Gërdeci,Sekui:Drejtësi e vonuar,drejtësi e mohuar

Jan 13, 2012 | 11:17
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui

TIRANË- Ambasadori i BE-së, në vendin tonë, Etore Sekui ka kërkuar më shumë besim në dialogun e klasës politike shqiptare, duke rikujtuar se pikërisht dialogu është një nga kushtet e integrimit në familjen evropiane.

Në përurimin e rrugës “Bashkimi Evropian” dhe shkollës së re në fshatin Marqinet, Sekui ka sjellë në kujtesë tragjedinë e Gërdecit. Ai ka theksuar se është domosdoshmëri që drejtësia të thotë fjalën e saj, duke kërkuar shmangien e zvarritjes së procesit gjyqësor.

“Në vitin 2008 u shokuam nga shpërthimi në Gërdec. Ngjarja foli qartë për situatën ku punohej por edhe për drejtësinë. BE kërkoi të shmanget zvarritja e procesit gjyqësor. Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar” tha ai.

Sipas tij, BE do të japë mbështetje financiare për zonën e Gërdecit në ndërtimin e rrugëve dhe shkollave.

© Panorama.al

Te lidhura