TIRANË- “Ndalim i menjëhershëm i daljes së paligjshme jashtë vendit të kapitaleve shqiptare dhe zbatim i rreptë i ligjeve në fuqi nga qeveria, Banka e Shqipërisë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror”.
Me këtë kërkesë ka dalë sot Konfederata e Industrive të Shqipërisë (Konfindustria), duke iu referuar krizës greke dhe mundësisë së përhapjes së saj edhe në vende të tjera. Gjatë një konference për shtyp, kreu I saj, Gjergj Buxhuku ka kërkuar nga qeveria si masë të parë ndalimin e daljes së paligjshme të parave jashtë vendit.
“Konfindustria, duke marre shkak nga njoftimet e fundit të institucioneve ndërkombëtare dhe qeverisë greke për vazhdimin e gjendjes tepër të vështirë ekonomiko-financiare të vendit fqinj për vitin 2011, si dhe duke vlerësuar përballjen e ekonomisë së Shqipërisë me pasojat e saj, i kërkon institucioneve shtetërore, që si hap të parë të ndalin sa më shpejt dhe me ҫdo kusht daljen e paligjshme jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare”, tha Buxhuku.
Duke vlerësuar domosdoshmërinë e aplikimit të shpejtë të faljes fiskale, që do të sillte dhe shtimin e parave që do të hynin në vend, ai kërkoi zbatimin e ligjeve në fuqi.
“Duhen ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për bërjen të mundur të shtimit të të hyrave financiare nga jashtë në ekonominë kombëtare, ku përmendim para së gjithash zbatimin në kohë të shpejtë të Faljes Fiskale në fuqi për qytetarët shqiptare me banim brenda dhe jashtë vendit përfshi edhe Greqinë”, tha ai.
Sipas Buxhukut, nëse qeveria merr këto masa, ekonomia shqiptare nuk preket nga kriza, por edhe mund “të përfitojë ndjeshëm, në kohë afatgjatë nga kriza e vendit fqinj, në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptare”.
© Panorama.al











