“Aksidenti i Himarës, 11 gabimet e ekspertëve të policisë”

Jun 3, 2012 | 12:45

Ibrahim Çela duke folur për “Panorama”

Familja Çela, me ekspertë privatë për aksidentin.

Ibrahim Çela: Me këtë lloj ekspertize rrezikohen që të ndodhin të tjera tragjedi.

Janë 11 gabime nga ekspertiza e Policisë për aksidentin e 21 majit në Himarë, ku humbën jetën 11 studente, i fejuari i njërës prej tyre, si dhe shoferi i autobusit. Akuza vjen nga familjarët e këtij të fundit, drejtuesit të mjetit, Pëllumb Çela.
Në konsultim me disa ekspertë privatë, si dhe nga vetë eksperienca e tij si inxhinier ndër dekada, vëllai i të ndjerit, Ibrahim Çela, radhit mangësitë e hetimit policor. I pyetur nga gazeta “Panorama”, ai sqaron çdo konkluzion të ekspertizës së aksidentit…
Policia konkludoi se “rruga është brenda standardeve”. E vërtetë?
Në këtë rrugë ka një tabelë, ku tregon pjerrtësinë me 12 për qind. Kjo tabelë tregon që rruga nuk është brenda standardeve, sepse pjerrësia normale për një rrugë standarde është 3-7 për qind. Nëse me këtë rrugë do të bëhen matjet e pjerrësisë, do të konstatojmë se ky segment rrugor në të vërtetë pjerrësinë mesatare e ka 15.6 për qind. Dhe për më tepër, në pjesën ku ndodhi aksidenti, pjerrësia e rrugës shkon deri në 22 për qind.
Megjithatë, pendenca e rrugës ka rezultuar normale…
Nuk është normale. Kjo rrugë është e ndërtuar me pendencën me drejtim nga gremina, gjë e cila u jep drejtimin automjeteve andej nga nuk duhet.
Policia ka theksuar se në rrugë ka pasur një tabelë, që paralajmëron kufizim shpejtësie 20km/orë. Një tabelë që vijon të jetë aty ende, pse dilni edhe kundër asaj që duket?
Pikërisht ky paralajmërim flet qartë. Aty është vërtet një tabelë që tregon kufizim shpejtësie 20 km në orë. Vetë tabela tregon që është vend i rrezikshëm. Rrugë të tilla me 20 km në orë janë vetëm nëpër fshatra, në të cilat nuk qarkullojnë automjete me turistë të huaj apo vendës.
Edhe sa i përket cilësisë së rrugës, ekspertët e Policisë mendojnë se është në rregull. Po konsultat tuaja me ekspertë privatë?
Shtresa e asfaltit ndikon në aksidente. Në të tilla rrugë, ku pjerrësia është e madhe, shtresat e asfaltimit bëhen me asfalt të ashpër dhe shumë të ashpër, në mënyrë që të rritet koeficienti i fërkimit. Në të vërtetë, shtresa e asfaltit është e tillë që e ul shumë koeficientin e fërkimit, për shkak të bymimit të saj.
Po për elementët e sigurisë në rrugë, çfarë pretendimesh keni?
Të gjithë këto elemente lënë shumë për të dëshiruar; si lartësia e murit mbrojtës, ashtu edhe qëndrueshmëria e tij për të përballuar goditjen e një mjeti në një vend kaq të rrezikshëm, ku ka një tabelë për kufizim shpejtësie dhe një pjerrësi shumë të madhe. Sakaq, tabela dyfishe për kthesën aty mbetet alarmuese.
Tabela dyfishe për kthesën argumentohet si “standard europian” nga policia. Pse për ju qenka alarmante?
Kjo kthesë për një rrugë të tillë është jashtë çdo parametri të një rruge standarde, sepse rrezja e kësaj kthese shkon deri ne 60 metra. Afërsisht 20 herë më e vogël se sa e lejojnë standardet europiane. Nuk e dimë: A mund të themi me gjithë këta tregues që rruga është brenda normave të lejuara dhe të quhet ‘rrugë që përmbush standardet’?!.
Të kalojmë te sistemi i frenimit, për të cilin policia tha se ishte në rregull. Pretendimi juaj?
Nuk e dimë çfarë kontrollesh janë bërë nga këta ekspertë, sepse të kontrollosh sistemin e frenimit duhet shumë punë dhe shumë kohë për ta realizuar këtë. Ky sistem ka një mori të madhe nyjesh, agregatesh dhe një sistem të tërë tubacionesh.
Po gomat, a ishin në gjendje të mirë, ashtu siç thotë policia?
Me sa dimë, kontrolli i gomave bëhet në shumë drejtime. Kampionit të gomës së automjetit i bëhet analiza për të përcaktuar elementët përbërës në bazë të të cilëve përcaktohen vetitë fizike të kësaj gome, cilësia e saj etj. Gomës i bëhen matjet e konsumimit të saj dhe përcaktohet shkalla dhe norma e konsumimit. Gomës i shikohet data e prodhimit, sepse ato kanë vetinë që dekompozohen vetvetiu, duke u ruajtur nëpër magazina pa ndriçim dhe të ambalazhuara nga afati i gjatë i prodhimit.
Përgjithësisht, sipas konsultave tuaja, si ka qenë gjendja teknike e autobusit?
Nuk ka qenë aspak e mirë, ashtu siç ka shkruar policia në raportet e saj. Autobusi ishte mjet prodhimi 24-vjeçar, i cili edhe po të mos ishte vënë në punë, për kohën e gjatë të prodhimit mund të quhet i konsumuar. Megjithatë, ne nuk dimë me sa kilometra të bëra ka ardhur ky autobus nga importi dhe sa kilometra të tjera ka përshkuar në vendin tonë.
Pavarësisht kundërshtimeve tuaja, për policinë sistemi i drejtimit ka qenë i rregullt…
Që të flasësh për sistemin e drejtimit pa u kontrolluar, do të më duhej të përsëris veten si për sistemin e frenimit…
Por autobusi e kishte bërë kontrollin teknik, madje gjatë muajit maj. Pse këmbëngulni që çdo raportim i ekspertizës së Policisë nuk është në rregull?
Skandali i Durrësit i ditëve të fundit mbi kolaudimet tregon qartë se në të gjitha qytetet tona kështu veprohet shpesh për kontrollin e mjeteve. Si mund të ketë qenë i rregullt një ekspertim policie, kur edhe mjeti ka mbetur në fund të greminës. Më vjen keq, sepse me këto përfundime që po nxjerr policia, po lejon që aty të ndodhë ndonjë tjetër tragjedi.

Ekspertët e Policisë në konflikt interesi, privatët refuzuan hetimin
TIRANE – Specialistë të spikatur të Qarkullimit Rrugor, por edhe ekspertë të njohur autoteknikë kanë refuzuar të marrin pjesë në ekspertimet për aksidentin e ndodhur në Himarë me autobusin me studente nga Elbasani. Shkak është bërë një vendim i Policisë së Shtetit, e cila që në ditën e parë ka vendosur që grupit hetimor të Policisë Rrugore t’i bashkonte edhe tre ekspertë, dy nga Tirana dhe një nga Lezha. Kanë qenë këta ekspertë, të cilët bashkë me policinë, kanë kryer veprimet e para në vendin e ngjarjes duke këqyrur shenjat e mbetura në rrugë e më pas duke verifikuar edhe autobusin. Pikërisht për shkak të pranisë së tyre, specialistë të njohur privatë kanë refuzuar të bëhen pjesë e grupit të hetimit edhe pse prej vitesh thirren nga prokuroria dhe gjykatat në ekspertimin e aksidenteve të ndryshme. “Dy ekspertët nga Tirana dhe ai nga Lezha kanë pasur, veç të tjerash, konflikt interesi pasi paguhen nga Policia. Kjo është në papajtueshmëri, pasi Policia dhe Ministria e Transporteve mund të ishin dikastere me përgjegjësi për aksidentin nëse rruga nuk i përmbush kriteret, por edhe nëse sinjalistika ka munguar”, thanë disa nga ekspertët privatë që kanë refuzuar angazhimin në hetimet për aksidentin e Himarës. Sipas tyre, specialistët që paguhen nga Policia nuk mund të dilnin në konkluzione objektive në lidhje me ngjarjen për sa kohë paguhen nga dikasteret që duheshin hetuar. Për specialistët privatë, gjendja teknike e mjetit dhe karakteristikat e rrugës janë shkaqet kryesore të ngjarjes.

Berisha, lule në “Qafën e Vishës”
Kryeministri Sali Berisha, në kuadër të një vizite që zhvilloi dje në Jug të vendit, u ndal në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik i 21 majit, në Qafën e Vishës, në afërsi të Himarës, duke vendosur buqeta me lule në nderim të 13 viktimave. Kryeministri pa nga afër vendin ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa u përul me respekt e nderim për viktimat në moshë të re të aksidentit fatal. Ai ishte i shoqëruar nga drejtues lokalë të Bashkisë së Himarës.

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura