
Dëshmitari i parë i Prokurorisë për çështjen e 21 janarit dha shpjegime dje në Gjykatën e Tiranës. Trupi gjykues dhe palët në proces dëgjuan dje dëshminë e parë në procesin gjyqësor kundër gardistëve të akuzuar për vrasjet e demonstruesve më 21 janar 2011 pranë godinës së Kryeministrisë. Artes Dybeli, i thirrur nga Prokuroria në proces, dëshmoi se si ishte qëlluar me dy plumba në trup teksa ishte mes njerëzve të demonstratës. Në momentin e plagosjes ai kishte qenë përballë portës së Kryeministrisë, në rrugën mes godinës së Kuvendit dhe Kullave Binjake. Dëshmitari tha se, sipas tij, plumbat kishin ardhur nga brenda rrethimit të Kryeministrisë. Dybeli u shpreh para trupit gjykues se në spital ishte dërguar me një automjet të Policisë Bashkiake. Ai mohoi të kishte parë ditën e ngjarjes ndonjë nga të pandehurit Ndrea Prendi, Agim Llupo apo Margarit Kume.
DESHMIA

Prokurori: Rezulton se ju jeni plagosur më 21 janar 2011. Na tregoni për rrethanat: ku ishit, si u plagosët dhe gjithë ç’ndodhi atë ditë?
Dybeli: Rreth orës 15:30 lashë punën nga një kompani private ku punoj. Në orën 16:00 isha te turma pranë Kryeministrisë. Do të takoja disa shokë për të pirë një kafe. Takova një nga shokët përballë Piramidës. Do prisnim edhe një shok tjetër. Pastaj lëvizëm që aty dhe shkuam te rrugica ndërmjet Kullave Binjake dhe godinës së Kuvendit. Në momentin që një automjet “Benz” tentoi të futej në Kryeministri, unë jam qëlluar nga dy plumba. Nuk e kuptova me çfarë u qëllova. Ne po dëgjonim krisma, por kujtonim se ishin plumba manovër. Aty ndjeva që po humbja ndjenjat. I thirra shokut tim që kisha pak metra më tutje, por s’kisha fuqi të thërrisja. Aty më morën disa persona të panjohur, që ishin pjesë e demonstratës. Më ngritën në krah dhe me një makinë të Policisë Bashkiake më çuan në Spitalin Ushtarak. Më herët unë pashë që po qëllohej me gurë nga të dyja palët, si nga ana e protestuesve, ashtu edhe nga ana e policisë.
Prokurori: Shpjegoni edhe njëherë itinerarin tuaj të lëvizjes gjatë demonstratës.
Dybeli: Në momentin që takova shokun tim, që quhet Erald Karaj, isha te trotuari i Piramidës. Pozicioni i fundit ishte rrugica ku ndahet godina e Kuvendit nga dy Kullat Binjake.
Prokurori: Kishin sende në duar?
Dybeli: Unë kisha vetëm një çadër me vete, pasi ishte ditë shiu.
Prokurori: Kur nisën qitjet me armë?
Dybeli: Kur unë takova shokun tim, krismat kishin filluar. Gjendja po acarohej akoma më shumë. Ndonëse mendonim se ishin plumba manovër, ne u tërhoqëm. Nuk di nëse po gjuhej në ajër, apo drejt njerëzve.
Prokurori: Saktëso edhe njëherë vendin, referuar portës së Kryeministrisë?
Dybeli: Unë kam qenë përballë portës së Kryeministrisë.
Prokurori: Ku i keni marrë plumbat?
Dybeli: Një plumb e kam marrë në pjesën e djathtë të qafës. Plagë tejshpuese. Ndërsa tjetrin e kam marrë në shpatull.
Prokurori: Nga personat që kishit në krah, kishte ndonjë person që po kryente veprime?
Dybeli: Ne vetëm po shikonim ç’po ndodhte.
Prokurori: Në ç’pozicion ishit kur u qëlluat?
Dybeli: Kam qenë në këmbë.
Prokurori: Keni parë nga është qëlluar?
Dybeli: Nga vendi që unë po shikoja, nuk shikoja dot kush gjuante.
Prokurori: Po personat vërdallë, ishin të shpërndarë, apo grup?
Dybeli: Ishin të shpërndarë në rrugë.
Prokurori: Ju ka ndihmuar njeri për kurimin apo të tjera?
Dybeli: Jo.
Av. Gjokutaj: Ku u vutë në dijeni për protestën?
Dybeli: E mora vesh nga televizori. Unë isha në punë. Nuk shkova për demonstratë. Shkova për të parë.
Av. Gjokutaj: Sa kohë ndenjët?
Dybeli: Rreth 15 minuta pasi unë shkova aty.
Av. Gjokutaj: Sa larg Benz-it ishit?
Dybeli: Rreth 40-50 metra.
Av. Gjokutaj: Keni konstatuar që ky mjet të jetë goditur?
Dybeli: Nuk e di. Unë jam qëlluar 4-5 sekonda pasi ai u fut.
Av. Gjokutaj: Më parë ç’konstatuat te dera?
Dybeli: Nuk kisha pamje të qartë. Kam parë policë që qëllonin me gurë mbi demonstruesit dhe demonstrues që qëllonin me gurë mbi policinë.
Av. Gjokutaj: The që plumbat ishin manovre. I njihje vetë apo…?
Dybeli: Dëgjova të tjerët. Nuk kam njohuri për armët.
Av. Gjokutaj: Nga ju erdhi plumbi?
Dybeli: Nga pozicioni ku isha, ka ardhur nga brenda Kryeministrisë.
Av. Gjokutaj: Në ç’orë ka goditur Benz-i?
Dybeli: Rreth orës 16:15-16:20.
Gjykata: Ke parë atë ditë ndonjë nga të pandehurit?
Dybeli: Jo, nuk kam parë.
Prendi
Në seancën e parë të procesit në ngarkim të tre të akuzuarve për dosjen e 21 janarit, ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, është shprehur se nuk e pranon akuzën e ngritur ndaj tij. Ai ka kritikuar Prokurorinë për hetime të mangëta dhe tendencioze, duke pohuar se Garda e Republikës ka zbatuar vetëm ligjin dhe ka kryer veprime për shmangien e tragjedive.Kamerat
Dy ditë më parë, në Gjykatën e Tiranës u shty seanca e parë për ish-shefin e IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj. Ai akuzohet se ka kopjuar dhe më pas ka fshirë nga serveri i Kryeministrisë imazhet e filmuara gjatë ngjarjeve të 21 janarit. Sipas Prokurorisë, disa orë pas ngjarjeve pranë rrethimit të Kryeministrisë, në server janë kryer tri ndërhyrje deri në mesnatë, ku janë kopjuar e fshirë materialet.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











