Zbardhet dosja/ “Atentati në Paris me urdhër të Enverit, si u vra Sadik Premtja me sëpatë pas koke”

Jun 2, 2017 | 10:55
SHPËRNDAJE

Kush shfaqte mendim kundër, me doemos do të eliminohej. Enver Hoxha nuk pranonte rivalë. Thuajse nga hiçi ai do të vihej në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, duke eliminuar një nga një të gjithë militantët e orëve të para.

premtja

Ndër ta ishin edhe anëtarët e grupit komunist të të rinjve, ku bënin pjesë edhe Anastas Lula, Sadik Premtja e Neki Imeri. Pjesë e kolanës së librave për zbardhjen e krimeve të komunizmit, botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe pasojave të Komunizmit, është edhe vepra voluminoze e Enver Lepenicës “Eliminimi i grupit komunist të të rinjve”, një përmbledhje dokumentesh, dëshmish e studimesh.

Nga kjo vepër po shkëpusim disa momente nga ndjekja që i është bërë një prej komunistëve të orëve të para, Sadik Premtes. Si ndiqej ai nga Sigurimi i Shtetit pas arratisjes nga Shqipëria dhe si u organizua atentati kundër tij.

Në librin e Lepenicës zbardhet dosja e Premtes, mbajtur nga Sigurimi i Shtetit. Po ashtu interesante është edhe dëshmia e mikut të Sadik Premtes, Ahmet Zylo Nivica, i cili rrëfen për atentatin në Paris, që sipas tij ishte porositur nga vetë Enver Hoxha.

NGA LIBRI

Dosja e Sigurimit të Shtetit Vlorë për Sadik Premten

Miratohet Zv. kryetari i Degës së P. Brendshme Karafil Kalemi Sekret

Ekzemplar nr.2 Vlorë, më 6.8.1975

Plan masash agjenturalo-operativ në drejtim të të arratisurit Sadik Premtja dhe lidhjeve të tij me rrethin e Vlorës Në mbështetje të orientimeve të Drejtorisë së Parë dhënë me shkresat nr.2468, datë 26.6.74, nr.4076, datë 12.11.74 dhe nr. 1664, datë 17.4.75, Mbi veprimtarinë armiqësore të të arratisurve dhe emigracionit reaksionar jashtë shtetit, të cilët të përgatitur nga zbulimet e huaja, kohët e fundit kanë intensifikuar veprimtarinë e tyre kundër vendit tonë, duke i përgatitur për t’i futur si diversantë dhe emisarë të ndryshëm me detyra terrori, diversioni, spiunazhi etj.

libri

Në drejtim të tyre na dalin detyra urgjente për zbulimin dhe goditjen në kohë të çdo lloj aktiviteti si në drejtim të të arratisurve, edhe lidhjeve të tyre këtu. Për këtë qëllim do të marrim këto masa në drejtim të të arratisurit Sadik Premtja dhe lidhjeve të tij në rrethin e Vlorës.

1. Për kontrollin e lidhjeve në Gjorm do të studioj për tërheqje në bashkëpunim një nga radhët e këtyre lidhjeve, si edhe do të bashkëpunoj me Punëtorin Operativ Isuf Kada për të drejtuar tek ato lidhje bashkëpunëtorin “Çezma”. Kjo me qëllim për t’i pasur nën kontroll të vazhdueshëm, për të mësuar reagimet e tyre ndaj situatës dhe politikës së partisë sonë…

2. Për të fiksuar hyrjet e daljet te këto lidhje do të studioj një person me qëndrim të mirë politik, për të na informuar vazhdimisht…

3. Do të bashkëpunoj me punëtorin e policisë L. Haxhiraj, që ka këtë zonë, për të forcuar kontaktet me masat e popullit për të mësuar mbi reagimet e këtyre lidhjeve dhe karakterin e lëvizjet e dyshimta të tyre…

4. Do të bashkëpunoj me p.op. të kërkimit, shokun S. Bitri, për të aktivizuar agjenturën dhe pikat e kontrollit në drejtim të këtyre lidhjeve… 5. Për të zbuluar lidhjet me karakterin e korrespondencës që mund të zhvillojnë si i arratisuri Sadik Premtja dhe lidhjet e tij këtu, do të merret informacion në Komitetin e Partisë… Për të dhënat që do të dalin në drejtim të lidhjeve të Sadik Premtes, do të njoftohet Drejtoria e Parë në mënyrë të vazhdueshme.

Punëtori operativ Ndue Papa Shefi i Seksionit të Parë Llazar Karafili

Kopje dy

SHËNIM NGA KRYETARI I DEGËS DHE SHOKU KARAFIL KALEMI

1. Të shkallëzohet elementi me rrezikshëmri për t’i marrë në përpunim

2. Të shikohen xhepistët se ku janë me banim e punë si lidhje të Sadik Premtes, të bëhet diferencimi i tyre dhe të organizohet puna agjenturore e operative e të zbulohet nëse kanë korrespondencë me të.

3. Të studiohen në mënyrë të veçantë personat që kanë korrespondencë dhe nga radhët e tyre të bëjnë tërheqje për t’u futur në korrespondencë me Sadik Premten.

4. Të konkretizohet puna me Drejtorinë e Tretë për të dhënat që mund të dalin për lidhjet që ka në Shqipëri dhe të merren masa.

5. Lidhjet e tij të dyshimta të vihen në kontrollin e vijës së masës.

6. Të pasurohet dosja e drejtimit në bazë të reaksionit.

Sekret Ekzemplar nr.2 Vlorë, më 6.8.1975

Relacion përmbledhës mbi studimin e dosjes formulare të të arratisurit Sadik Fiçorr Premtja

Sadik Premtja është i biri i Fiçorrit dhe i Hasimesë, i datëlindjes 1910, i lindur në fshatin Gjorm të rrethit të Vlorës, vendbanimi familjar në Gjorm, me arsim të mesëm, me profesion të atëhershëm nëpunës, i martuar me një fëmijë, me kombësi e shtetësi shqiptare, rrjedh nga një familje shtresë e mesme fshatare.

Sadik Premtja në Itali
Sadik Premtja në Itali

Para çlirimit të vendit ka qenë student e më vonë nëpunës. Në fillim të lëvizjes ky ka qenë ndër të parët që mori pjesë në të dhe organizator në mobilizimin e masave popullore gjoja në luftë kundër armikut. Sadiku, si fraksionist që ishte, u përpoq të përçante radhët e PKSH dhe Frontin NÇL dhe u bashkua me armikun gjoja si komunist legal, u vu në shërbim të armikut dhe godiste forcat partizane duke ditur organizimin dhe taktikën e tyre.

I përmenduri qëndronte në qytete si në Vlorë e Tiranë, ku së bashku me elementë kryesorë të Ballit Kombëtar thurnin e përgatisnin plan kundër Forcave Nacionalçlirimtare. Sadik Premtja ka qenë një ndër armiqtë me të mëdhenj dhe i pari i PKSH e reaksionar i vendosur kundër popullit dhe atdheut.

Ai, mbasi tradhtoi hapur, ka qëndruar në qytetin e Vlorës, ku së bashku me forca të reaksionit ka marrë pjesë në të gjitha operacionet, torturat, vjedhjet dhe plaçkitjet në popull. Me tërheqjen e gjermanëve nga Shqipëria, i ndihmuar nga këta, përmes Kroacisë hidhet në Itali, duke u lënë krejt i lirë dhe i armatosur nga anglo-amerikanët.

Në fillim të muajit gusht 1947, së bashku me Ahmet Nivicën dhe Kastriot Mare, kalon fshehurazi kufirin dhe hidhet në Francë, ku vazhdon të jetë dhe sot. Posa mbërriti në Paris, Sadiku u paraqit menjëherë në Legatën shqiptare duke u treguar i penduar se kishte ndryshuar rrugë, për t’u vënë në dispozicion të plotë të partisë.

Mbas dëbimit që i bëri legata jonë, ai shkoi menjëherë dhe mori kontakt me reaksionarët shqiptarë në Paris dhe më vonë me Vasil Gërmenjin në Marsejë, i cili kishte shfaqur simpati për idetë e tij trockiste. Sadik Premtja ka qenë anëtar i Internacionales së Katërt Trockiste dhe ka asistuar në Kongresin e saj të mbajtur në Paris gjatë vitit 1948.

Rrethi i tij në Paris që vazhdon të jetë në aktivitet kundër RPSH është Rrok Maloku, ish-kuestor i Fashizmit, Sabaudin Dino, ballist, Ramazan Shpati, Isuf Begeja, Spiro Zilo, Nexhat Peshkëpia, Ahmet Nivica, Vasil Gërmenji etj.

Një gjë është karakteristike në lidhje me tradhtinë e tij, njohja e saj nga ai vetë, gjë që duket në një letër datë 20.10.1946, të cilën e dërgonte nga Reggio Emilia-Itali, motrës së vet Miroshe, në Tragjas: “.. të keni besim në partinë dhe në qeverinë tuaj, pse kudo nuk ekziston një regjim i tillë si ai i Shqipërisë dhe i aleatëve të saj, mbretëron uria, mizoria dhe korrupsioni i madh” etj.

Megjithatë, edhe pse e kuptonte se kishte tradhtuar PKSH, më vonë ai hidhet në aktivitet të theksuar kundër vendit tonë, duke bashkëpunuar me elementë reaksionarë që ishin arratisur jashtë shtetit. Por duke qenë aventurier, ai tani nuk ka asnjë shok me vete, është shkëputur prej tij edhe Ahmet Nivica. Sadiku tani bën pjesë në Internacionalen e katërt dhe ka marrë kontakt e korrespondencë me disa trockistë në SHBA, ku i botojnë disa nga artikujt politikë të tij, kundër vendit tonë.

I ka bërë thirrje edhe Titos për t’u vënë në shërbim të tij, duke i premtuar edhe përkrahjen për një ndërhyrje në Shqipëri. Informacione nga emigrantë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten Material kundër vendit tonë

1. “Rezolucion i organizatës së vërtetë komuniste shqiptare” Neni 1. “Duke parë situatën e brendshme politike në kaosin që mbretëron bashkë me politikën antikombëtare dhe metodën terroristike alla fashiste të përdorur nga e ashtuquajtura PKSH, filiale e Pk Jugosllave, prej së cilës është organizuar dhe udhëhiqet, neve vendosëm që të shkëputemi nga gjiri i kësaj partie ku mbretëron korrupsioni e spiunazhi, më tepër në formë personale, djallëzia dhe dallaveret politike, e të formojmë një parti Komuniste me një vijë politike më të drejtë”.

Neni 2, germa b: “Luftë kundër klikës tradhtare që shkaktoi shkatërrimin e plotë të Partisë dhe urrejtjen e komunizmit në përgjithësi nga masat” etj. Kjo komunikatë ka 8 nene të ndara në nënpika.

Informacione

Në një informatë të vitit 1945, njoftohet mbi arratisjen e Sadik Premtes së bashku me 14 tradhtarë nëpërmjet Kroacisë. Nga një e dhënë e vitit 1946 del se tradhtari i PKSH, Sadik Premtja, vazhdon akoma në Itali, luftën kundër nesh me anë të propagandës. Rri i armatosur se ka frikë nga ndonjë atentat.

Shqiptarëve që duan të kthehen në atdhe mundohet t’u mbushë mendjen që të mos kthehen, por të organizohen e bashkohen kundër vendit tonë. Në vitin 1947, nga kryetarët e të arratisurve në Itali është dërguar një komision në vendet arabe, për të bërë bashkimin e të arratisurve atje, ndër kryesorët kanë qenë Ernest Koliqi, Ali Këlcyra etj.

Po në këtë informatë vihen në dukje edhe arratisjet, kalimi kontrabandë i 20 tradhtarëve nga Italia në Francë, midis tyre edhe Sadik Premtja. Në datën 16.12 1947, në Paris, Sadiku ka bërë një bashkëbisedim me Nuçi Koten, ku që të dy kanë shprehur urrejtjen e tyre ndaj politikës së qeverisë dhe orientimeve të PKSH, por jo shumë hapur me të arratisurit e tjerë shqiptarë.

Tentativën e parë për të formuar celulën trockiste në Francë, Sadiku e ka bërë në fillim të vitit 1948, por nuk u arrit, meqenëse në mes të të arratisurve lindi grindja. Në disa informata shkruhet mbi lëvizjet e Sadikut dhe kontaktet me të arratisur të tjerë në Francë si me Ramazan Shpatin, duke zhvilluar njëfarë aktiviteti, por të kufizuar…

ATENTATI NDAJ SADIK PREMTES NË PARIS

Ahmet Zylo Nivica Me Sadikun kam pasur një miqësi të ngushtë që nga viti 1945, kur ai erdhi në Itali, dhe të dy bashkë u arratisëm për në Francë. (Kjo miqësi konfirmohet edhe nga Sigurimi i Shtetit, në dosjen e tij). Bashkë kemi ndenjur shumë kohë dhe miqësinë tonë nuk e pengonin aspak bindjet politike të kundërta që kishim.

Ka qenë 6 maji i vitit 1951, kur bashkë me Sadikun shkuam për të parë një film në Kinemanë Republika të Parisit. Pasi dolëm nga kinemaja, u ndamë menjëherë, pasi Sadiku në atë kohë banonte në hotelin “De la pei”, i cili ndodhej fare pranë kinemasë, kurse unë mora metronë në drejtim të hotelit “Danton” të Sen Zhermenit, ku isha vendosur me banim.

Të nesërmen në mëngjes kur dola nga hoteli, pashë se pothuaj të gjitha gazetat që bleva kishin botuar një lajm ku thuhej: “Sadik Premtja, refugjat politik nga Shqipëria dhe me profesion gjeometër, u godit mbrëmë nga një i panjohur me sëpatë në kokë, në hotelin ‘De la pei’, ku ai banonte, guximtari u largua në drejtim të paditur, kurse Sadiku u shtrua në spital, jashtë rrezikut për jetën”. Mora një taksi dhe u nisa për në spital, e gjeta Sadikun me kokë të fashuar dhe me mjekët që i rrinin te koka. Ngaqë ai ishte në gjendje të mirë dhe mund të fliste, unë fillova ta pyesja se çfarë i kishte ngjarë. Pas kësaj Sadiku filloi dhe më tregoi:

“Pasi u ndamë bashkë, duke kaluar në rrugën që të shpie te hoteli, pashë një njeri që po vinte me të shpejtë në drejtimin tim. Ai më kaloi dhe me të shpejtë u fut brenda në hotel. Ndërkohë që edhe unë u futa në hotel. Ai kishte ngjitur disa shkallë dhe po më priste mua. Kur unë isha duke ngjitur shkallët, ai filloi të zbriste dhe kur u përballëm, unë i thashë ‘pardon’ dhe i hapa rrugën të kalonte.

Ai menjëherë nxori një së- patë me bisht të vogël që e kishte futur brenda xhaketës dhe me të më qëlloi në kokë. Pas kësaj unë menjëherë e kapa me të dyja duart prej jakës së xhaketës dhe fillova ta shtrëngoja në grykë. Duke u kacafytur të dy, zumë të rrokulliseshim poshtë shkallëve deri te dera kryesore e hotelit, ku unë zura të bërtisja ‘policia, policia’. Ndërkohë, nga plaga e sëpatës në kokë mua më vazhdonte të më rridhte gjak dhe më lanë fuqitë.

Nga kjo ai përfitoi dhe më shpëtoi nga duart duke u larguar menjëherë jashtë hotelit. Kalimtarët që ishin aty pranë njoftuan menjëherë policinë, e cila erdhi me ambulancë dhe më mori e më solli në spital, këtu ku më shikon”. Pas rrëfimit të Sadikut mbi ngjarjen, unë fillova të pyesja përsëri nëse ai e kishte njohur personin që e kishte qëlluar. Por ai tha se e kishte parë vetëm si fytyrë dhe nuk e njihte, pasi Sadiku nuk përzihej me shumë njerëz, ngaqë ruhej shumë.

SI E GJETËM ATENTATORIN

Pas rrëfimit që më bëri Sadiku, unë menjëherë vajta në koloninë e shqiptarëve emigrantë ekonomikë dhe pashë se ishte bërë bujë e madhe, sepse të gjithë e kishin marrë vesh atë ngjarje. Aty me anë të shoqërisë sime mblodha shumë fotografi të ndryshme të mërgatës shqiptare dhe të gjithë emigrantët ekonomikë u treguan të gatshëm të m’i jepnin ato. Ato fotografi unë i mora dhe i çova të gjitha po atë ditë Sadikut në spital dhe ai menjëherë, sapo i pa, e njohu dhe ma tregoi njeriun që e kishte qëlluar.

Ky njeri ishte një shqiptar i quajtur Xhemal Çami, i moshës 48-50 vjeç, i cili banonte në Paris dhe ishte i pamartuar. Ai kishte marrë pjesë në Brigadat Internacionaliste në Luftën e Spanjës dhe që nga ajo kohë nuk ishte kthyer më në Shqipëri, por nga Spanja ishte vendosur në Francë. Pasi Sadiku më tha se ishte tepër i sigurt se ai ishte personi që e kishte qëlluar, unë dola përsëri dhe kërkova në të gjithë koloninë shqiptare, por atë njeri nuk e gjeta gjëkundi.

Të nesërmen në mëngjes, megjithëse dola për të kërkuar së bashku me dy shokët e mi, Isuf Begeja dhe Sabaudin Dino, përsëri nuk e gjetëm. Pas kësaj ne vajtëm dhe bëmë denoncimin në polici, ku pasi na falënderuan, na thanë se ishin në dijeni të ngjarjes dhe autorit të saj. Gjithashtu, aty më- suam se policia nuk kishte mundur ta kapte dot se ai kishte ikur që në mëngjes herët me një avion për në Pragë. Pas kësaj ne u kthyem përsëri te Sadiku, i cili qëndroi rreth 20 ditë në spital, derisa u shërua. Pas daljes nga spitali, Sadiku ndërroi vendbanim, për të cilën e ndihmoi vetë kreu i Internacionales së katërt Trockiste, Pier, dhe ai vazhdimisht qëndronte i armatosur.

NË KËRKIM TË XHEMAL ÇAMIT

Në vitin 1958 u riatdhesova në Shqipëri dhe fillova të interesohesha se ku ndodhej Xhemal Çami, pasi që kur isha në Francë, kisha dijeni se pas vajtjes në Pragë, ai ishte kthyer brenda ditës në Tiranë.

Nga miqtë e mi dhe nga ish-shokët e Sadikut të Grupit të të Rinjve, mora informata të sakta dhe mësova se Xhemal Çamin e kishte helmuar Sigurimi i Shtetit dhe ai kishte vdekur në një spital të Tiranës. Kjo gjë ishte bërë për të humbur gjurmët e atentatit që ai kishte bërë në Paris ndaj Sadik Premtes.

Që kur ishim në Francë, ne kishim të dhëna të sigurta se atentati ndaj Sadikut ishte bërë nga Sigurimi i Shtetit, me urdhrin e Enver Hoxhës dhe për kryerjen e tij u ngarkua Xhemal Çami.

Urdhri për eliminimin fizik të Sadikut u dha për arsye se në atë kohë ai konsiderohej si person shumë i rrezikshëm për Shqipërinë, pasi përveçse ishte shef i seksionit shqiptar në Internacionalen e katërt Trockiste, kishte të dhë- na se ai bashkëpunonte dhe kishte rrjetin e vet në Shqipëri. Por më kryesorja ishte se Sadiku bashkëpunonte dhe me jugosllavët për rrëzimin e Enver Hoxhës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura