“Vëthi i munguar” i Alimanit shfaqet në Nju Jork

Aug 17, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Ajo është e re, e bukur dhe ai e ka dashur. Tashmë dhimbja është dyfishe, më e thellë: humbja dhe tradhtia. Tradhtia e mishëruar në portretin e saj. Një grua që humbet bashkëshortin përballet me të dashurën e tij, shumë vite më të re se ajo.

Ema Andrea në filmin “Vëthi i munguar”
Ema Andrea në filmin “Vëthi i munguar”

Ky është “Vëthi i munguar”, filmi më i ri i regjisorit Bujar Alimani, i cili u shfaq këto ditë në njërën prej sallave të kinoteatrit “Producers Club” në Nju Jork. Filmi ka në qendër dy personazhe, një bashkëshorte, interpretuar nga aktorja Ema Andrea dhe “rivalen” e saj, Adele Gjoka.

Këtë herë Alimani u ikën temave me karakter social dhe zhytet në botën e brendshme të njeriut, në këtë rast të një gruaje të humbur, që kërkon të zbulojë brenda vetes përse-të e munguara.

“‘Vëthi i munguar” u shkrua për dy ditë dhe me sa duket është produkt i një nevoje të brendshme për të thënë disa gjëra në një mënyrë ndryshe, siç janë thënë deri tani. N.q.s. kinemaja shqiptare, me të gjithë filmat, pa përjashtim, kishte në një përqindje të madhe peizazhin- në të shumtën e rasteve i trajtuar si absurd bashkë me karakteret njerëzore, shpesh ekzotike (gjëra që shisnin shumë në Perëndim), këtë herë vendosa ta mbyll krejt rrethin, ose më saktë ta ‘kyç’ apartamentin”, shpjegon Alimani, i cili e ngre filmin mbi bazën e një përballjeje.

Një film, që duket si një sfidë edhe për atë vetë, duke sprovuar veten në forma të reja krijimi. Përmes këtij filmi ai tenton “të testojë gjithashtu vetveten në dialogjet me të cilat do të mbaheshin skenat. Të precizoj kohën -reale dhe filmike- në një. Të ndërroj rolet e dy karaktereve kryesore herë në lider e herë në liderndjekës, të luaj me ironinë, talljen, gënjeshtrën, erosin, sensualitetin, xhelozinë, dhunën, joshjen, pështyrjen”.

“Vëthi i munguar” duket si një lloj “shpëtimi” për regjisorin, një lloj ndriçimi që mund të ta dhurojë vetëm arti. “‘Vëthi i munguar’ s’është asgjë tjetër veçse humbja njerëzore si pjesë e të gjithëve dhe dashuria si një gjë jo fort e thjeshtë. I shkruar në dy ditë… ndoshta në ditët më të errëta të kohëve të mia të fundit, shënoi gjithashtu një pol tjetër të paeksploruar më parë prej meje – një kinema që nuk hap “rrathë koncentrikë” horizontalë, por diametralisht mblidhet në vetvete e zhytet poshtë… në thellësi”, thotë Alimani.

Skenografia u realizua nga Klod Dedja, drejtor fotografie Spiro Nino, kostumografia Stela Laknori, skenari Eriona Cami, as.regjisore Laura Buna, producente ekzekutive Lediona Kasapi, zëri Jurgen Kurti dhe grimi Juri Gjoka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura