“Aranitët”, testamenti i Shuteriqit

Nov 4, 2011 | 11:52

Kishte qenë si një shenjë. Ai aso kohe ishte fare i vogël për të menduar se gjithë jetën do t’ia kushtonte studimeve. Ajo legjendë për Gjorg Golemin e kishte mahnitur. Ishte e njëjta mahnitje vite më vonë, kur mësoi se Gjorg Golemi nuk ishte veçse Gjergj Araniti, një nga prijësit më të mëdhenj feudalë shqiptarë që mbështeti Skënderbeun në Kuvendin e Lezhës dhe një nga përkrahësit kryesorë të kryengritjes antiosmane. Kjo do t’i hapte udhë një studimi që zgjati një jetë, për të ardhur te lexuesi shqiptar vetëm tani. “Aranitët” titullohet libri studimor me autor studiuesin, historianin e shkrimtarin Dhimitër Shuteriqi. Në praninë e akademikëve, historianëve, kolegëve të tij, u zhvillua dje në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave, promovimi i librit, botuar nga shtëpia botuese “Toena”. Një rast për të folur jo vetëm për vlerat e padiskutueshme të librit, siç do të thoshte prof. Pëllumb Xhufi, por edhe për të folur për njeriun Dhimitër Shuteriqi, i cili, ndryshe nga shumë të tjerë, ishte gati të kritikonte punën e tij për hir të shkencës. Të pranishmit në këtë ngjarje e quajtën “Aranitët” një vepër e rëndësishme për periudhën e Shqipërisë së periudhës së mesjetës, që bën “autopsinë” e një familjeje të fuqishme feudale, duke filluar nga shekulli XI, kohë kur shfaqet për herë të parë në kronikat bizantine dhe deri në vitin 1551, vit kur shuhet edhe pinjolli i fundit, Araniti, nipi i Gjerg Aranitit.
Për historianin Luan Malltezi, “profesor Shuteriqi i takon një brezi që i ra fati të merrte përsipër detyra të rëndësishme për çlirimin e vendit. E, pas çlirimit, ishte pjesë e po atij brezi që nisën një tjetër luftë shumë të vështirë, atë kundër analfabetizmit për zhvillimin e Shqipërisë, për zhvillimin e kulturës dhe shkencës në vend”.
Megjithëse për Aranitët kanë shkruar edhe të tjerë historianë më parë, shqiptarë e të huaj, Shuteriqi ka arritur të sjellë një botim mirëfilli shkencor dhe gati shterues, pasi për vite me radhë ka gërmuar në arkiva, ka përmendur qindra toponime dhe ka cituar dhjetëra autorë që kanë studiuar më parë historinë e kësaj familjeje feudale shqiptare me një pushtet dhe shtrirje të jashtëzakonshme. Librin e tij prej 165 faqesh ai e ka konceptuar në dy pjesë. Në të parën ai merret me emrin (Aranit, Komnen, Golem, Topiaj, Shpata etj., të gjithë emrat me të cilët ata dokumentohen apo përmenden), gjenealogjinë dhe nxjerr edhe përfundimet përkatëse, ndërsa në pjesën e dytë sjell një panoramë të zotërimeve të Aranitëve dhe të Aranitisë në vitin 1467. Vepra “Aranitët” mund të quhet edhe një testament i Dhimitër Shuteriqit. Bashkëshortja e tij, Mynever Shuteriqi, e cila është kujdesur për veprën e të shoqin qysh prej 7 vjetësh, që kur ai është ndarë nga jeta, thotë se “Aranitët” ishte vepra më e dashur e Dhimitrit. Një vepër të cilën ai e përmendi me një kthjelltësi të jashtëzakonshme edhe në shtrat, pak para se të ndërronte jetë. “Ai vdiq me shumë meraqe për shumë projekte që kishte dhe s’i realizoi dot. Por ne sot e pyesim veten: si mund të ishte i pakënaqur ai nga jeta, ai që na ka lënë një mal me vepra të rëndësishme?!”, tha Pëllumb Xhufi.
Dhimitër S. Shuteriqi lindi në vitin 1915 në qytetin e Elbasanit dhe u shua më 22 korrik të vitit 2003. Ai ishte një ndër personalitetet që vunë themelet e shkencës në vend, por ai asnjëherë nuk la mënjanë pasionin e tij të madh, prozën dhe poezinë, duke u shndërruar në një prej atyre personaliteteve edhe të letrave shqipe, përveç një gur i rëndësishëm në themelin e shkencës shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura