Veliaj rrëfen jetën: Nga emigracioni te njohja me Ramën

May 5, 2015 | 7:11
SHPËRNDAJE

Kandidati i maxhorancës për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj tregon jetën e tij që nga emigracioni, humbja e të atit dhe vështirësitë për të studiuar në SHBA. I ftuar në emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun, Veliaj i jep përgjigje akuzave që bëhen ndaj tij si njeriu i preferuar i kryeministrit Rama. 

Foto e postuar nga Erion Veliaj ne rrjetin social Facebook

 Ju keni lindur në Tiranë?
Po jam rritur në Tiranë, në zonën e shkollës “Mihal Grameno”. Në atë kohë, pallatet bëheshin me punë vullnetare. Të dy prindërit e mi kanë qenë ushtarakë. Mamaja ime është me origjinë nga Vlora. Babai i saj ka qenë ushtarak dhe ka pasur një histori interesante: një nip i tij tenton të arratiset rreth viteve ’60 dhe familja e tij transferohet në Urën Vajgurore, nga një oficer i lartë në një roje pylli. Çfarë specialiteti ka pasur babai? Babai im ka qenë këmbësor, mamaja shefe kuadri. Që të dy në fillim të karrierës së tyre kanë qenë nëndrejtorë shkollash. Ushtarakët e rinj emëroheshin si drejtorë shkollash. Im atë te “Raqi Qirinxhi” në Korçë dhe ime më në Shkollën Teknologjike në Tiranë. Mbaj mend një fëmijëri të bukur, por jo komode.

Zakonisht familjet e ushtarakëve lëviznin shumë nëpër Shqipëri, a i ndodhi dhe familjes suaj?
Prindërit lëvizën shumë gjatë kohës që ne ishim të vegjël. Im atë ka qenë në Zall- Herr, në Institut Bujqësor. Ime më në fund ka qenë te forcat vullnetare. Nuk mbaj mend shumë kohë që e kemi kaluar gjatë bashkë. Mbaj mend pas vdekjes së Enver Hoxhës u shpall një gjendje e jashtëzakonshme dhe familjet e ushtarakëve e ndjenë shumë këtë, sepse shërbenin 24 orë dhe me tri turne. Në shumicën e festave, që ishin dhe familjare, ne u dërgonim ushqimin me ndonjë ushtar që vinte dhe e merrte në shtëpi. Ndoshta jam brezi i fundit që e mbaj mend nga kopshti kur vdiq Enver Hoxha. Nuk kuptoja shumë ngjarje, përveç asaj histerisë kolektive që ndodhte nëpër institucione me qarjet. Por ajo që mbaj mend, është mërzia ime personale, një fëmijë 5-6 vjeçar, më 11 prill 1985, prindërit për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të qëndronin në repart. Mbaj mend se disa ditë i kam kaluar në kopsht. Ishte një stil kur prindërit me një llastik, na varnin në kanotiere çelësin e shtëpisë. Ai është gjesti i parë i rritjes, kur ti ke çelësat e shtëpisë tënde.

 

Fotografi te vegjelise se Veliajt, ne studio

 

Ju keni emigruar në moshë fare të re për në Greqi, në ç’vit? 
Unë jam larguar drejt Greqisë pas vdekjes së babait. Kemi ecur tri ditë në këmbë me dajën tim.

Në ç’moshë ishit? 
Isha 11 vjeç e gjysmë. Daja im më i vogël, pas vdekjes së babait, tha që unë të shkoja me ta të punoja në Greqi, ndërsa nëna të kujdesej për vëllain e vogël. Në kushtet e asaj traume, ime më mendoi se ishte më mirë për mua që të ikja diku jashtë për të jetuar më mirë, por pa pasur parasysh peripecitë. Mbaj mend që kufiri i Kakavijës kalohej lehtë atëherë. Jam rikthyer në Kacika, zona periferike e Athinës, ku qëndrova në atë kohë. U riktheva si sekretari për emigracionin dhe takova ata njerëz që më pritën në atë kohë. 

Sa kohë qëndrove në Greqi? 
Kam qëndruar tre muaj e gjysmë. Kryesisht asistoja në punët e fermës, çoja ujin, ushqimin, sepse isha fëmijë. Ndjesia e marrjes së parave të para, pak dhrahmi, ishte shpërblim i një mundi.

Ju keni qenë në gjimnazin “Sami Frashëri”, përse nuk vazhduat studimet, por u larguat? Gjatë kohës së gjimnazit unë kam punuar. Nëna ime ka kaluar një periudhë shumë të vështirë. Unë kam respekt për varfërinë e njerëzve sepse e di ç’do të thotë të mos kesh për të shtyrë ditën. Pasi humbi punën në ushtri, u detyrua të bëjë lloj-lloj punësh, sanitare, pastruese, qepte këpucë dhe unë e admiroj shumë nënën time dhe të gjitha nënat shqiptare që sidomos në ato vite, kaluan një sakrificë të jashtëzakonshme ku i gjithë sistemi u përmbys dhe njerëzit duhet të përshtateshin me kushtet e reja. Unë i mësoja lehtë gjuhët e huaja, në atë kohë mësoja gjermanisht dhe anglisht, fillova punët e mia të para, disa herë si përkthyes, kamerier te Qendra “Stefan”, që frekuentohej nga të huaj, recepsionist dhe në fund të gjimnazit kisha mbledhur një shumë parash, që unë e konsideroja të mjaftueshme për të studiuar jashtë. 

Kur e keni njohur Edi Ramën? 
Edi Ramën e kam njohur në 2004, rreth 1 vit e gjysmë pasi kishte filluar Lëvizja “Mjaft”. 

Ku jeni takuar dhe pse? 
Ka qenë rastësor, gjatë një pritjeje në Ambasadën Amerikane. Ne kemi pasur një shpirt rebel dhe me ambasadorët diskutonim faktin që ju djem bëni mirë që protestoni, por në Shqipëri ka dhe histori suksesi, si Edi Rama në Bashkinë e Tiranës. Për shumë të rinj në vitet 2000 që ndjeheshin të papërfaqësuar, Edi Rama ka qenë oazi i jetës për ta, edhe pse gjendja e vendit nuk ishte e mirë.

Pas takimeve të para, a u intensifikuan raportet tuaja, a keni pasur axhendë të përbashkët? Nuk ka pasur asnjë axhendë, por pas zgjedhjeve të vitit 2005, transformimi që pasoi e majta shqiptare me Edi Ramën ishte një histori absolute suksesi. 

Përse nuk milituat në PS pas 2005-s, por tentuat që të bënit një parti më vete, si G99? 
Unë nuk isha gati të militoja në Partinë Socialiste. Thashë që jam rritur në një familje ushtarakësh, besoj tek e majta, besoj te solidariteti. Nuk kam besuar te një katapultim pa u provuar paraprakisht. “Mjaft”-i dhe G99 ishin teste për mua. G99 ishte për ata individë që vinin nga shoqëria civile, që ende nuk gjenin te PS një parti totalisht të hapur. 

Ju jeni konsideruar si “delfini i Ramës” në PS… 
Unë kam bërë atë që kam besuar, nëse do të ishte kështu, do të kisha pasur një korsi preferenciale dhe do kisha zgjedhur të mos provohesha në publik, por të përfshihesha lehtë në parti.

Ju u provuat me G99, dështuat dhe hytë në PS, u katapultuat si shumë të tjerë…
Varet si e përcakton dështimin. Historia shqiptare është historia e njerëzve që rrëzohen dhe ngrihen. Pa dyshim unë në 2009-n u rrëzova, por unë bëj pjesë tek ata shqiptarë që bëhen vetë, që kur rrëzohen, ngrihen, shkundin pluhurin dhe ia fusin vrapit prapë. Dua të sqaroj një gjë: ka shumë njerëz që thonë se ky ka besnikëri ndaj Edi Ramës dhe duket i vetmi vend që dikush kritikohet për besnikëri. Në çdo vend të botës, besnikëria, luajaliteti, puna në ekip, që Edi Rama i ka, në fakt janë vlera. Ky është i vetmi vend që ne kemi opinionistë apo politikanë të krahëve të ndryshëm që tallin dikë pse është rritur me ndihmë, pse ka punuar kamerier apo pse është besnik. Ka raste cinizmi që thonë pse nuk e shan ky Edi Ramën! Pse duhet sharë, ne jemi një ekip dhe unë duhet t’i kthej bajonetën në fushën e betejës?! 

Është e vërtetë që i keni dërguar një SMS kandidatit konkurrent? 
Më e vërtetë se aq, e mora në telefon që në momentin që u bë anonçimi. 

Nuk ju duket pak teatrale kjo gjë
Të marrësh në telefon një koleg dhe ta ftosh që të bëjmë një garë të ndershme dhe të pastër?! Absolutisht që jo! Duke qenë se ai ishte i zënë në ato moment, i dërgova një mesazh për t’i uruar suksese dhe për të uruar një garë me “fair-play”, m’u përgjigj me të njëjtën monedhë dhe këtë e vlerësoj jashtë mase. Ndaj besoj se edhe unë, edhe doktori i nderuar do t’i qëndrojmë këtij pakti që mos të biem në batakun e helmit, të baltës, të gjithë neverisë që ngjall sherri politik në Shqipëri. Do ta rikontaktoj zotin Kosova për një debat publik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura