“ARMO, 39 milionë USD borxh Albpetrolit”

Dec 7, 2011 | 13:18

Kompania e privatizuar e përpunimit të naftës, ARMO, ka marrë nga kompania Albeptrol rreth 35 milionë dollarë naftë, gaz dhe hollues, duke mos e paguar. Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar dëmin në Albpetrol prej rreth 39 milionë dollarësh. I gjithë ky dëm vjen nga mospagimi nga ARMO i furnizimit që i është bërë nga Albpetrol. KLSH vëren në një paragraf të raportit se vetëm nga vonesat e pagesave, Albpetrolit, dhe rrjedhimisht shtetit, i është shkaktuar një dëm prej 3.5 milionë dollarësh. Shifrat janë të frikshme, po të kihet parasysh se KLSH ka kryer 118 kontrolle në institucionet shtetërore gjatë 9-mujorit të parë të këtij viti dhe në total ka zbuluar një dëm prej rreth 69 milionë dollarësh. Vetëm te Alpetrol, si rezultat i mospagimit të furnizimit nga ARMO, dëmi është 39 milionë USD. Ja si raporton KLSH për dëmin e zbuluar në zërin “të tjera”. “Albpetrol sh.a. Fier, në vlerën 3 936 800 000 lekë, përkatësisht vlera prej 3.578.689.215 lekë shkaktuar nga moslikuidimi i detyrimeve të rrjedhura nga furnizimi me naftë bruto, gaz natyror dhe hollues deri më datë 31.12.2010 nga kompania ARMO sh.a. (ARMO oil) dhe vlerën 358.107.780 lekë për moslikuidim në afat të faturave të shitjes së naftës po nga kjo kompani.”
Dëmet e tjera
Keqmenaxhimi i pasurisë shtetërore sa i përket qiradhënies apo shitjes së saj, mbajnë rekordin e dëmit shkaktuar buxhetit të shtetit, ku vlera është 355 milionë lekë. Pas kësaj vijnë doganat, të cilat në raportin e KLSH-së rezultojnë me një dëm 181 milionë lekë. Prokurimet renditen si të tretat në listën e sektorëve ku është abuzuar më shumë nga institucionet me një dëm prej 175 milionë lekësh. Kontrollet kanë dalë në përfundime të tipit moskryerje e punimeve apo projektit dhe pagesë e kryer. Edhe tek shpërblimet dëmi është i konsiderueshëm me një vlerë prej 149 milionë lekë, kurse pas tyre vjen fusha e urbanistikës me një vlerë 58 milionë lekë, ku një pjesë të mirë e zë mosarkëtimi i taksave urbanistike apo përllogaritje e gabuar e kostos mesatare të prodhimit. As sistemi i pagave nuk ka shpëtuar pa shkelje, të cilat i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 19 milionë lekësh. Natyra e shkeljeve është e ndryshme, duke filluar nga paga të kundërligjshme, në paga të dhëna jashtë orarit normal të punës dhe të pajustifikuara apo paga në kundërshtim me VKM-të përkatëse, madje ka edhe paga për persona që nuk rezultojnë si të punësuar. Tek fusha e shpenzimeve operative dëmi kap vlerën 17 milionë lekë dhe listën e kryeson Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Tatimtaksat renditen me një dëm më të ulët, me vlerë 14 milionë lekë dhe shkeljet kryesisht i përkasin mosvjeljes së taksave vendore dhe mospagesës së taksës së pasurisë. Në raportin 9-mujor rezulton që në total dëmi i shkaktuar është 6. 8 miliardë lekë, nga 6.2 miliardë që ishte në tremujorin e dytë. Ndërkaq, dëmi i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2008-2011. Kontrollet që kanë nxjerrë në pah këtë dëm, janë zhvilluar në institucione qendrore vendore, institucione financiare dhe me kapital të përbashkët shtetëror, njësi dhe projekte me financim të huaj, por edhe të tjera. Në total, KLSH-ja kishte programuar që për 9-mujorin e këtij viti të kryente 112 kontrolle, por numri i tyre është rritur duke shkuar në 182, nga të cilat 133 janë përfunduar, 25 janë përfunduar në proces kontrolli por të paevaduara dhe 26 janë në proces kontrolli. Lidhur me shkeljet e hasura, KLSH ka dhënë edhe sugjerimet përkatëse, ndërkohë që ka bërë kallëzim penal për tre persona me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Dëmet në buxhet
Shitje dhe dhënie me qira
e pasurisë shtetërore          345 milionë lekë
Doganat                            181 milionë lekë
Prokurime            175 milionë lekë
Shpërblime              149 milionë lekë
Urbanistikë                       58 milionë lekë
Sistemi i pagave                 19 milionë lekë
Shpenzime operative            17.8 milionë lekë
Tatimtaksa                         14.6 milionë lekë
Mungesë materiale                 55 mijë lekë

Të tjera                           5.9 miliardë lekë
Nga të cilat:
Autoriteti Portual Durrës     1.5 milionë lekë
Albpetrol                             3.9 miliardë lekë

NERTILA MAHO

Shitje dhe dhënie me qira
e pasurisë shtetërore          345 milionë lekë
Doganat                            181 milionë lekë
Prokurime            175 milionë lekë
Shpërblime              149 milionë lekë
Urbanistikë                       58 milionë lekë
Sistemi i pagave                 19 milionë lekë
Shpenzime operative            17.8 milionë lekë
Tatimtaksa                         14.6 milionë lekë
Mungesë materiale                 55 mijë lekë

Të tjera                           5.9 miliardë lekë
Nga të cilat:
Autoriteti Portual Durrës     1.5 milionë lekë
Albpetrol                             3.9 miliardë lekë

© Panorama.al

Te lidhura