Taksa e shtëpive te dritat, zbardhen negociatat e bashkive me qeverinë. Kategoritë që përfitojnë

Aug 20, 2018 | 9:24
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Bashkitë janë kundër mbledhjes së taksës së shtëpive nga OSHEE, pasi u preket autonomia dhe ulen të ardhurat. Ato rekomandojnë që agjenti për mbledhjen e taksës të miratohet në Këshillin Bashkiak dhe jo nga qeveria. Më herët, qeveria hartoi një projektvendim që caktonte OSHEE-në si agjent tatimor për mbledhjen e taksës me faturat e dritave. Pas konsultimit që Shoqata e Bashkive i bëri projektvendimit të qeverisë në një letër dërguar ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, jep arsyet pse kundërshton OSHEE-në si agjent të mbledhjes së taksës së ndërtesës.

agron-haxhimali

Gazeta zbardh të plotë letrën që Shoqata e Bashkive i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe rekomandimit që bashkitë japin për mënyrën si të zgjidhet agjenti i mbledhjes së taksës. Aktualisht, taksa e ndërtesës paguhet në faturën e ujit, por nga 1 janari 2019, taksa e shtëpisë, e llogaritur sipas metodologjisë së re, do të paguhet në faturën e dritave. Vendimi i qeverisë parashikon që për mbulimin e kostove dhe shërbimin që OSHEE do të ketë në mbledhjen e taksës do të përfitojë 4 për qind të shumës së arkëtuar për çdo njësi të qeverisjes vendore.

Shoqata e Bashkive thotë se komisioni prej 4 për qind për OSHEE-në është i pabazuar në llogaritje reale për shërbimin që do të kryhet. Shoqata e Bashkive i kërkon qeverisë të caktojë në vendim edhe sesi do të veprohet nga OSHEE-ja për rastet kur qytetari paguan energjinë, por jo taksën e pronës që do të ketë në faturë.

LETRA

Në letrën dërguar Ministrisë së Financave, Shoqata e Bashkive argumenton se zgjedhja e një agjenti tatimor nga qeveria cenon autonominë dhe decentralizimin e pushtetit vendor. “Caktimi i një agjenti qendror për mbledhjen e një takse vendore nuk është në përputhje me synimet për një autonomi vendore dhe decentralizim. Eksperienca ka treguar se përcaktimi i agjentit tatimor, institucion në varësi të qeverisjes qendrore, ka rezultuar problematike për Bashkitë.

Një ndër eksperiencat më problematike është funksionimi i Drejtorive Rajonale Tatimore si agjent tatimor për bashkitë për mbledhjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël. Bashkive menjëherë iu reduktuan të ardhurat. Agjentët nuk funksionuan si të tillë. Sistemi u fut në një anarshi, kur bëhej fjalë qoftë për llogaritjen, mbledhjen dhe rakordimin e të ardhurave të mbledhura”, thuhet në letrën e bashkive.

Bashkitë i kërkojnë qeverisë edhe trasperencë për komision prej 4 për qind që do të mbajë OSHEE-ja nga arkëtimi i taksës, kur në këtë rast bëhet fjalë për një ent shtetëror. “Komisioni për shërbimin e kryer nga agjenti tatimor është i pabazuar në llogaritjen e detyrueshme për koston e këtij shërbimi”, thuhet në letër.

Letra e Shoqatës së Bashkive, dërguar ministrit Ahmetaj

REKOMANDIMET

Përsa i përket caktimit të OSHEE-së si agjent të mbledhjes së taksës së ndërtesës me projektvendimin e qeverisë, Shoqata e Bashkive sugjeron që OSHEE-ja mund të jetë një nga agjentët tatimor, i cili mund të përzgjidhet nga Këshillat Bashkiakë. Por përcaktimi si agjent tatimor, të mos ketë fuqi detyruese si agjenti i vetëm unik dhe imponues për bashkitë.

“Bashkitë kanë të drejtën dhe duhet ta vendosin vetë me vendim të Këshillit Bashkiak nëse OSHEE-ja do të shërbejë si agjent.Bashkia duhet të negociojë me agjentin, qoftë OSHEE apo cilindo tjetër agjent, lidhur me komisionin dhe afatin e shtrirjes kohore siç e përcakton legjislacioni. VKM nuk mund të vendosë përqindje fikse (4%), pasi sipas rastit dhe natyrës së bashkisë, komisioni mund të jetë i ndryshueshëm”, thuhet në letrën e Shoqatës së Bashkive.

KATEGORITË QË NUK DO PAGUAJNË

Janë 10 kategori, që nuk do të paguajnë taksën e pronës, që nga pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe 8 kategori të tjera. Për pensionistët, skema e mospagimit të taksës së pronës do të jetë e njëjtë me atë të energjisë. Pensionistët që jetojnë vetëm dhe përfitojnë kompensim të energjisë elektrike ,nuk do të paguajnë taksën e shtëpive. Nga përjashtimi i taksës së re në total do të jenë 84 mijë mijë pensionistë që jetojnë vetëm, të ndarë në 3 kategori që kompensohen me 648 lekë në muaj për shkak të rritjes së çmimit të energjisë dhe që nuk do të paguajnë taksën e re të pronës.

Tashmë listat e pensionistëve që nuk paguajnë taksë u janë dërguar Këshillave Bashkiakë nga ISSH-ja. “Përjashtohen nga taksa për ndërtesat e banimit kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët”, thuhet në nenin 22 të ligjit për taksat vendore, për kategorinë e pensionistëve që përjashtohen. Kategoria tjetër që do të përfitojë nga përjashtimi i taksës do të jenë dhe 84 mijë familje me ndihmë ekonomike.

KATEGORITË QË PËRJASHTOHEN

PENSIONISTËT

Pensionistët kryefamiljarë, që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët;

Pensionistët kryefamiljarë, që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet nga bashkëshortja dhe është pensioniste;

Pensionistët kryefamiljarëve, që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet nga bashkëshortja dhe është e papunë.

KATEGORITJA E TJERA QË PËRJASHTOHEN

Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve, që trajtohen me ndihmë ekonomike;

pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse;

pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave,;

nën administrimin e shoqërive publike shtetërore;

ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara;

banesat sociale në pronësi të bashkive; pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale;

ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre;

strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”;

ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura