Veliaj: Dasma me shpenzime modeste, i paguan prindërit

Sep 16, 2014 | 11:34
SHPËRNDAJE

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj
Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, u dha dje përgjigje për herë të parë akuzave të Partisë Demokratike për shpenzime luksi në ceremoninë martesore të organizuar në Gjirokastër.
I ftuar në emisionin “Njerëz në fokus” në “News24”, Veliaj ka pohuar se dasma nuk ka pasur shpenzime luksi, por gjithçka është paguar nga kursimet e nënës së tij dhe prindërit e nuses. Ai ka sqaruar se ceremonia martesore e organizuar në Pezë është paguar nga prindërit e Ajolës dhe se të dyja dasmat nuk kanë kushtuar më shumë se 9 milionë lekë. “Partia Demokratike shqetësohet për çdo gjë që s’ka lidhje me punën. Për pensione, për rroga, për punësim nuk shqetësohet. Për dasma dhe fustane shqetësohet. Mënyra se si funksionon është që, me të mbaruar dasma, mbahen faturat dhe ka një periudhë. Me të paguar faturat e dasmës, shkohet në ILDKP dhe, ajo që kemi bërë, është se për këto shpenzime modeste ishte mamaja ime, e cila kishte kursyer tërë jetën. Po ashtu dhe prindërit e Ajolës, të cilët organizuan dasmën në Pezë. A nuk bën kështu çdo familje shqiptare?! A nuk ndodh kështu?! Unë them se të gjitha produktet ishin vendase, pasi unë nuk kursehem që të bëj reklamë”, tha Veliaj. Ai shtoi më tej se për çdo shpenzim të bërë gjatë dasmës do të bëjë deklarimin sipas ligjit në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive. “Ishte dasma e vajzës ajo në Pezë. Do i deklaroj të gjitha në ILDKP dhe, sapo të jemi likuiduar me kompanitë, do i deklarojmë. Por mund të them se asnjë prej dasmave nuk shkoi më shumë se 9 milionë lekë. Asnjë”, tha ministri, i cili shoi më tej se: “Edhe unë kam punuar gjithë jetën time dhe nëna ime po ashtu. Ajo që më vjen keq, është se një grua që ka kaluar 23 vite të vështira, PD ia përdhosi ditën. Gruaja ime dhe bashkëshortja ime nuk e meritonin këtë. Se në fund fare bëhet pyetja kur Sali Berisha dhe Lulzim Basha shkojnë në shtëpi e ia hap derën gruaja dhe e pyesin se çfarë kishin bërë sot, ata thonë se u morën me fustanet e Ajolës dhe unazën e Erjonit. A ka burrni? A është shqiptari kjo? A i ka zënë njeri në gojë Maldivet apo Dubain? Aspak, pasi gjërat private janë private.”
Sfida
Ministri ka theksuar se familjet nuk janë ndier mirë nga akuzat politike të PD-së, pasi sipas tij demokratët nuk respektuan kodet e nderit. “Por vetëm ajo që nuk kam arritur të kuptoj, është se kemi disa kode nderi në Shqipëri ku për dasmat, lindjet dhe vdekjet ne nuk merremi. Ajo që më ka trishtuar është sa ka çeduar PD për këto kode. Kur them demokratët, nuk përfshij të gjithë demokratët, pasi më kanë thënë se Luli dhe Saliu nuk përfaqësojnë demokratët e vërtetë, pasi ne jemi njerëz me kode dhe i respektojmë ato. E vlerësoj shumë faktin se demokratet e vërtetë janë distancuar nga kjo sjellje shumë e ulët”, tha ai. Më tej, Veliaj ka theksuar se me kontribut vullnetar ka arritur të ndërtojë 10-ra zyra pune dhe që të mos shpenzojë paratë e taksapaguesve. Sipas tij, nëse PD do të vërtetojë që ka shpenzuar paratë e buxhetit për dasmën, atëherë ai tha se ishte i gatshëm të dorëhiqet. “Një zëdhënës shëtitës i PD thotë se si bëhet puna vullnetare, po ja që 10 zyra pune ashtu janë bërë. Shko në çdo zyrë pune dhe do shohësh logon se kush e ka bërë. Para një jave që u bë martesa ime, ishte bërë dhe një dasmë më parë dhe, pas një jave, një tjetër. Nëse unë kam shpenzuar një qindarkë të shtetit shqiptar, të taksapaguesit shqiptar, për dasmën apo dhe për Festivalin e Trashëgimisë Kulturore apo për konferencën e Pezës, unë jap dorëheqje nëse provohet se një qindarkë shkon për këto gjëra, atëherë unë do jem një nga zyrtarët që bëjnë gjëra pa lekë. I lutesha kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës që të hapej tuneli bërthamor, i cili u bë me vullnetarë. Ka qenë një gjetje. T’ia thuash këtë logjikë Partisë Demokratike, kjo nuk përbën sens, pasi ishte një parti që bën tenderime për çdo gjë. Por i sfidoj që, nëse një qindarkë e kam harxhuar, jap dorëheqjen”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura