Trasporti publik falas, kush vend e ka provuar dhe cilat kanë qënë rezultatet

Mar 27, 2023 | 16:16
SHPËRNDAJE

klodianmucoNGA PROF.AS. KLODIAN MUÇO

Imagjinoni të jetoni në një qytet dhe të dilni nga shtëpia për të shkuar në punë, restorant, kinema apo qëndër tregtare, duke përdorur trasportin publik pa paguar biletën. Imagjinoni të keni në dispozicion një rrjet autobuzash, shumë kapilar dhe efiçientë ku mund të arrish kudo dhe gjithmonë falas.

Pra, imagjinoni me pak fjalë që të keni gjithmonë e më pak nevojë për makinën tuaj, duke kursyer qindra mija lekë çdo vit për blerje karburanti apo për servis. Duket si çmenduri në aparencë, por kështu duken edhe të gjitha inovacionet derisa ato bëhen realitet dhe përdoren në jetën e përditshme.

Të trajtosh trasportin publik të një qyteti si një shërbim të njëjtë me atë të shëndetësisë apo arsimimit mund të ketë përfitueshmëri të menjëhershme dhe të prekshme, si:

-reduktimi i ndotjes;

-reduktimi i trafikut;

-më pak sëmundje të frymarrjes, kardiake apo kancerogjene;

– më pak incidente në rrugë;

– më shumë barazi sociale për qytetarët.

Nëse do të analizonim këto fenomene do të vinim re se këto janë edhe problematikat kryesore të Tiranës sot.

Referuar një studimi të Milieukontakt Albania, të publikuar në 10 janar 2023 për cilësinë e ajrit në Tiranë, rezulton se nëse standarti i BE-së është 350 ppm/m3, vlera mesatare e këtij treguesi në Tiranë është 418,74 ppm/m3, pra ka një tejkalim të normave të lejuara.

Për parametrin NO2, standarti i BE-së është 40 µg/m3, ndërsa në Tiranë vlera mesatare është 82,96 µg/m3.

Standarti i BE-së është 40 µg/m3 për grimcat e pluhurave PM10 µg/m3, ndërsa në Tiranë vlera mesatare është 124.68 µg/m3.

Standarti i BE-së për grimcat e pluhurave 2.5 µg/m3 është 25 ndërsa vlera mesatare në Tiranë është 65.25 µg/m3, pra kemi një tejkalim të standarteve të lejuara për çdo tregues, jo më kot sipas Numbeo, Tirana konsiderohet një ndër kryeqytetet më të ndotura të Europës, ku trasporti konsiderohet si një nga shkaktarët kryesorë të ndotjes.

Ndotja është një ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve. Po ashtu referuar një studimi të ICM britanike që ka analizuar sjellet e shoferave në 11 vende të Europës për një total prej 10 mijë personash rezulton se trafiku konsiderohet burim i konsiderueshëm stresi te njerëzit.

Nëse trasporti falas na ndihmon të ulim ndotjen, të reduktojmë sëmundjet respiratore, ato kardiake dhe reduktojmë stresin e njerëzve duke rritur kështu cilësine e jetës së qytetarëve atëherë çdo faturë është e justifikueshme, kjo ndoshta është edhe arsyeja pse Hasselt në Belgjikë që nga 1996 e në vijim, Tallinn në Estoni, Luksemburgu, Austria testoi trasportin kombëtar me një biletë 3 euro në ditë, pa harruar këtu XHenovën në Itali, Frankfurtin në Gjermani e Brukselin në Belgjikë që kanë trasportin publik falas për shtresa të caktuara të popullsisë. Kjo për të shtyrë qytetarët për të hequr dorë nga makinat private. Pra, propozimi i kandidatit për kryetar bashkie në Tiranë, z. Belind Këlliçi nuk duket pa sens, ai mund të konsiderohet me bindje një vizion se si mund të jetë Tirana e të nesërmes më e pastër, më e jetueshme dhe pa trafik. Ky premtim është mëse i realizueshëm.

Kosto e trasportit publik sot në Tiranë është rreth 18 mln euro nga të cilat aktualisht 1.5 milionë Bashkia Tiranë e suvencion, pra ngelen dhe 16.5 mln euro të tjera për tu financuar. Në një buxhet me gati 250 mln euro që ka bashkia Tiranë sot, 6.6% e buxhetit mund të shkojë pa problem për financimin e trasportit publik falas mjafton të këtë një rritje të luftës ndaj informalitetit e si konseguencë rrritje të të ardhurave të Bashkisë, reduktim të shpenzimeve administrative apo reduktim të shpenzimeve të luksit për një kauzë më të mirë siç është ajo e trasportit publik falas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura