TIRANË-Ka vijuar edhe sot replika në distancë mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë. Një ditë pas publikimit të inspektimit nga ana e Drejtësisë për dosjen “Konstandin Xhuvani” dhe reagimit të prokurorisë për ndërhyrje të rëndë, përgjigjet sërish ministria e Drejtësisë. Përmes një deklarate për mediat bëhet me dije se gjithçka është bërë në përputhje me të drejtën që i jep Kushtetuta.
“Dje Ministria e Drejtësisë në ushtrim të detyrimit ligjor të parashikuar nga neni 56 i ligjit 8737 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, i ndryshuar, informoi Presidentin e Republikes dhe Prokurorinë e Përgjithshme mbi rezultatin e inspektimit te prokurorisë në cështjen penale nr. 587 dt 13.02.2011. Ministria e Drejtesisë, ka shprehur ditën e djeshme shqetësimin në lidhje politikën penale të dënimit me 2 vjet burgim në rastin e marrjes se jetës së një qytetari me armë zjarri, duke u bashkuar me opinionin publik se kjo politikë penale është e papranueshme dhe bie ndesh me kërkesat e një shteti ku sundon ligji dhe drejtësia”- thuhet në reagim.
Sipas tij, Ministria në shkresat drejtuar institucioneve e ka bërë te qartë, se kompetencat kushtetuese të tyre, në gjendjen në të cilën ndodhet cështja, ku prokurori nuk e ka ankimuar vendimin e shkallës se parë, nuk e ndryshojne dot fatin e politikës penale të ndjekur, por ngrinte nje shqetesim publik për rastin e mësipërm duke kërkuar përballjen e prokurorëve me ligjin, si shenjë përgjegjshmërie.
“Lidhur me “hallin” e Prokurorisë së Përgjithshme për legjitimitetin e inspektimit të kryer i bëjmë me dije opinionit publik se: Inspektimi i Ministrisë së Drejtësisë është kryer në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe ligjin Nr.8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar. Eshte e drejte por dhe detyrë e Ministrisë së Drejtësisë që në bazë të nenit 56 pika 2 gërma “e” e ligjit Nr.8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar. ” të inspektojë ecurinë e politikës penale dhe politikës së dënimit të ndjekur nga Prokuroria”- theksohet në reagim.
Në fund, Ministria e Drejtësisë shpreh bindjen se Prokurori i Përgjithshëm do të ushtrojë të gjitha kompetencat ligjore dhe kushtetuese, pasi të lexoje me vemendje 30 faqet e Raportit të inspektimit.
© Panorama.al











