Tabulatet e rreth 17 personave pjesëmarrës në demonstratën e 21 janarit në Tiranë do të kontrollohen nga Prokuroria, e cila kërkon të verifikojë nëse demonstruesit “e dhunshëm” kanë marrë urdhra nga deputetë apo zyrtarë të PS-së.Burime zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit thanë dje se tabulatet telefonike të një numri prej 17 personash, pjesëmarrës në demonstratën e 21 janarit, do të verifikohen me imtësi. Emrat dhe numri i demonstruesve të cilëve do t’u hetohen listat e telefonatave janë përcaktuar mbi bazën e hetimeve dhe shqyrtimit të provave filmime. Protestuesit që do t’u hetohen telefonatat janë pikërisht personat që goditën efektivat e policisë duke plagosur gjashtë prej tyre, si dhe ata që morën pjesë në djegien e automjeteve dhe sulmet me sendet të forta ndaj Kryeministrisë. Pas identifikimit të këtyre personave, disa prej të cilëve janë arrestuar dhe më pas janë lënë të lirë nga gjykata pas ngjarjeve të 21 janarit, Prokuroria ka identifikuar numrat e tyre të telefonit. Pas ndërmarrjes së këtij hapi, organi i akuzës ka kërkuar informacion për telefonatat hyrëse dhe dalëse që këta persona kanë kryer dy javë para 21 janarit. Burimet nga organi i akuzës thanë se me këtë verifikim duan të shohin nëse këta persona “të dhunshëm” kanë qenë në kontakt apo kanë marrë udhëzime nga deputetë apo zyrtarë të Partisë Socialiste para demonstratës së 21 janarit. Deputetët Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj, si dhe kryetari i PS për Tiranën, Pjerin Ndreu, janë marrë në pyetje në Prokurori disa javë pas 21 janarit, në lidhje me organizimin e demonstratës. Pjerin Ndreu dhe Tom Doshi janë paraqitur nga regjistrimet në televizione në radhën e parë të demonstruesve. Po kështu, ata janë akuzuar për organizimin e akteve të dhunës në një padi që Policia e Shtetit bëri ndaj drejtuesve të PS-së më 23 janar, dy ditë pas demonstratës. Nisur nga ky fakt, Prokuroria thirri për të dhënë deklarimet deputetët e PS-së që fajësuan policinë për provokim të turmës dhe më pas për kryerjen e akteve të dhunës. Por, pas këtyre deklarimeve, organi i akuzës duket se ka vendosur të verifikojë nëse ndonjëri nga deputetët e Partisë Socialiste ka pasur komunikime me demonstruesit “e dhunshëm” disa ditë para ngjarjeve të 21 janarit. Si pasojë e akteve të dhunës në bulevard u plagosën rëndë 6 policë e gardistë, ndërsa morën lëndime të lehta më tepër se 56 efektiva të rendit. Pasojat më të rënda ishin në anën e demonstruesve, katër nga të cilët u vranë, ndërsa shtatë të tjerë u plagosën. Dëmet materiale ishin kryesisht në shkatërrimin e një pjese të rrethimit të Kryeministrisë dhe dëmtimin e plotë të 22 automjeteve të parkuara në këtë zonë.
Imuniteti, hetim indirekt deputetëve të PS
Tiranë – Në cilësinë e organizatorëve dhe personave që janë përkujdesur për ecurinë e demonstratës së 21 janarit, në rast dyshimesh për organizimin e akteve të dhunës, të parët që do të hetoheshin ishin deputetët e PS. Por, duke qenë se hetimi i tabulateve të tyre nuk mund të bëhet pa autorizim dhe pa heqje imuniteti nga Kuvendi i Shqipërisë, Prokuroria ka gjetur një mënyrë indirekte për ta bërë këtë. Kështu, pasi janë skeduar 17 personat e akteve të dhunës në afërsi të Kryeministrisë, hetuesit kanë dokumentuar numrat e telefonit që këta persona kanë pasur në përdorim para dhe gjatë demonstratës së 21 janarit. Për të gjithë këta numra telefoni Prokuroria do të verifikojë thirrjet hyrëse dhe dalëse. Nëse gjenden telefonata me deputetët e PS, Prokuroria do të verifikojë kohëzgjatjen, datën dhe orën e bisedës, e më pas do të marrë në pyetje protagonistët e këtyre komunikimeve për të sqaruar nëse kanë pasur të bëjnë me demonstratën e 21 janarit dhe aktet e dhunës që e shoqëruan atë.
Katër viktima, vetëm një vrasje e dokumentuar
TIRANE – Pesë muaj pas ngjarjes së ndodhur pranë Kryeministrisë në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër persona, Prokuroria shqiptare ka arritur të dokumentojë autorësinë e vrasjes vetëm për njërin prej viktimave. Me ekspertizë shkencore të pakundërshtueshme është provuar se arma që ka vrarë demonstruesin Ziver Veizi ka qenë e oficerit të Gardës, Agim Llupo. Ekzaminimi i predhës së gjetur në trupin e viktimës tregoi se plumbi kishte pësuar rikoshetë dhe pasi ka ndërruar drejtimin e parë, ka goditur viktimën. Për këtë shkak, oficeri i Gardës u arrestua me akuzën e vrasjes. Ndërkohë, për tri viktimat tjera, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, nuk është arritur të provohet asgjë për vrasjen e tyre. Kjo pasi Hekuran Deda nuk ka pasur predha në trup. Plumbi që e goditi atë ka qenë tejshpues, pra ka hyrë e ka dalë nga organizmi dhe më pas ka humbur pa u gjetur për t’u dërguar në ekspertizë. Po kështu, predha e gjetur në trupin e Faik Myrtajt nuk përputhet me armët e Gardës, ndërsa që në rastin e Aleks Nikës, çështja është më e komplikuar. I riu nga Lezha, që u plagos më 21 janar, u dërgua në gjendje koma në Turqi për mjekime, ku vdiq. Pas vdekjes së tij në spital, proceduralisht autoritetet turke kanë bllokuar predhën.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











