Zbulohet letra e panjohur nga burgu e Todi Lubonjës në ‘76: Po na përpijnë jetën çdo minutë

May 19, 2014 | 9:45
SHPËRNDAJE

Todi Lubonja / Faksimile e letres
“Panorama” ne nje speciale ne numrin e saj te sotem boton letren e panjohur te Todi Lubonjes, shkruar nga burgu ne vitin 1976.

“Regjim i tmerrshëm”, “përbindësh që përpin jetë çdo minutë”, “Gardianë banditë pa ndjenjë njerëzore”. E dominuar fund e krye nga përcaktime të tilla, letra që Todi Lubonja i adresonte kreut të akuzës komuniste në maj të vitit ’76 nga Burgu i Burrelit është nga ato dëshmi autentike që provon në mënyrë të pakontestueshme represionin çnjerëzor në ferrin e burgjeve të diktaturës.

Më shumë se një revoltë dëshpëruese, apeli i Lubonjës për prokurorin e Përgjithshëm, në thelbin e vet, është një shpërthim proteste jo thjesht për kufizimin e lirisë në kushtet e vuajtjes së dënimit përtej caqeve të ligjeve të kohës, por shumë më tepër se kaq. “Çfarë jam unë, nënvizon autori i letrës, i dënuar me vdekje të ngadalshme, apo me disa vite privim lirie?! Për ta bërë më bindës argumentin, ish-funksionari i regjimit, i dënuar në fillimin e viteve ‘70 për veprimtari armiqësore antiparti, në protestën para ish-kolegut të dikurshëm, rreshton një nga një morinë e masave represive që përjetojnë bashkëvuajtësit orë e çast. Shkaku i revoltës së radhës,  mësohet nga teksti i letrës, është një rregullore e re e shpallur rishtas nga drejtoria e burgut, e cila e ka bërë më të padurueshme përditshmërinë e të dënuarve të Burrelit, duke arritur deri aty, shkruan Lubonja, sa i privon të dënuarit edhe nga rrezet e diellit në dyorëshin e ajrimit. Fakti që letërshkruesi nuk i drejtohet lidershipit politik, pjesë e të cilit ka qenë deri në kohën e dënimit, siç ka ndodhur rëndom me shumë bashkëvuajtës të tjerë, por një institucioni ligjor si ai i Prokurorisë së Përgjithshme, nuk ka të bëjë me statusin e të dënuarit, siç mund të duket në pamje të parë, por me shpërfilljen e autorit ndaj komanduesve politikë, urdhërdhënësve të vërtetë të dënimit të tij. Duke e njohur mirë mekanizmin e këtyre të fundit, Lubonja jo vetëm nuk shpreson në ndjeshmërinë e tyre, por as denjon t’i zërë në gojë emrat e tyre…  
 
Letër
Prokurorit të Përgjithshëm të RPSH
Burrel, 18.5.1976
Detyrohem t’ju shkruaj këtë letër për të protestuar edhe një herë kundër regjimit të tmerrshëm të burgut të Burrelit.
Na mbajnë të mbyllur në shtatë palë dyer e megjithatë dyert e birucave nuk na i lënë hapur (për ketë kemi protestuar edhe vitin e kaluar). Vetëm katër orë brenda 24 orëve mund të lëvizim. Edhe për të shkuar në WC kemi vështirësi (shpesh ndodhin konflikte me rojet). Veçanërisht tani në verë krijohet një gjendje infernale (e tmerrshme).
Vetëm dy orë në ditë kemi të drejtë të marrim ajër të pastër (ajrim në oborrin e burgut, ku veç mureve dhe një copë qiell, s’sheh asgjë). Nuk mjaftojnë këto, por në rregulloren e brendshme që u shpall sot është vënë një pikë ku thuhet se në ajrim nuk lejohet dalja pa këmishë. Vitin e kaluar na ndaluan të dilnim me pantallona të shkurtra. Si rrjedhim na ndaluan të marrim diell në trup, aq i dobishëm dhe i domosdoshëm për shëndetin. Këndej na japin ndihmë mjekësore (injeksione, antibiotikë etj.), andej na heqin të drejtën e hapësirës së diellit, që është një nga elementët bazë për jetën. Çfarë ligjesh shtetërore e njerëzore parashikojnë masa të tilla absurde? Çfarë jam unë, i dënuar me vdekje të ngadalshme, apo me disa vite privim lirie, e që në fund të fundit, shteti duhet të më sigurojë jetën.
“Babai i burgjeve të Shqipërisë”, siç e quan komandanti ynë këtu këtë burg, me këto kushte e regjim është një përbindësh që përpin çdo orë, çdo minutë pjesë të jetës së të burgosurve, është një turp i kohës.
Ju nuk e keni inspektuar ndonjëherë këtë ferr. Njerëzit tuaj si hyjnë ashtu dalin, se s’i pyet kush. Është punë e juaj, por nuk mund të justifikoheni në asnjë mënyrë. E mbi të gjitha duhet të dini se asgjë e mirë s’ka për të dalë nga të tilla masa represive të pashembullta.
E di që s’ke forcë për të shkatërruar nga themelet këtë burg, por ndërhyni: 1)Të mos na ndalohet dielli i vërtetë i jetës për dy orët e ajrimit. Të dalim pa këmishë dhe me pantallona të shkurtra. 2)Të hapen dyer e birucave ditë e natë. 3)Të sigurohet ujë i rrjedhshëm(sepse në pjesën më të madhe të orëve të ditës mungon).
Todi Lubonja

PS. Është ora 22:00 e datës 18. Porsa kisha mbyllur letrën. Në orën 21:30 trokita në derë. I kërkova rojës mundësisht të më hapë derën të shkoj për nevoja personale. (Kisha pa urinuar që në orën 19:20-orar ky që u vendos sot e që parashikon që biruca ku jam unë del për herë të fundit për nevoja, për të dalë pastaj në orën 00:00 e pastaj në orën 03:00). Roja i brendshëm Xhemal, nuk ma hapi derën duke më thënë prit deri në orën 00:00. I rashë prapë derës dhe mbas shumë britmash e përplasjesh të forta, ma hapi. Imagjinoni çfarë tmerri! Unë kam 18 vite që vuaj nga diabeti. Të gjithë e dinë këtë, komanda, rojet etj. Nuk mund të merret dot me mend çfarë situatash krijohen për një kapriço të tillë, për hiç gjë.
A i dini ju këto? Jepni fund këtyre torturave ju, të ngarkuarit me mbrojtjen e ligjeve, ose ndryshe vendosni dhe thoni haptas që këto janë të ligjshme dhe pikë, po i deklaroni botërisht dhe pa frikë.
        Ora 23:00
Todi Lubonja

Relacioni për verifikimin e letrave të Todi Lubonjës e Maqo Çomos
“Verifikuam letrën, autorin e futëm në qeli”
“Këtu s’na lejojnë të dalim as në banjë për nevoja personale”. Ngjarja për të cilën Lubonja tërheq vëmendjen e prokurorit të Përgjithshëm në pjesën fundore të letrës, është një përplasje me njërin nga gardianët e turnit të tretë, që ka refuzuar t’i hapë derën e qelisë për të shkuar në tualet mesnatën e 18 majit 1976. Një rast i përsëritur ky, siç pohon autori u letrës. Për kapriço të tilla, që ato ditë kanë sjellë situata të tensionuara në burg, kanë protestuar edhe bashkëvuajtësit e tjerë Bardhyl Belishova, Maqo Çomo, Dhimitër Kotefa, Ahmet Thaçi e Dilaver Radshi, të cilët i kanë dërguar letra individualisht e kolektivisht Komitetit Qendror, prokurorit të Përgjithshëm dhe kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit. Më në fund fluksi i ankesave ka detyruar një reagim zyrtar që ka sjellë një tjetër produkt paradoksal. Për verifikimin e tyre kanë marrë rrugën nga Tirana në Burrel një grup prokurorësh e zyrtarësh të lartë. Ajo çka rezultuar nga kontrolli i tyre ka mbetur e regjistruar në një dokument sekret, që po e zbardhim më poshtë të plotë. Letërshkruesit, në vend të përgjigjes për kërkesat e tyre në adresë të strukturave të larta të shtetit, çuditërisht kanë marrë urdhrin e izolimit një muaj në qeli(!)

DOKUMENTI
Nga verifikimi që u bëmë letrave të të dënuarve T.Lubonja dhe M. Çomo, data 20.5.1976 rezultoi sa më poshtë:
Në datën 18.5.1976, rreth orës 20:30, i dënuari Todi Lubonja ka trokitur në derë dhe ka kërkuar nga roja i brendshëm që të shkonte në banjë. Roja Xhemal Varangu nuk i ka hapur derën për arsye se para një ore ishte futur brenda nga pushimi i pasdites. Rreth një orë më vonë T.Lubonja së bashku me Bardhyl Belishovën i bien përsëri derës me forcë, duke kërkuar me insistim që të lejohej Todi Lubonja për të shkuar në banjë dhe në të njëjtën kohë Bardhyli ka bërtitur duke u shprehur se ky shtet është shtet bandit se shkel ligjet dhe të tjera shprehje armiqësore. Si pasojë e veprimeve të këtyre të dënuarve është prishur rregulli dhe qetësia e të gjithë të dënuarve të tjerë. Megjithatë, roja e hap derën dhe e shoqëron Todin dhe Bardhylin për në banjë.
Në datën 19.5.1976, roja i brendshme ka vënë në dijeni komandën për ngjarjen e mbrëmjes 18.5.1976. Kjo e fundit, me miratim të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, ka dënuar me nga një muaj në dhomat e izolimit Todi Lubonjën dhe Bardhyl Belishovën. Bardhyl Belishova dhe më pas Todi Lubonja janë mbyllur në dhomat e izolimit, ku Bardhyli për 9 ditë nuk ka pranuar të marrë ushqimet që i dërgoheshin.
Bardhyl Belishova ka pretenduar dhe pretendon se në kohën që është futur në dhomën e izolimit nga roja e brendshme Isuf Kuka dhe oficeri Sazan Tare është qëlluar me grushte dhe me shkelma në brinjë. Për këtë çështje, të nesërmen në datën 20 maj 1976, Bardhyli i ka bërë një letër kryetarit të degës dhe prokurorit në të cilën ka parashtruar ankesat e tij. Në këto letra ka shprehur dhe fjalë të tjera me përmbajtje armiqësore. Prokuroria e rrethit ka verifikuar çështjen dhe në datën 25.5.1976 ka kërkuar nga sektori i hetuesisë që të verifikojë në mënyrë të mëtejshme çështjen dhe të vendosej për masa të mëtejshme.
Në datën 20.5.1976, i dënuari Maqo Çomo dhe të dënuarit e tjerë Dhimitër Kotefa, Todi Lubonja, Ahmet Thaçi, Dilaver Radshi i kanë dërguar letra individualisht e kolektivisht Komitetit Qendror, prokurorit të Përgjithshëm dhe kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në shenjë solidariteti me Bardhyl Belishovën, në të cilën ankohen për rrahje që i është bërë këtij të fundit në kohën kur e kanë çuar në dhomën e izolimit.
Pretendimi i të dënuarit Bardhyl Belishova se është rrahur në kohën që është çuar në dhomën e izolimit nuk është i bazuar. Ky pretendim rrëzohet me thëniet e oficer Sazan Tares, nënoficer Isuf Kuka e Ali Kurti, të cilët kanë qenë prezentë në kohën e mbylljes së tij në dhomën e izolimit dhe shpjegojnë se ay nuk është goditur fare, por vetë ka bërtitur me qëllim që ta dëgjonin të dënuarit e tjerë. Ky pretendim rrëzohet gjithashtu edhe me raportin e mjekut që është marrë në mëngjesin e datës 20.5.1976, i cili sqaron se në vendet ku pretendon se është goditur dhe në pjesë të tjera të trupit i pandehuri nuk ka asnjë dëmtim.
Nga verifikimi i çështjes rezultoi se të dënuarit antiparti kanë ankesa për rregullat e burgut dhe ky mund të jetë shkak i këtyre provokimeve, për të siguruar kushte më të privilegjuara nga të dënuarit e tjerë, t’u lihen vazhdimisht dhomat e hapura për të komunikuar me njëri-tjetrin, gjatë kohës që dalin në ajrim të lejohen të rrinë të zhveshur për të bërë banjë dielli, të kenë ujin hapur vazhdimisht etj.    
Këto i shpreh më së miri armiku Todi Lubonja, i cili në takimin që patëm me të, na tha se letrën që i kishte drejtuar prokurorit të Përgjithshëm ia kishte bërë me qëllim që të merreshin masa për të ndryshuar rregulloren e burgut.
Nga përmbajtja e letrës që i ka drejtuar prokurorit të Përgjithshëm dhe kryetarit të Degës, si dhe nga shprehjet që ka përdorur në mbrëmjen e datës 18.5.1976, rezulton se në veprimet e tij ka elementë të krimit të agjitacionit e të propagandës. Për këtë iu la porosi sektorit të hetuesisë së Degës së Brendshme që të fillojë dhe të hetojë çështjen penale në ngarkim të tij për krimin e agjitacionit e propagandës.
Të ngarkuarit për verifikimin e letrës…

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura