TIRANË- Kërcim kuantik të paparë në 15 vite të marra së bashku e ka quajtur kreu i qeverisë, Sali Berisha, zhvillimin dhe ngritjen e biznesit, gjatë 4 viteve, faktuar nga Cencusi. Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha ka deklaruar se të dhenat e Cenusit të fundit faktojnë se në vitet 2005-2009 morën jetë biznese sa në 15 vite të marra së bashku.
“Kemi një lëvizje kuantike, kërcim kuantik në 4 vite. Vitet e këtij mandati janë dhe shumë më të rëndësishme të dhënat. Modeli ynë ekonomik i bazuar në taksat e ulëta, në qeverinë e vogël, klimën miqësore ndaj biznesit dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit bëri që bizneset që janë dhe krijesa të kenë një terren disa herë më të favorshëm se më parë”- tha Berisha.
Sipas tij, nuk ka asnjë vend që për kaq kohë të ketë themeluar biznese të suksesshme, aktive më shumë se në 15 vite të marra së bashku.
“Ka vetëm një arsye. Reformat e kësaj qeverie dhe iniciativën e lirë të shqiptarëve që e kishin edhe para 2005, por u shuhej në kalendat e korrupsionit”- deklaroi ai.
© Panorama.al











