Protesta qytetare për largimin e kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e saj të 40-të. Prej 40 ditësh, mijëra qytetarë mblidhen çdo pasdite në mënyrë paqësore në shesh, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime në politikën shqiptare.
Përveç largimit të kreut të qeverisë, protestuesit kërkojnë edhe një ndryshim të klasës politike, duke argumentuar se vendi ka nevojë për një model të ri qeverisjeje, me më shumë përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie.
Një nga sloganet që dëgjohet vazhdimisht gjatë protestave është “Rama në burg, Berisha në burg”. Po ashtu qytetarët brohorasin në kor “Shqipëri e re”, “Revolucion”, “Ju ardhur fundi”.
Lëvizja qytetare nisi si reagim kundër ndërtimit të një resorti turistik në Zvërnec. Me kalimin e ditëve, protesta është zgjeruar, duke u shndërruar në një tubim me kërkesa më të gjera politike dhe institucionale.
Protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion, mungesë transparence dhe keqqeverisje, ndërsa shprehen se pakënaqësia e tyre lidhet me mënyrën se si është administruar vendi gjatë viteve të fundit.
Pavarësisht kalimit të 40 ditëve, pjesëmarrësit deklarojnë se do të vazhdojnë të dalin çdo ditë në shesh, në mënyrë paqësore, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
© Panorama.al












