“Të prisnit dhe do shikonit kush do fuste duart”, Arbër Çekaj në gjyq: Pse nuk më latë të merrja fisin për drogën?

Nov 21, 2019 | 13:52
SHPËRNDAJE

Cekaj

“Kërkoj të më gjykoni në bazë të provave dhe jo mendimit subjektiv të prokurorit”, e mbylli kështu fjalën e tij para Gjykatës, Arbër Çekaj, i dyshuari kryesor për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë.

Ai më tej hodhi akuza se është në burg për të mbuluar një grup të fuqishëm e të njohur kriminal dhe se ai e dy punonjësit e tij janë aty për të formuar grupin kriminal. Çekaj tha se Prokuroria duhet të kishte pritur për të parë se “kush do të fuste duart të droga” e të mos ndërpriste operacionin.

“Mendoni ju se Guarda di Finanza pas disa kontrollesh nuk konstatoi lëndën narkotike?? Sigurisht që e ka konstatuar dhe ka vendosur edhe kamera aty. Ata e lanë sasinë që autoritetet në Shqipëri të zbardhnin ngjarjen deri në fund. Pse nuk e latë drogën, pse nuk më latë që të fusja duart te droga? Pse nuk më latë që të merrja fisin për drogën? T’i thosha merrni se do bëhemi të pasur, milionerë. Do t’i jepja edhe xhaxhait tim një çantë. Kjo Prokurori ka bërë komplot kundër meje. Për të gënjyer italianët se puna u çua në fund. Për të gjetur një kriminel. Për të gënjyer ambasadorët e huaj se kjo Prokurori po punon e pavarur nga politika dhe krimi. Unë nuk jam kriminel, nuk kam qenë ndonjëherë. Kërkoj të më gjykoni në bazë të provave dhe fakteve dhe jo në bazë të mendimit subjektit të prokurorit”, tha Arbër Çekaj.

BANANET 

Në letrën e dhënë Gjykatës, Arbër Çekaj shtoi se kontejnerët nuk janë pronë e tij dhe ai nuk mund të mbante përgjegjësi për to, por vetëm për arkat e bananeve. “Kontejnerët nuk janë pronë e imja, në kushte normale e në vende normale nuk ka pse të më interesojë fare se çfarë gjendet apo çfarë bëhet me pronën e huaj, kontejnerët. Pra, porosita banane, erdhën banane, nuk kishte asnjë gram drogë në banane, se kilogram jo e jo, e unë prapë jam në burg”, tha ai.

“ARRATISJA” 

Me tej, Arbër Çekaj pretendon se është larguar nga Shqipëria për gjëra personale dhe nuk është arratisur asnjëherë. “Nuk u arratisa asnjëherë, as nuk iu shmanga hetimit, por vetëm po prisja momentin më të sigurt për jetën time për të ardhur e përballur me drejtësinë. Më datë 04 maj 2018 u arrestova nga Policia gjermane, me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Për 16 muaj me radhë, unë nëpërmjet avokatëve kundërshtova ekstradimin për në Shqipëri dhe do e fitoja gjyqin nëse nuk do të vinin garanci të rreme nga institucionet shqiptare për procesin tim gjyqësor, gjoja të pandikuar nga politika e mediat”, shkruan i pandehuri.

HETIMI GJERMAN 

Çekaj shton se në Gjermani është hetuar dhe autoritetet gjermane nuk kanë gjetur asnjë lidhje të tij më trafikimin e kokainës. “Në këto 16 muaj paraburgim në Gjermani, hetuesit gjermanë bënë hetime për llogari të Gjermanisë e Shqipërisë e nuk u rezultoi asnjë fakt, provë apo indicie, që më implikon në trafiqet e drogës. Pra, bie poshtë edhe hipoteza e hedhur nga Prokuroria shqiptare që unë kam pasur ndonjëherë probleme me ligjin në Europë. Kam dy muaj që jam ekstraduar nga Gjermania e po pres të marr drejtësinë që institucionet shqiptare më kanë garantuar mua e gjermanëve, edhe pse vendimet e Prokurorisë dhe gjykatave deri tani kanë dëshmuar komplet të kundërtën e drejtësisë”, shkruan Çekaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura