Rama: Trojka foli, ftoj qytetarët në homazhe

Jan 18, 2012 | 20:16
Dje gjatë homazheve për viktimet e 21 janarit

TIRANE- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka falënderuar treshen e ambasadorëve për deklaratën e sotme, nëpërmjet të cilës kërkuan procedurë të besueshme hetimore për 21 janarin dhe zbardhjen e së vërtetës në emër të drejtësisë.

Nëpërmjet një deklarate, kreu i opozitës shprehet se trojka foli qartë për drejtësinë e munguar lidhur me vrasjet e 21 janarit, ndërsa fton të gjithë qytetarët shqiptarë që të marrin pjesë në homazhet për viktimat në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Rama i bën apel opinionit publik që të dëgjojë edhe dëshminë e vëllait të Hekuran Dedës, të transmetuar në për emisionin “Xhungël” në televizionin NEWS24.

Vëllai i Hekuran Dedës ka rrëfyer për emisionin “Xhungël” një takim që sipas tij ai ka pasur me atë që e cilëson si të dërguarin e kryeministrit, Sali Berisha, tri ditë pas vrasjeve. Ky person ka kërkuar nga familja Deda që ata të pranonin Berishën për një kafe ngushëllimi në shtëpi, në këmbim që ai t’i tregonte se kush ishte vrasësi duke i premtuar njëherësh edhe ndihmë ekonomike.”- shkruan Rama në deklaratën e tij.

Rama ka bërë thirrje për ndërgjegjësim, sepse tani varet fati i vendit, ndërsa ka shtuar se ka besim se populli do të dijë të reagojë me votë.

Kreu socialist thekson në deklaratën e tij se, çdo ditë po kemi  prova të një regjimi që po shkon drejt asgjësimit të lirisë, dhe rrëshqitjes drejt një realiteti pa shtet.

Deklarata e Ramës vjen pak orë pas deklaratës së ambasadorit të SHBA-së, në vendin tonë, atij të BE-së dhe OSBE-së, dhe vetëm dy ditë para homazheve për viktima e demonstratës së 21 janarit.

© Panorama.al

Te lidhura