Gjika lëshon me para parkimet në rrugët e Vlorës, 24 rrugë me 50 lekë/ora

Mar 8, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

Shpëtim Gjika i jep me koncesion privatit rrugët e qytetit të Vlorës.
 

Me miratimin me konsensus të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku ka firmosur vendimin që për 15 vjet parkingjet në 24 rrugë të qytetit bregdetar të jenë me pagesë. Ky vendim është diskutuar që në muajin tetor të vitit të shkuar dhe në fillim të shkurtit është lidhur kontrata me firmën fituese. Por, gjithçka ka kaluar pa bujë, derisa fakti u zbulua nga Agjencia e Prokurimit Publik, e cila më 2 mars botoi në buletinin e saj kontratën e firmosur nga Bashkia Vlorë dhe shoqëria “TIS HOLDING LLC + ON TRACK”, me adresë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse bëhet fjalë për një ndër qytetet më të mëdha në vend, ky vendim shumë i rëndësishëm është marrë në heshtje të plotë dhe pa u konsultuar me grupet e interesit, në këtë rast qytetarët, ndryshe nga sa ndodhi në qytete të tjera, si Lezha dhe së fundi Tirana. 

ORARET E PARKIMIT

Sipas kontratës së nënshkruar dhe që ka hyrë në fuqi, Bashkia e Vlorës i lejon kompanisë “Tis Holding LLC+ On Track Innovations” që të shfrytëzojë për 180 muaj (15 vjet) parkimet në qytetin bregdetar. Kjo kompani ishte e vetmja që aplikoi për të fituar tenderin dhe tashmë do të menaxhojë për vite të tëra situatën e rrugëve dhe parkimeve në Vlorë.

Mësohet se me koncesion janë dhënë 24 rrugë kryesore e dytësore të Vlorës, me një tarifë prej 50 lekësh në orë. Bazuar në kontratë, 13 nga rrugët e qytetit do të jenë me para nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Për rrugët që të lidhin me qendrën dhe me institucionet kryesore lokale, qytetarët duhet të paguajnë për makinën e tyre nga mëngjesi (ora 08:00) deri në mbrëmje,(ora 20:00). Ndërkohë që mbeten vetëm dy rrugë në të gjithë qytetin, ku deri në orën 14:00 qytetarët do të paguajnë për parkimin 50 lekë për çdo orë. Mbetet vetëm nata që mos të ketë parkime me pagesë, me qëllim tolerimin e rezidentëve. Por edhe këta, nëse parkojnë gjatë natës, në mëngjes duhet të jenë në gatishmëri për të lëvizur mjetet nga vendi i parkimit, në të kundërt duhet të nisin të numërojnë orët për të paguar.

Për dy vitet e para të dhënies me koncesion, Bashkia e Vlorës do të përfitojë një vlerë prej 10 milionë lekësh, ndërsa nga viti i tretë dhe në vazhdim 10 milionë dhe +2 për qind të xhiros vjetore.

VENDIMI

Prej kohësh, kryebashkiaku Shpëtim Gjika e kishte lançuar këtë ide, duke deklaruar se vetëm një firmë private do të mund të menaxhonte parkimin në një qytet të populluar si Vlora. Në datën 9 tetor të vitit 2014, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës, dhënia me koncesion e parkimeve, ka qenë një ndër pikat e rendit të ditës. Ndonëse në faqen zyrtare të Bashkisë bëhet i ditur ky fakt, nuk zgjerohet më tej se çfarë ndodhi në këtë mbledhje. As këshilltarët e majtë që përbëjnë shumicën e as ata të djathtë nuk kanë reaguar, duke pranuar në unanimitet këtë vendim. Më pas çështja ka kaluar në diskutime konkrete.

Në muajin janar të këtij viti, sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimit Publik, mësohet se Bashkia Vlorë ka pranuar ofertën e të vetmes kompani që u ofrua për këtë tender, pikërisht të shoqërive në bashkëpunim “TIS HOLDING LLC + ON TRACK”, me adresë: Delaware USA, of 16192 Coastal Highway Lewes. Përfundimisht, kontrata është nënshkruar mes palëve më 6 shkurt të vitit 2015. Në këtë mënyrë, për të gjithë drejtuesit e mjeteve, do të ketë kufizime parkimesh publike për 15 vite, bazuar në vendimin e marrë nga Bashkia e Vlorës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura