“21 janari” rikthen debatin mes PD e PS në Parlament

Nov 22, 2011 | 9:53

Replikat në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Nishani: Ishte ngjarje kriminale e antiligjore, Gjoni: Ishte krim politik, çoni Gardën në Prokurori

I pranishëm për të detajuar buxhetin e vitit 2012 për Ministrinë e Brendshme, Nishani u gjend para akuzave të opozitës për keqtrajtime të të ndaluarve të ngjarjes së ndodhur janarin e shkuar, ku humbën jetën 4 qytetarë. Ministri i Brendshëm e cilësoi ngjarje kriminale dhe antiligjore 21 janarin dhe kërkoi që Prokuroria të vazhdojë hetimin për të nxjerrë përgjegjësitë e saj. “Jam i bindur se çdo qytetar i Shqipërisë dhe çdo qytetar që pa përmes ekranit atë ngjarje, është i bindur se ajo ishte një ngjarje kriminale dhe antiligjore. Prokuroria duhet të gjejë dhe të dënojë organizatorët dhe zbatuesit e ngjarjes kriminale. Ky është qëndrimi ynë dhe ky ka qenë qëndrimi shumë i rëndësishëm i mjaft institucioneve ndërkombëtare, dhe ky është interesi i qytetarëve shqiptarë që qetësia dhe siguria e tyre e imazhi i sigurisë të mos cenohet në atë mënyrë”, u shpreh ministri i Brendshëm. Por ky përcaktim i ministrit duket se ndezi debatin brenda këtij komisioni nga deputetët e opozitës, të cilët i kërkuan anëtarit të qeverisë të ndihmojë Prokurorinë të bëjë detyrën e saj dhe të mos pengohet në këtë hetim. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni, i kërkoi ministrit ta konsiderojë turp të qeverisë dhe krim politik ngjarjen e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë. “Është mirë që ju si maxhorancë dhe si qeveri të çoni para Drejtësisë edhe ata punonjës të Gardës së Republikës që sfiduan Prokurorinë, duke bërë një superskandal shtetëror në shkelje të hapur kushtetuese dhe të mos e përmendni më 21 janarin si një dekoratë të madhe të maxhorancës. 21 janari është turp, është krim politik i bërë në dritë të diellit në sy të gjithë shqiptarëve dhe të të gjithë ndërkombëtarëve”, u shpreh Gjoni.
Sipas deputetit socialist, “lideri i opozitës, zoti Edi Rama, ka vlerësuar thirrjen tuaj dhe është shprehur i gatshëm që të gjithë përfaqësuesit e opozitës, të cilët duhet t’i drejtoheshin, i janë drejtuar institucioneve të Drejtësisë sa herë u është kërkuar për ngjarjen e 21 janarit”. Sipas ministrit të Brendshëm, çdo person që shkel ligjin apo kryen një krim do të marrë ndëshkimin që meriton. “Ajo që unë dua të them, sepse nuk dua të hyj në detaje, sepse të gjitha palët e përfshira janë pjesë e një hetimi nga Prokuroria shqiptare, dhe deri sa të kemi rezultatet e Prokurorisë ne do të rezervohemi në komentet tona, por po ju them se çdo person që thyen ligjin, cenon rendin dhe sigurinë publike do të marrë një reagim më të rreptë të ligjit. Nga ana tjetër, çdo person që kryen një vepër penale, një krim, do t’i garantohen të gjitha të drejtat, qoftë në shoqërim, ashtu dhe në trajtim”, u shpreh Nishani.

Debati për tragjedinë e 21 janarit
Asllan Dogjani:
Ka shqetësime nga qytetarët dhe më konkretisht, nga disa persona që u shoqëruan pas ngjarjes së 21 janarit në komisariate, ku u mbajtën disa ditë. Një nga ankesat e tyre ishte se nuk u trajtuan me ushqime. Dua të di a parashikohet ushqim në Drejtorinë e Policive për këta persona të ndaluar para se të shkojnë në dhomat e paraburgimit?
Bujar Nishani: Ajo që unë dua të them, sepse nuk dua të hyj në detaje, sepse të gjitha palët e përfshira janë pjesë e një hetimi nga Prokuroria shqiptare, dhe deri sa të kemi rezultatet e Prokurorisë ne do të rezervohemi në komentet tona, por po ju them se çdo person që thyen ligjin, cenon rendin dhe sigurinë publike, do të marrë një reagim më të rreptë të ligjit. Nga ana tjetër, çdo person që kryen një vepër penale, një krim, do t’i garantohen të gjitha të drejtat, qoftë në shoqërim, ashtu dhe në trajtim. Për sa i takon dhomave të shoqërimit në komisariate të Policisë së Shtetit ka vend për përmirësim të kushteve, por duhet të bëjmë dallimin mes dhomave të shoqërimit në komisariate dhe dhomave të paraburgimit, që janë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Në dhomat e shoqërimit bëhet vetëm intervistimi, marrja e të dhënave të para apo shoqërimi në komisariate dhe nëse vendoset ndalimi i tyre, kalon në ambientet e paraburgimit.
Ilir Gjoni: Zoti ministër, ju keni bërë një thirrje të hapur në një seancë të mëparshme me ju në këtë komision, që të jemi të hapur me hetimin e 21 janarit. Lideri i opozitës, zoti Edi Rama, ka vlerësuar thirrjen tuaj dhe është shprehur i gatshëm që të gjithë përfaqësuesit e opozitës, të cilët duhet t’i drejtoheshin, i janë drejtuar institucioneve të Drejtësisë sa herë u është kërkuar për ngjarjen e 21 janarit. Është mirë që ju si maxhorancë dhe si qeveri të çoni para Drejtësisë edhe ata punonjës të Gardës së Republikës që sfiduan Prokurorinë, duke bërë një superskandal shtetëror në shkelje të hapur kushtetuese dhe të mos e përmendni më 21 janarin si një dekoratë të madhe të maxhorancës. 21 janari është turp, është krim politik i bërë në dritë të diellit, në sy të gjithë shqiptarëve dhe të të gjithë ndërkombëtarëve.
Bujar Nishani: Nuk dua të bëj komente politike, apo emocionale dhe do të bëj komente ligjore. Jam i bindur se çdo qytetar i Shqipërisë dhe çdo qytetar që pa përmes ekranit atë ngjarje, është i bindur se ajo ishte një ngjarje kriminale dhe antiligjore. Prokuroria duhet të gjejë dhe të dënojë organizatorët dhe zbatuesit e ngjarjes kriminale. Ky është qëndrimi ynë dhe ky ka qenë qëndrimi shumë i rëndësishëm i mjaft institucioneve ndërkombëtare, dhe ky është interesi i qytetarëve shqiptarë, që qetësia dhe siguria e tyre dhe imazhi i sigurisë të mos cenohet në atë mënyrë.
Asllan Dogjani: Problemin e 21 janarit unë e ngrita në një këndvështrim tjetër për të cilin u nisa nga ankesat e shumë personave të arrestuar dhe dhunuar, e të mbajtur shumë ditë në komisariate. Por duke u nisur nga fjala e ministrit, unë do ta quaja kriminale vrasjen e këtyre personave në bulevard, me duar në xhepa dhe do të kërkoja vënien para Drejtësisë të personave që i kryen këto persona.
Gazmir Bizhga: Nuk e prisja që ngjarja e 21 janarit të diskutohej sot këtu. Por unë mendoj se ngjarja e 21 janarit ndan dy botë, ku qytetarë që dalin dhe protestojnë përpara selisë së qeverisë së tyre vriten në rrugë. Ky është krimi i cili ende deri më sot nuk është zbuluar dhe nuk janë 1, por janë 4 vrasje, dhe nuk është një i plagosur, pro dhjetëra të plagosur. Me këtë nivel profesional që demonstruan ata që duhet të ishin në cilësinë e detyrës për të mos u kryer këto krime, unë kam frikë se dhe në raste të tjera që do të vijnë, rreziku për t’u përsëritur është shumë i lartë.
Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura