Zbardhet letra e ish-kryeprokurorit për Mehmet Shehun: Në burg sundojnë gangsterët! I dënuari që tenton arratinë, vritet pa paralajmërim

May 5, 2022 | 11:40
SHPËRNDAJE

Bedri Sapahiu-Enver-Hoxha1-1AFRIM IMAJ/Një letër nga ferri për Kryeministrin Mehmet Shehu! I dënuari Bedri Spahiu, ish-Prokurori i Përgjithshëm, ish-anëtari i Byrosë Politike, ish-ministri i Arsimit, rebelon duke i shkruar Kryeministrit të vendit.

Kur ende nuk ka marrë përgjigjen e letrës së parë, shkruar nga burgu i Tiranës në janar të vitit 1965 (tekstin e saj e botuam të plotë në numrin e kaluar), një vit më vonë adreson te Mehmet Shehu “letrën-testament” numër dy, siç e quan ai. Tanimë nga kampi i riedukimit të Elbasanit, Bedri Spahiu njofton Kryeministrin për aplikimin e politikës zbutëse ndaj të dënuarve, e cila ka sjellë një klimë lehtësuese, por nuk vazhdon gjatë. “Të burgosurit, – shkruan ish-prokurori, – ranë në kurthin e kthesës djallëzore dhe u zhgënjyen, duke mbetur viktima të tij. Rikthimi te politika e dhunës, torturave, goditjeve antinjerëzore, te sharjet, telat me gjemba, druri, – konstaton Bedri Spahiu, – errësoi përfundimisht perspektivat e trajtimit të të burgosurve dhe fashiti çdo shpresë për rrethana normale.

Represioni në rritje, – shton ai në letrën për Kryeministrin, – i detyroi të burgosurit të tentonin arratisjen e pasuksesshme. Kështu, në kampin e Laçit tre të dënuar tentuan të kalonin rrethimin, por prova u rezultoi tragjike. Njëri ndër ta u ekzekutua me urdhër të drejtorisë së burgut, e cila urdhëroi për ta lënë trupin e tij 24 orë në oborrin e kampit, te këmbët e të burgosurve. Ndodhi kështu edhe në Kampin e FushëKrujës, ku një i burgosur tentoi vetëvrasjen, duke u hedhur vetë në tela që ta qëllonin ushtarët…

DORËSHKRIMI: KURTHI I
KTHESËS DJALLËZORE

Shkëlqesisë së tij, Mehmet Shehut, Kryetar i Këshillit të Ministrave, Tiranë. Më lejoni shkëlqesi t’ju paraqes pjesën e dytë të testamentit tim. Rrethanat e sollën që nuk mund të përmbahesha pa ju shqetësuar edhe një herë tjetër. Nuk po zgjatem, se s’kam asnjë gjë për të shtuar, pas letrës shoqëruese të testamentit të parë. Me nderime Bedri Spahiu. Elbasan, Kampi 303, 11 maj 1967. Dihet se zakonisht testamentet bëhen në prag të vdekjes, por nganjëherë ndodh që hartuesi pasjeton dhe i duhet të bëjë testamentin e dytë, kur vdekja i troket përsëri në derë.

Ky është edhe rasti im. Te njerëzit në përgjithësi, pasjetimi është rezultat i një ripërtëritjeje të shëndetit të njeriut, ndërsa tek unë është rezultat i një ripërtëritjeje të ligjshmërisë së Republikës në fushën e administrimit të të burgosurve. Në fakt, në fillim të vitit 1966, të dënuarit që vuanin një izolim prej vitesh u nxorën në dritë nga dhomat e izolimit të prepotencës; të burgosurve të aftë dhe gjysmë të aftë iu dha mundësia të venë në kampe, duke u nisur nga një qëllim humanist: që të mos kalbeshin në burgje. Të burgosurit që nuk ishin të aftë për punë aq sa duhej, ose që dyzonin të venin në kamp se mos atje do të kishin vështirësi në punë, inkurajoheshin nga persona zyrtarë se në kamp do të ishin shumë më mirë se në burg dhe se askush nuk do t’iu kërkonte punë më tepër nga sa mund të bënin.

Jeta e vërtetoi se këto inkurajime ishin të sinqerta dhe të burgosurit në fjalë u kënaqën. U hoq dorë nga nxitja dhe përdorimi i brigadave për të rrahur punëtorët e burgosur. U kërcënuan brigadierët se do të dënoheshin penalisht po të rrihnin paskëtaj të burgosurit. Vetë zyrtarët antiligjorë shpallën me gojën e tyre se rrahja e të burgosurve nuk u lejohet më as vetë zyrtarëve dhe se do të zbatoheshin vetëm dënimet e rregullores dhe, po të ishte rasti, edhe ato të Kodit Penal. Marrëdhëniet e të burgosurve me administratorët u vunë mbi bazë të ligjit dhe të rregullores, mbi bazë të ligjshmërisë shtetërore dhe pra, të dinjitetit njerëzor. Të burgosurit filluan të trajtohen jo më si egërsira të zonave tropikale, të grumbulluar në një rrypinë për t’u asgjësuar, por si njerëz të dënuar nga ligjet e që duhet të mbahen dhe të trajtohen as më mirë dhe as më keq nga sa urdhërojnë ligjet dhe rregulloret e shkruara, të shpallura, zyrtare, publikisht të njohura. Pretendimet e zyrtarëve antiligjorë se veprojnë në bazë të udhëzimeve të marra verbalisht e që hedhin në erë rregulloret e shkruara, janë jezuitizëm, arbitraritet, gangsterizëm antishtetëror.

Të burgosurve filloi t’u thuhej një fjalë e mirë për aktivitetin e tyre prodhues në fushën e ndërtimit të veprave. Pretendimeve të njëanshme të të burgosurve se shteti i dënon njerëzit për t’i përdorur si fuqi robërish, se të gjitha veprat në Shqipëri janë me gjakun dhe djersën e tyre, nuk iu përgjigj më pretendimi po aq i njëanshëm i zyrtarëve, të cilët u thoshin të burgosurve plot nervozizëm: “Jo ju, por populli i ndërton veprat në Shqipëri. Ju jeni armiq! Do t’ju bëjmë të punoni me pahir deri në frymën e fundit”. Po! U hoq dorë nga një praktikë e tillë. Atyre filloi t’u thuhej se po japin kontributin e tyre në ndërtimin e veprave dhe se do ta japin edhe kur të dalin nga burgu.

Nuk u thuhej më se “po ndodhi ndonjë rrezik, do të asgjësojmë më parë të gjithë të burgosurit”, se “gjyqi është një gramafon që këndon pllakën që i vë hetuesia” etj., por u thuaj se “edhe pse jeni dënuar nga ligjet, ju jeni shqiptarë, jeni bij të këtij vendi, edhe ju do të luftoni po të sulmohet atdheu, se e kemi të përbashkët”. Të burgosurve u thuhej se ata që silleshin mirë do të çoheshin grupe-grupe të shihnin si funksionojnë veprat që kanë ndërtuar vetë dhe ato që ka ndërtuar populli, se do të organizoheshin ndeshje sportive ndërmjet kampeve e se trajtimi i përgjithshëm i të burgosurve do të përmirësohej. Ç’shpresa, besime, iluzione u ngjallën te të burgosurit! Një frymë optimizmi si një fllad pranvere përshkroi shpirtrat e brengosur të të burgosurve. Ç’është e vërteta kjo vijë e re administrimi nuk ishte dhe nuk mund të ishte një kthesë. Nga ana tjetër, ajo u ndesh në opozicionin e zyrtarëve antiligjorë të bazës, që e kam vënë në dukje në një letër që i kam dërguar Ministrisë së Brendshme më 14 maj 1966.

Kjo kundërvënie ishte e dukshme. Ishte një përpjekje ndërmjet administratorëve ligjorë dhe antiligjorë të bazës. Kontradikta u kapërcye në mënyrë pozitive. Ligjshmëria doli e forcuar nga kjo përpjekje. Në kushtet e kësaj përtëritjeje, kundërvënia e vjetër aq e shëmtuar e administratorit: administratorë mizorë dhe administratorë me fisnikëri ligjore, përballë njëri-tjetrit u zhduk. Në kushtet e kësaj ripërtëritjeje të ligjshmërisë edhe vetë zyrtarët antiligjorë u përtërinë. Ata u bënë më të arsyeshëm, më pak ngacmues, më pak grindavecë dhe më pak prepotentë. Po kjo ripërtëritje nuk vazhdoi. U bë një kthesë. Kjo filloi me një kthesë teorike prej 180 gradë mbi bazë të tezës së Leninit: “Diktatura është një pushtet i pakufizuar me ligj” tezë që përpara ripërtëritjes së ligjshmërisë u hidhej në fytyrë të burgosurve sa herë ata ankoheshin për shkeljen e të drejtave të tyre të ligjshme. Mbasi nga pikëpamja e përgjithshme nuk ka përsëritje identike, as edhe kjo tezë nuk iu hodh kësaj here të burgosurve në fytyrë në formën e saj klasike, por iu hodh në një veshje të re: “Ne kemi në dorë diktaturën e proletariatit. Ne veprojmë në bazë të ligjeve dhe të rregulloreve, por për ata që i shkelin ligjet dhe rregulloret, përdorim edhe diktaturën, dhunën, drurin”. Thashë më sipër se u bë një kthesë prej 180 gradësh në teori, se ripërtëritja e ligjshmërisë u krye mbi tezën teorike që u proklamua në “Zërin e Popullit” në shtator të 1965-ës sipas të cilës vetëm shteti ka të drejtë t’i ndryshojë ligjet, të bëjë ligje të reja dhe të suprimojë ato që nuk janë të përshtatshme. Nuk u lejohet zyrtarëve të mos u konformohen ligjeve me çfarëdo preteksti qoftë. Ajo që është e mirë për shtetin, për republikën, për socializmin, përmbahet në ligjet e shtetit. Shihet qartë se teza e lartpërmendur e administratorëve të bazës dhe kjo e “Zërit të Popullit” janë antitezike. Interesi i të burgosurve si tërësi, e donte që ripërtëritja e ligjshmërisë të vazhdonte. Interesi i shtetit donte që të vazhdonte. Këtu kemi të bëjmë me një dukuri që mund të duket e çuditshme, por çudia është një formë e paditurisë. Të dënuarit nga shteti dhe vetë shteti kanë një interes të përbashkët. Kjo është çudia. Kontradiktë!

Po s’ke ç’i bën! E çfarë nuk është kontradiktë në këtë botë? Bashkësia e të interesuarve në rastin në fjalë është e shpjegueshme. Shteti i çdo sistemi shoqëror, i çdo regjimi (absolut apo demokratik), i çdo forme (monarkike, teokratike apo republikane) ka jo vetëm funksion klasor, por edhe gjithëshoqëror, domethënë për diçka u shërben edhe kundërshtarëve të tij klasor. Njeriu mund të jetë një revolucionar me tre brirë, ose një kundërshtar me pesë brirë i shtetit, por kur e sulmon dikush me thikë në dorë, do të vejë të struket prapa rojes së sigurimit publik. Procesi i ripërtëritjes së ligjshmërisë nuk mund të mos ishte kontradiktor në fushën e marrëdhënieve ndërmjet zyrtarëve në vështrim që, ndërsa zyrtarët ligjorë do të kapeshin nga e reja, antiligjorët do të përpiqeshin t’i mbaheshin të vjetrës. Po ky proces ishte kontradiktor edhe në një vështrim tjetër.

Në fakt, ndërsa administratorët antiligjorë vazhdonin të cenonin vijën e ripërtëritjes së ligjshmërisë nga pozitat e administratorit, të burgosurit e padisiplinuar e cenonin vijën e ripërtëritjes së ligjshmërie nga pozitat e antikolektivit. Kështu, nëse interesat e kolektivit të të burgosurve puqeshin me ato të shtetit, po në atë kohë veprimi i antiligjorëve zyrtarë kundër vijës së ripërtëritjes ishte i bashkërenduar me veprimin e të burgosurve të padisiplinuar. Të dy palët u jepnin dorën njëri-tjetrit nga barrikada të kundërta. Të parët, duke vazhduar të sillen si para ripërtëritjes, i provokonim të padisiplinuarit dhe të sëmurët nga nervat dhe këta në vend që të mbroheshin me mjetet e caktuara nga ligjshmëria e përtëritur, i kapërcenin caqet e kësaj dhe përdornin mjete të palejuara dhe në ndonjë rast edhe të paarsyeshme.

Bedri Sapahiu-Enver-Hoxha1-1

I NJËJTI FERR: NGA QELITË
NË KAMPET E RIEDUKIMIT

Në kushtet që caktuan proklamimin e tezës teorike të kundërvënies së diktaturës me vetë ligjet e diktaturës, nuk mund të mos kthehej balanca në favor të arbitraritetit. Natyrisht, ripërtëritja nuk mund të shkrihej me shpejtësinë që hidhet një tezë, por procesi i kësaj shkrirjeje ka filluar dhe do të vazhdojë. Eshtë praktika e kthesës teorike prej 180 gradësh. Filloi të ketë përsëri nervozizëm ndërmjet administratorëve, antiligjorët zyrtarë riaktivizohen, këtyre fillon t’u marrë lopata ujë, atë që në periudhën e ripërtëritjes e quajtën me seriozitet “Reparti i Riedukimit 323”, zyrtarët antiligjorë tani e quajnë “Mut Repart Riedukimi” po ashtu siç i quanin disa të burgosur kur u quajt “Repart Riedukimi”. Sharjet, druri, hekurat, telat dalin mbi masat disiplinore sipas rregullores.

Nervozizmi i të burgosurve rritet paralelisht me nervozizmin e administratorëve. Perspektivat e përmirësimit të konditave të jetës u errësuan. Në këtë gjendje luan një rol edhe fakti se të burgosurve u është mbyllur çdo perspektivë për lirim dhe ju thuhet se do t’i bëjnë me kallamoqe të gjitha vjetët e dënimit. Ato lirime me kusht që bëhen janë të atilla (të pakta edhe këto janë rastet e të dënuarve që janë në përfundim të dënimit) që ngacmojnë humorin e të burgosurve. Puna ka arritur deri atje sa që kur flitet për rehabilitim, për lirim me kusht, të burgosurit qeshin me ironi. Të burgosurve, shkurt, iu është mbyllur çdo perspektivë; shpresa, besimi, iluzionet, i lanë vendin humnerës së zhgënjimit, optimizmi-pesimizmit. Në këto rrethana u shfaq në kolektivin e të burgosurve çiltërsia e dëshpërimit.

I BURGOSURI, ROJES:
MË QËLLO, TË SHPËTOJ!
Në mbledhjet që organizohen nga personeli i komandës ose në takime të rastit me persona zyrtarë, të burgosurit e dënuar pa faj ose për faje që nuk i kanë bërë, protestojnë hapur. Të torturuarit tregojnë plagët edhe gjymtimet e vjetra e të reja. Të vërtetave ideologjike, politike dhe argumenteve të zyrtarëve, të burgosurit iu kundërvënë hapur të vërtetat dhe argumentet e tyre. Të burgosurit, në masë nuk fshehin më atë që kanë pësuar padrejtësisht dhe mendimet e tyre. Të burgosurit nuk kanë më asnjë interes t’i fshehin ato. Nga ana e tyre, edhe të burgosurit e dënuar konform ligjit, nuk i fshehin mendimet e tyre dhe i mbrojnë ato. Në krah të çiltërsisë së dëshpërimit u shfaq heroizmi i dëshpërimit, fenomen që ka ekzistuar përpara përtëritjes së ligjshmërisë së vitit 1966. Në kampin e Laçit tre të burgosur thyen rrethimin me kamion.

Administrata u përgjigj duke vrarë njërin prej tyre dhe duke dënuar rëndë të tjerët. Trupin e të vrarit e lanë 24 orë në oborrin e kampit, te këmbët e të burgosurve. Ajo vuri përballë arratisë individuale tromaksjen kolektive. Shtypja e skajshme dhe tromaksja kolektive nuk dhanë rezultatet që priteshin. Pas 15 ditësh, dy të burgosur e përsëritën tentativën nga kampi i FushëKrujës në mënyrën dhe mjetet identike. Një nga tentuesit e arsyetoi kështu tentativën e tij: “E dija se nuk kisha asnjë mundësi arratisjeje, por tentova vetëm që të më vritnin. S’dua më të rroj. Erdha fëmijë në burg dhe po plakem. Pse nuk e vrave veten? Mu duk më e lehtë të vritesha nga dora e tjetrit”.

Në kushtet e kthesës drejt arbitraritetit po kristalizohen konturet e tri proceseve: aprocesi i nervozizmit të administratorëve dhe kundërnervozizmi i të burgosurve. briprodhimi i shtypjeve të skajshme, i shtypjeve shembullore, i shtypjeve pararendëse, i shtypjeve mbi bazë gjaku, i shtypjeve simulante nga njëra anë dhe çiltërsia e heroizmi i dëshpërimit nga ana e të burgosurve. c-procesi i forcimit të pozitave të zyrtarëve antiligjorë dhe i dobësimit të pozitave të zyrtarëve ligjorë. Nuk dua të profetizoj, por ajo që më duket se nuk do të ndodhë ndryshe është çështja se çiltërsia e dëshpërimit dhe heroizmi i dëshpërimit të të burgosurve do t’i lenë vendin panikut të shtypjes. Të burgosurit do të marrin një të goditur të rëndë kur nuk do ta pandehin dhe si kundërrefleks i këtij paniku në radhët e administratorëve do të shfaqet alarmi i panikut. Zyrtarët ligjorë do të fillojnë të kuptojnë se provokatorët e panikut janë antiligjorët e radhëve të tyre.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

© Panorama.al

Te lidhura