“Armenët”, Turqia tërheq ambasadorin nga Franca

Dec 23, 2011 | 12:03
Kryeministri turk, Erdogan

Turqia ka prishur marrëdhëniet diplomatike me Francën në një reagim të menjëhershëm pasi Parlamenti fran-cez miratoi një ligj, i cili e quan krim refuzimin e Turqisë për të njohur gjenocidin armen gjatë Luftës së Parë Bo-tërore. Zyrtarët në Ankara tërhoqën menjëherë ambasadorin nga Franca. Projektligji, i cili u miratua në Dhomën e Ulët të Parlamentit francez, kërkon dënim deri në një vit heqje lirie dhe 45 mijë euro gjobë për të gjithë ata që mohojnë gjenocidin armen. Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, e ka cilësuar këtë vendim si racist. Sot, ambasadori turk në Francë, Tahsin Burcuoglu, pritet të largohet nga Parisi si një nga masat e para që Erdogan vendosi në lidhje me ligjin. Të tjera masa do ta pasojnë atë. Kryeministri turk, Erdogan, tha të enjten se projektligji i miratuar nga Dhoma e Ulët e Parlamentit në Francë, që e quante krim mohimin e gjenocidit, ishte “racist, diskriminues dhe ksenofobik”. Ai shtoi se ky ligj ka hapur plagë me Parisin, që do të jenë shumë të vështira për t’u shëruar. Erdogan tha se Turqia do të anulonte të gjitha takimet e saj ekonomike, politike dhe ushtarake me partnerin e NATO-s, Francën, madje do të anulojë lejen që u ka dhënë avionëve ushtarakë francezë për t’u ulur në tokën turke dhe anijeve luftarake të Francës për të ankoruar në doket e Turqisë për shkak të këtij projektligji. Projektligji i ri francez do të diskutohet në Senat në vitin 2012. Ai ka zemëruar Turqinë pasi përfshin edhe vrasjet e armenëve në vitin 1915 në Turqinë otomane. Armenët pretendojnë se më shumë se 1.5 milionë njerëz janë vrarë në vitin 1915 nga Perandoria Osmane, ndërsa Turqia thotë se shifra e viktimave është vetëm 300 mijë armenë dhe ata humbën jetën pasi luftuan përkrah ushtrisë ruse.

Projektligji
Franca i njohu zyrtarisht vrasjet si gjenocid në vitin 2001, por nuk impononte asnjë dënim për ata që e mohonin atë. Dje, Dhoma e Ulët e Parlamentit francez aprovoi me shumicë votash projektligjin që e cilëson si vepër penale mohimin e gjenocidit armen. Ky projektligj parashikon një dënim deri në një vit burg dhe gjobë prej rreth 45 mijë eurosh për ata që mohojnë apo mundohen të minimizojnë vrasjet e armenëve gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. Projektligji pritet të paraqitet edhe në Senat me parashikime të paqarta për rezultatin, i cili mundet edhe të rrëzohet që pas reagimit të Ankarasë.

Protesta
Protesta masive u organizuan dje përpara institucioneve franceze nga shtetasit turq që banojnë në këtë vend. Ata mbanin parulla që kujtonin të shkuarën kolonialiste të Francës, duke hedhur poshtë me forcë termin “gjenocid” për vrasjen e armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore.

© Panorama.al

Te lidhura