Gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, si dhe nga Departamenti i Shtetit në Uashington, që të sqarojnë rolin e ish-ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, në kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Vermicë. Kjo kontratë i ka kushtuar Kosovës më shumë se 800 milionë euro. Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e paraqiti kërkesën pas publikimit të një artikulli në të përditshmen britanike “The Guardian”, ku flitej mbi dyshimet për ndërhyrjen që ka pasur ambasadori Dell në kontratën mes qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel”. Kontrata është bërë gjatë kohës kur Dell ishte ambasador i SHBA-ve në Kosovë. “I bëj ftesë, nga kjo foltore, edhe Kryeministrit të kësaj qeverie, që të tregojë se sa ka qenë roli dhe çka e detyroi qeverinë e Kosovës të nënshkruajë një kontratë të tillë, e cila po rezulton të jetë shumë e dëmshme për Kosovën, dhe po ashtu i bëj ftesë edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu, përmes Departamentit të Shtetit, që të merren më seriozisht me këtë punë dhe të na tregojnë se cili ka qenë roli i zotit Dell në këtë kontratë, dhe përgjithësisht në Kosovë, sepse e dimë se ndërhyrjet e tij në politikën e Kosovës kanë qenë të shumta. Pra, nëse ai ka pasur ndikim në nënshkrimin e kësaj kontrate nga pozicioni zyrtar i Amerikës, atëherë ne duam të dimë se në çfarë baze dhe si e ka bërë këtë punë”, tha dje në Kuvend Ymeri.











