenë nga qarku i Shkodrës. “Shqipëria tashmë është futur në listën e vendeve të sigurta për Belgjikën për sa i përket emigracionit. Por sërish kërkesat për azil mbesin shqetësuese dhe, nëse do të ketë fluks azilkërkuesish, atëherë Shqipëria mund të rrezikojë lëvizjen e lirë të shtetasve të saj, e për rrjedhojë do të mund të kemi rivendosje të regjimit të vizave”, u shpreh ajo. Maggie de Block paraditen e djeshme zhvilloi një takim me prefekten e Shkodrës, Voltana Ademi si dhe kryetarët e njësive vendore të qarkut, duke dalë më pas në një konferencë për shtyp. Në të ajo u përqendrua tek procesi i liberalizimit të vizave dhe sa rrezikohet ai nga kërkesat për përfitimin e azilit. Sipas përfaqësueses së shtetit belg, në muajin nëntor ka pasur një numër prej 342 azilkërkuesish në muaj nga Shqipëria. “Nga të gjithë këta azilkërkues, rreth 90% prej tyre kanë rezultuar të jenë nga qarku i Shkodrës dhe pjesa më e madhe e tyre me vërtetime për fenomenin e gjakmarrjes, pasi shteti belg nuk jep azil ekonomik për emigrantët. Por kohët e fundit ky numër është vazhdimisht në zbritje, duke qenë se shteti shqiptar ka marrë masat e veta dhe kemi rritur bashkëpunimin ndërinstitucional, duke bërë që sot të kemi rreth 45 azilkërkues në muaj. De Block u ka kërkuar drejtuesve të njësive vendore që të vazhdojnë të punojnë gjithnjë e më shumë për sa i përket sensibilizimit të qytetarëve që të mos kërkojnë azil politik në kushtet e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të liberalizimit të vizave. Ajo u shpreh se populli i Shkodrës është i keqinformuar, pasi atyre u është thënë se në Belgjikë është e lehtë të gjesh punë dhe shtëpi, çka nuk është e vërtetë. “Edhe ne kemi krizë ekonomike, prandaj është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të punojnë aty”, tha sekretarja e Shtetit belg.
De Block u shpreh se Shqipëria është një vend demokratik dhe beson se bashkëpunimi do intensifikohet edhe më tutje, duke eliminuar në maksimum numrin e azilkërkuesve me dokumente dhe vërtetime të ndryshme nga njësitë vendore.
Vërtetimet, dy vendorë në hetim
Në muajin tetor të vitit të shkuar, Policia e Shkodrës pati nisur hetimet në lidhje me vërtetimet e lëshuara nga drejtuesit e njësive vendore apo të shoqatave të ndryshme për persona të ndryshëm, sikur ata kishin probleme me gjakmarrjen. Por, të dyshuarit në prononcimet e tyre publike hodhën poshtë idenë e lëshimit të vërtetimeve false apo që të kenë qenë ata iniciatorët e vërtetimeve të tilla. Sikurse bëhet e ditur, Drejtoria Kundër Krimit Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër pati nisur procedimin penal ndaj dy drejtuesve të njësive vendore në qarkun e Shkodrës, Faz Shabaj, kryetar i komunës Postribë dhe Ramadan Likaj kryetar i Bashkisë Koplik, rrethi Malësi e Madhe. Por çështja mbeti vetëm në fazën e marrjes së deklarimeve të drejtuesve vendorë mbi lëshimin e vërtetimeve.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











