
Gjyqi i Metës, ish-deputeti i PS, Ymer Tola, dëshmon për koncesionin.
Gjykata e Lartë i dha fund dje pyetjes së dëshmitarëve në procesin gjyqësor në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Mes pesë dëshmitarëve të djeshëm ishte edhe Ymer Tola, ish-deputeti i PS, funksioni i të cilit u bë shkas që në vitin 2007, shoqëria ku ishin aksionerë familjarë të tij të skualifikohej si fituese e koncesionit për HEC-in e Shushicës. Dëshmitari Tola konfirmoi para gjykatës se shoqëria aksionere “Vëllezërit Tola”, ku ai ishte përfaqësues, kishte shpenzuar të paktën 700 mijë euro për përgatitjet për koncesionin. Shifra në fjalë u përmend edhe nga vëllai i tij, dëshmitari Skënder Tola, ish-administrator i shoqërisë. Dëshmitari Emin Toçi, administratori i një shoqërie pjesëtare në bashkimin e përkohshëm, tha se përfitimi i tij do të ishte 10 për qind. Ndërsa dëshmitari Arqile Papuçiu u shpreh se nëse shoqëria e tij me eksperiencë në ndërtimin e hidrocentraleve do të përfitonte 5 për qind.
DËSHMIA E YMER TOLES
Prokuroria: Ç’lidhje kishit ju me bashkimin e përkohshëm të shoqërisë “Vëllezërit Tola” sh.p.k.?
Tola: Unë jo, por familja ime. Djali im dhe nëna ime ishin aksionerë.
Prokurori: A keni marrë pjesë në një koncesion të organizuar nga METE për ndërtimin e një HEC-i mbi lumin Shushicë?
Tola: Po, kam marrë pjesë. Kur janë hapur dokumentet ka rezultuar fituese. Kur pritej të shpallej fituese, komisioni i METE-s e skualifikoi për konflikt interesi, për shkak se djali im dhe nëna ime morën pjesë. Takova vetë ish-drejtuesen e ILDKP-së. Më tha që mund të dilja nga konflikti i interesit, referuar dispozitave ligjore. Komisioni nuk e mori parasysh. Pastaj vazhduam me seancat gjyqësore. Në fund u mor vendim i formës së prerë në Apel. Kur ne prisnim, dëgjuam në TV videon e famshme.
Prokurori: E njeh Agim Rrapon?
Tola: Po, e njoh si ekspert në ekonomi. E kam njohur kohë më parë në Ministrinë e Bujqësisë.
Prokurori: A ishte i angazhuar Rrapaj në ecurinë e koncesionit?
Tola: Po. Kur bëmë aplikimin e dytë e morëm djalin e Agimit administrator. Agimi është paguar për punën që ka bërë nga avokatët tanë.
Prokurori: Si ka qenë ndarja e aksioneve në bashkimin e përkohshëm të shoqërisë?
Tola: “Vëllezërit Tola” 40 për qind, “Anoil” 20 për qind, “Elba” 20 për qind dhe një shoqëri e huaj në tri pjesë.
Prokurori: E njihni Fatmir Merkajn? Është përfshirë ai në përgatitjet për koncesionin?
Tola: E kam njohur. Ai është futur si firmë ndërtuese për fazën ndërtuese. Ai do të merrte pjesë pa kosto.
Prokurori: Keni dijeni se sa ishin shpenzimet e deriatëhershme?
Tola: Në analizën e fund-marsit është diskutuar për rreth 700 mijë euro. Ishte një periudhë e konsiderueshme. Janë 50 muaj, sikur vetëm sigurimet shoqërore të llogariten, shkon tek 100 mijë euro.
Prokurori: A i jeni drejtuar METE-s me një memo?
Tola: Po. Administratori me këshilltarin ekonomik kanë vënë në dijeni për shpenzimet.
Prokurori: A është drejtuar me memo APP-së?
Tola: S’e mbaj mend.
Avokati: Si është vënë në dijeni Meta për koncesionin?
Tola: Kishim tre muaj që kishim çuar vendimin e gjykatës, por nuk kishim marrë përgjigje. Agimi tha që “do ta gjej një mundësi t’i them zv.kryeministrit, pasi ministri nuk po më përgjigjet”.
Gjykata: Ju, ç’pozicion kishit në bashkimin e përkohshëm “Vëllezërit Tola”?
Tola: Unë isha përfaqësuesi i tyre në disa raste, pasi ata jetonin në Elbasan.
Gjykata shtyn marrjen e provave të Akuzës
Prokuroria, debat me avokatët për orën përgjuese të Dritan Priftit
TIRANE – Vetëm pak minuta pasi përfundoi pyetjen e dëshmitarëve në procesin në ngarkim të të pandehurit Ilir Meta, Gjykata e Lartë nisi dje administrimin e provave shkresore. Paraqitja e provave të kërkuara nga Akuza u shoqërua me kundërshti dhe debate mes palëve. Në seancën e radhës pritet që provat materiale, lap-topi i ish-ministrit Prifti,

ora-kamera, apo usb-ja të paraqiten fizikisht në proces. Teksa debatohej për administrimin apo jo si provë të orës-kamera, kryesuesi i seancës i tha prokurorit se Kolegji duhet t’i shihte këto prova. “Ne i kemi në kasafortën e ruajtjes së provave materiale në Prokurorinë e Përgjithshme. Nëse duhen, kërkojmë shtyrjen e seancës dhe t’i sjellim”, u përgjigj prokurori. Në vijim, kryesuesi i Kolegjit Penal, gjyqtari Ardian Dvorani, u shpreh se “provat materiale duhet të paraqiten në seancën tjetër”. Më herët, palët u përfshinë në debat për orën-kamera me të cilën është bërë regjistrimi Meta-Prifti. Përfaqësuesi i Akuzës u shpreh se kamera-orë nuk e përmban videon, por se ajo shërben si provë. Në anën tjetër, avokatët e të pandehurit Meta kundërshtuan me argumentin se “prokuroria nuk pranoi që ora t’i nënshtrohej ekspertimit. Këtu akuza pretendoi se nuk ka video brenda. Nuk ka asgjë që e lidh atë”. Mes debatesh prokuroria kërkoi të administrohet si provë laptopi, usb-ja, ora video-regjistruese, si edhe një DVD e emisionit “Top Story” e datës 13 janar në Top Channel, ku shfaqet i plotë videoregjistrimi Meta-Prifti. Gjykata nuk u shpreh dje për asnjërën nga kërkesat, vendim që do të jepet në seancat e ardhshme.
Dëshmia e përfaqësuesit të kompanive
Dedja: Koncesioni u anulua nga METE-AP
TIRANE – Dëshmitari Andi Dedja ishte zgjedhur si njeri besnik për të përfaqësuar tri kompanitë hungareze, aksionere në bashkimin e përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k. Ai tha se i përfaqësonte kompanitë vetëm për të minimizuar shpenzimet e administratorëve hungarezë, por jo se kryente vendimmarrje.
DESHMIA
Prokurori: Çfarë keni bërë në vitin 2008?
Dedja: Kam qenë përfaqësues i tri kompanive hungareze.
Prokurori: Si u përfshitë?
Dedja: Personat në fjalë janë miq të familjes. Për efektin e një firmë që mund të nevojitej, ata më lanë një prokurë që mund të firmosja unë.
Prokurori: A e njihni Agim Rrapajn?
Dedja: Nga bashkimi i kompanive, ai i ka drejtuar. Ai i ka bërë mbledhjet. Sipërmarrja ka nisur në 2007-n. Unë jam bërë pjesë e saj në 2010-n.
Prokurori: Po Rrapaj ka ndikuar në pjesëmarrjen tuaj?
Dedja: Po, ka ndikuar për pjesëmarrjen.
Prokurori: Ç’dini për garën koncesionare të HEC-it në lumin Shushicë?
Dedja: Di që është bërë konkursi i parë në vitin 2007. “Vëllezërit Tola” ishte shpallur fitues. Më pas u pezullua për konflikt interesi. Gara vijoi prapë, u shpall fituesi. Informacioni im për këtë nuk është 100 për qind i saktë. U pezullua sërish nga AP. U bë ankim në Gjykatën e Apelit.
Prokurori: Mbi ç’lumë do të ndërtohej?
Dedja: S’e mbaj mend.
Prokurori: Firmat?
Dedja: Ishin tre: “G…”, “Akuaplan” dhe “Ekstrem”.
Prokurori: Sa aksione kishin përkatësisht.
Dedja: Kishin nga 6.66 për qind secila, 20 për qind në total.
Prokurori: A e dini sa kanë investuar kompanitë hungareze?
Dedja: Jo.
Prokurori: Po ju a ishit përfaqësues?
Dedja: Pozicioni im ishte për të minimizuar kostot. Punët e tjera nuk m’i kanë lënë mua në dorë.
(Prokurori kërkon kundërshti të pjesshme): Pyetjes “a kanë shpenzuar për projektin?” dëshmitari, në deklarimet në prokurori, ka thënë që “këto tri kompani nuk kanë shpenzuar asnjë lek”.
Dedja, gjykatës: Është mbledhur bordi. Shpenzimet janë bërë me borxh nga banka, por se sa, unë nuk e di.
Avokatët: Sa shpenzime janë bërë nga bashkimi i kompanive?
Dedja: Nuk e di.
Avokatët: Kërkojmë të mos përdoret dëshmia. Ai nuk tregoi burimin, por gjatë gjithë kohës iu referua me “kam dëgjuar”, “me sa më kishin thënë”.
(Gjykata pranon kërkesën e prokurorisë dhe rrëzon kërkesën e avokatëve).
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











