Tribuna e dëshpëruar e Edi Ramës, në prestigjiozen “Le Monde”

Jun 1, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

GENC BURIMI genc-burimi-2

Pushteti aktual në Shqipëri nuk e kishte menduar kurrë këtë valë të gjerë indinjate, që përfshiu Europën e vlerave kulturore dhe demokratike kundra shkatërrimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Pasi e injoroi cinikisht këtë shokim të europianëve, Rama, i shokuar dhe ai vetë se si e trajtuan dy gazeta prestigjioze europiane, “Le Monde” që e cilësoi si barbar dhe “Der Standart” në Austri, që e krahasoi me një nazist, vendosi më në fund të kundërpërgjigjet.

NË PERËNDIM, PUSHTETI NUK E SULMON KURRË OPOZITËN JASHTË VENDIT

Kryeministri zgjodhi “Le Monde”, por tribuna e tij lë për të dëshiruar. Ajo tingëllon e dobët nga forma dhe përmbajtja. Në formë të krijohet përshtypja e disa tribunave të shefave të shteteve afrikane, që eksportojnë në mediat franceze debatet e brendshme politike për të larë hesapet me opozitat e vendeve të tyre. A është vendi i duhur “Le Monde”, t’u shkruash francezëve se sa mitomanë apo destruktive është opozita në Shqipëri? Kur një Kryeministri si Edi Rama i bëhet një proces brenda dhe jashtë vendit për autoritarizëm, kurthi kryesor që ai duhet të evitonte duhet të ishte pikërisht të mos fliste negativisht kundra opozitës së vendit tij. Biles, mundësisht të mos e përmendte fare. Ku është parë një drejtues shteti në Perëndim, të shkruajë në një gazetë të një vendi tjetër kundra opozitës në vendin e tij? Kurrë! Hollande s’do ta kishte bërë kundra Sarkozisë e anasjelltas dhe Zoti e di sa e urrenin njëri-tjetrin këta dy politikanë në Francë. Autogoli i parë i Edi Ramës me këtë tribunë në “Le Monde” është pikërisht ky: u çon ujë te mulliri i të gjithë atyre që kanë dëgjuar të thuhet për të, se drejtuesi aktual i Shqipërisë nuk i ka shumë “përzemër” kritikët dhe opozitarët. Ky lider shqiptar e paska vërtet një problem me demokracinë! Këtë do të mendojë pasi mbaron së lexuari shkrimin e Edi Ramës në “Le Monde”, ai francezi që ndoshta nuk e njeh shume mirë Shqipërinë, por me këto që po lexon duhet të thotë me vete sa mirë që jetojmë në Francë, ku udhëheqësit duhet të udhëheqin e jo të merren me opozitën.

NË PERËNDIM, EDHE KAMPET E PËRQENDRIMIT JANË MONUMENTE QË RUHEN DHE RESTAUROHEN

Përmbajtja e tribunës së Ramës bëhet dhe më problematike po të kihet parasysh se lexuesi i “Le Monde” është më “elitar”. Dhe këtu, Edi Rama kryen naivitetin tjetër të radhës duke e kujtuar veten si artist, i cili medoemos ka gjuhë të përbashkët me lexues të kulturuar e me shpirt artisti. Veçse një “artist” që shkruan të pavërteta, në mos gafa të tilla në planin “artistik”, më e shumta që mund të korrë nga lexuesi i “Le Monde” do të jenë nënqeshje ironike nëse ky lexues ka durimin apo mirësjelljen ndaj një Kryeministri që t’i shkojë deri në fund shkrimit pa shkëlqim të këtij të fundit. Kur një autor shkruan në “Le Monde”, për më tepër një i huaj, ai duhet të sigurohet se gjërat për të cilat shkruan i zotëron mirë, përndryshe bëhet “gazi i botës”. Edi Rama, nëpërmjet paragrafëve të gjatë e citimesh “erudite”, u mundua t’u mbushë mendjen lexuesve të “Le Mondit” si të vetmit që mund ta “kuptojnë”, se ndërtesa që ai hodhi përtokë gjithë krenari (pa shpjeguar pse zgjodhi ta bëjë natën) nuk vlente jo vetëm për teatër, por as për dekor teatri sepse sipas Ramës, kjo ndërtesë vuante nga dy handikapë seriozë. E para, sepse ajo qe ndërtuar me materiale të përkohshme për një përdorim fare të përkohshëm. E dyta, ajo ngrehinë ishte aq pa vlerë ngaqë qe konceptuar dhe ndërtuar nga fashistët për fashistët, saqë as në listën e monumenteve kulturore të mbrojtura nuk kishte qenë regjistruar ndonjëherë. Për të dyja këto argumente, lexuesi francez me siguri ka ngritur shpatullat me skepticizëm. Një pjesë e monumenteve, të cilësuara sot si thesar kulturor e arkitektural, në Paris ishin parashikuar fillimisht pikërisht për përdorim të përkohshëm. Duke filluar që nga Kulla Eiffel apo gjithë kompleksi arkitektural përballë Kullës Eiffel njohur me emrin “Trocadero” e deri te dy pallatet e mëdha të ekspozitave ndanë “Champs-Elysees”-ve. Këto ishin ndërtime që bëheshin në kuadrin e ekspozitave universale dhe që mbrapa duhet të çmontoheshin. Por ato jo vetëm që nuk u çmontuan kurrë, por materialet u rinovuan rregullisht dhe ato u fiksuan përfundimisht aty ku janë edhe sot, si pjesë e arkitekturës monumentale në Francë.

Pra, argumenti i parë i Edi Ramës në “Le Monde”, se meqenëse ndërtesa e Teatrit qe e përkohshme, ndaj duhej shembur, është themelësish pa baza dhe i pakuptueshëm për shpirtin artistik e “konservator” të francezëve. Argumenti i dytë i Kryeministrit se një arkitekturë fashiste nuk ka të bëjë me kulturën shqiptare, (ndaj dhe ajo ndërtesë nuk ishte futur në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore), është po aq i pakuptimtë për lexuesit francezë që kanë formim kulturor ndoshta më të avancuar se Edi Rama. Kur shkruan mediokritete të tilla, a nuk i erdhi një sekondë nëpër mend këtij të fundit se dhe kampet famëkeqe të përqendrimit si Auschëitz-Birkenau apo Natzëeile kanë hyrë në listën botërore të monumenteve, që ruhen dhe restaurohen si vende të memories kolektive? Nëse ndërtesa e Teatrit Kombëtar shërbente sipas tregimit me duf që bën Edi Rama në “Le Monde”, si vend shfrejeje dhe argëtimi për ushtarët fashistë italianë gjate periudhës së luftës në Shqipëri, kjo është një arsye më shume për lexuesin e “Le Monde”, që kjo ndërtesë të ruhej si dëshmi për brezat e ardhshëm. Për më tepër që në emër të këtyre argumenteve boshe politike dhe nacionaliste si ky që evokon Rama në “Le Monde”, ”brezave” në Shqipëri, politika vendëse u kishte shkatërruar tashmë shumë ndërtesa të vjetra me vlerë historike dhe arkitekturale siç e bëri ish-diktatori Enver Hoxha me një numër të madh ndërtesash të vjetra të kulteve fetare në Shqipëri. Tribuna në “Le Monde” e Edi Ramës për të justifikuar aktin e tij të pacilësueshëm i shërben në realitet kampit të kundërshtarëve të tij, që s’kanë nevojë ta “telendisin” më gjatë. Problemi për Edi Ramën është vetë Edi Rama. Para se ta kishte shkruar këtë tribunë, ai duhet të kishte medituar këtë proverb francez: Fjala është argjend, por heshtja është flori… Me siguri që militantët e mbrojtjes së Teatrit në Shqipëri do të gjejnë shumë të pavërteta, në mos gënjeshtra të tjera në këtë tribunë të Kryeministrit të tyre në “Le Monde”, në ata paragrafë ku Rama krenohet se shembja e Teatrit të vjetër dhe projekti i teatrit të ri ka marrë pëlqimin e shumicës së shqiptarëve apo se aktorët e protestave janë një numër i papërfillshëm në krahasim me masën e madhe të aktorëve që duan ndryshimin, apo kur Rama mburret me projektin e studios daneze Bjarke Ingels, pa dhënë detaje mbi formën e përzgjedhjes së kësaj studioje, as mbi çmimin e projektit në raport me mundësitë reale të një vendi të varfër si Shqipëria, popullata e së cilës do varfërohet edhe më shume pas krizës se pandemisë, siç e parashikon Banka Botërore.

Edi Rama zgjodhi një citat nga Francis Bacon për të mbyllur shkrimin e tij në “Le Monde”. Jo nga Bacon, piktori i tij i preferuar i artit kontemporan i shekullit 20, babai shpirtëror i shijeve të tij artistike, në emër të të cilave ai po i vë kazmën Tiranës së vjetër. Rama citoi një tjetër Francis Bacon, filozofin anglez të shekujve 16-17 dhe fjalinë e tij të famshme: “Shpif, shpif, se diçka do të mbetet”, si për t’u thënë kështu francezëve se kritikat që dëgjoni mbi të nga Shqipëria s’janë veçse shpifje të ulëta. “Le Monde”, që tashmë i ka kushtuar Edi Ramës një shkrim si autor i një akti “barbar”, me siguri që po të kishte kohë të merrej më gjatë me këtë polemikë nga Shqipëria, do t’i kundërpërgjigjej me atë shprehjen latine: “Errare humanum est, perseverare diabolicum”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura