Sulmi me salcë si etje për gjak e neostalinistëve

Nov 24, 2016 | 21:14
SHPËRNDAJE

Kujtim ÇashkuKUJTIM ÇASHKU

E dashur Lindita,

Sulmi me salcë mbi kokën tuaj më shtyu që të bëj një refleksion të shkurtër ndaj fenomenit, duke e parë atë më shumë si një raport mes dukjes dhe thelbit në një realitet të përbashkët ku ne jetojmë dhe si një xhest me një efekt të caktuar mediatiko-politik. Mbrëmë vura re gazetaren Eni Vasili të TV “News 24”, e cila insistonte të dinte se si kishte reaguar familja juaj, pas sulmit me salcë mbi kokën tuaj, domethënë, çfarë kishin thënë nëna, burri, vajza etj., anëtarë të familjes suaj pas kësaj ngjarjeje.

Papritur ndjeva se pyetjeve të Enit, në heshtje po u përgjigjesha dhe unë vetë, duke thënë se, nëse do të isha një djalë apo vajzë e juaja, do t’ju adhuroja akoma më shumë për urtësinë dhe qetësinë që tregon ndaj çdo lloj histerie. Po kështu, nëse do isha një motër apo vëlla i juaji, do ndihesha i lumtur që i përkasim të njëjtës familje nga ku buron një edukatë e lartë qytetarie e mirësie. Nëse do të isha burri juaj, do t’ju dashuroja edhe më shumë, sepse tek e fundit dashuria na dhuron paqe, dhe kur ajo na mungon, buron dhuna.

Nëse do isha një shoqe apo shok i juaji, do ndjehesha mire intelektualisht, sepse do kishim se përse të bisedonim për fenomenet dhe efektet traumatike e postraumatike në shoqëritë totalitare, për anonimatin, personin, personalitetin, privatin dhe privaten, publikun dhe publiken e plot nën shtresëzime të tjera që lidhen fëmijërinë, faljen, pendesën apo dhe gjurmën e memories traumatike. Nëse do isha një nxënës apo student i juaji, do thosha me zë të plotë se dhe unë jam ose kam qenë dikur një student apo studente e Lindita Nikollës.

Dhe së fundmi, si një zë që më erdhi nga akoma më thellë e më tha:- se nëse do isha ende gjallë nëna ime si mësuesja e parë e Lindita Nikollës ajo e abetares së parë të saj, do t’i thosha tim biri, Kujtim Çashkut, që t’iu thoshte se dhuna mbin në zemrën e frikacakëve, fanatikëve dhe mediokërve. Se fjalërimet mashtruese dhe histeritë kolektive e individuale janë viruse e patologji, që mund të pushtojnë e molepsin këdo, kudo dhe kurdoherë, madje dhe njerëz e popuj të quajtur dikur të qytetëruar.

* * *

Në fakt, të gjithë e dimë se ende sot nuk është gjendur një ilaç çudibërës, që ta shërojë këtë virus të së keqes, siç është dhuna në mbarë botën. Përpjekja e vetme dhe e vazhdueshme e njerëzimit për t’u mbrojtur prej saj ka qenë dhe mbetet lufta e çdo dite për më shumë arsim, dije e kulturë. Një konflikt i hapur tek ne ka qenë dhe mbetet çështja e identifikimit tonë kulturor si otomanë, si oksidentalë apo si aksidentalë?!

Personalisht, sulmin ndaj reformës në arsim, përjashtuar ata të cilët kontribuuan me vërejtje të qenësishme gjatë hartimit të ligjit, unë e kam parë më shumë si një krizë identitare të disa grupimeve, argumentet e të cilëve lidheshin më shumë me fenomenin e statusquosë despotike të shtetit etatist që vë në kontroll gjithçka. Madje terminologjia që përdorej zëvendësonte fjalën popull me të skamurit dhe të shtetit me publiken duke i shpallur luftë të hapur nëpërmjet një doktrine neostaliniste privates, pronës dhe së drejtës, konkurrencës dhe tregut të lirë, institucioneve të pavarura dhe integrimeve europiane.

Pra, tek unë sulmi ndaj reformës apo reformave shihej dhe vazhdon të shihet si një fenomen antiperëndimor në vendin tonë. Lufta ndaj vlerave, gjoja në emër të barazisë parazitiste, mbrojtja e të skamurve me ngastra feudale të çdo mbreti të katundit, i cili e konsideronte veten qendër e botës, mendoj se përbën një rrezik aktual për Shqipërinë. Duke e parë këtë fenomen antireformë si një refleksion të një sulmi antiperëndimor në arsim, drejtësi apo kudo tjetër salca si skup mediatik mbi kokën e Znj. Lindita Nikolla është dukja e një thelbi më të thellë antiperëndimor madje dhe më kompleks në kuptimin psiko-social.

* * *

Si pedagog i Akademisë së Filmit Marubi, kohë më parë një student i yni kishte realizuar një film me një skenë krimi, ku koka e viktimës ish mbuluar me gjak. Në mënyrë asociative ajo kokë e viktimës së mbuluar me gjak më solli imazhin e kokës së Znj. Lindita Nikolla të mbuluar me salcë. E pyeta studentin se pse e kish mbuluar tërë portretin e viktimës me kaq shumë gjak dhe se si ai e kish realizuar teknikisht atë? Studenti m’u përgjigj:

– “E mbulova me salcë, profesor.” – Pastaj, ai nisi të më shpjegonte psikologjinë e personazhit agresor duke më thënë se agresori i tij nuk ngopej nga urrejtja që kishte kundër viktimës. Ai donte ta shihte kokën e viktimës ose të prerë, ose të mbuluar me gjak. Madje këtë kokë të ndëshkuar në emër të hakmarrjes ai dëshironte që ta shihnin sa më shumë njerëz si në kohët e Mesjetës, që i vinin koka të prera në kamaret e turpit apo në komunizëm, që i varnin njerëzit në mes të shesheve apo i shëtisnin viktimat qytet më qytet për të tmerruar të tjerët si forma “mediatike” të atyre kohëve.

Natyrisht kjo logjikë e studentit për të dhënë profilin psikologjik të agresorit ndaj viktimës, ndodhte në sferën e fiksionit dhe imagjinares, ku viktima dhe vrasësi ishin dy aktorë në një film, të cilët me artin e tyre krijojnë një efekt katharktik për publikun, duke shmangur teatrin tragjik të jetës kur vrasësi dhe viktima nuk janë më aktorë, por njerëz realë që e luajnë teatrin tragjik me jetën e tyre të përditshme. Thënë këtë, kuptojmë se shoqëritë joreflektive dhe pa imagjinatë kanë mungesë të theksuar të spektrit koloristik të jetës.

Atyre u mungon hapësira e shijes, u mungon morali, kodi etik dhe estetik që shërbejnë si oksigjeni i vetë jetës. Individët në këto shoqëri kanë vetitë që të dashurohen e të ndahen shpejt, të servilosen e të bëhen prepotentë shpejt, të trimërohen e të frikësohen shpejt, të poshtërohen e të heroizohen shpejt. Ata më lehtë kanë gjuhën e plumbit sesa të mendjes dhe penës. Ata janë idhnakë të prapë e mjeranë, të pabesë dhe pse nga mëngjesi deri në darkë s’bëjnë gjë tjetër veç flasin për burrëri e besë. Të qetë ata janë veç në gjumë, kur bien e flenë të lodhur nga urrejtja. Gjumin kanë si qetësim të vdekjes së përditshme.

* * *

Por le ta shohim nga një pikëpamje tjetër sulmin antiperëndimor të një portreti thuajse ikonografik të zonjës Nikolla që sulmohet dhe mbulohet me salcë. Pra, të shohim kokën e femrës bionde me sy të kaltër e të thellë, lëkurën e saj të bardhë e të lëmuar, sulmi ndaj kësaj koke femre, të zbuluar e pa burkë mbi krye, salca mbi të na merr një tjetër kuptim. Por le të shkojmë dhe më tej, bëhet fjalë për një ministre që nuk u vesh kurrë me “pantallona pushteti” për t’u dukur burrë i fortë pushtetar, por ajo mbeti femër, me sharm e delikatesë femërore, duke përdorur zërin e butë dhe argumentin si forcë të së vërtetës dhe jo dhunën siç ndodh rëndom nga pushtetarë që pushtojnë shtetin.

Lehtësisht e shkëputshme nga podiumi i ministrave për t’u ulur në tavolinën e z. Berisha, pra në tavolinën e kundërshtarit të saj, për të folur me gjuhën e argumentit. Natyrisht agresiviteti dhe urrejtja ndaj një fenomeni të ri atipik të shfaqjes së pushtetit si e drejtë e delegueshme dhe jo zaptuese në shoqëri totalitare përbën dobësi dhe mund të ndëshkohet lehtë qoftë dhe nga vegjëlia.

Ndodh shpesh që njerëz anonimë për t’u bërë të famshëm a për t’u faktorizuar, ndërmarrin akte dhune ndaj figurave me reputacion shoqëror, lokal apo botëror. Natyrisht emra të tillë siç dalin nga anonimiteti, ashtu dhe shuhen brenda po të njëjtës ditë efemeriste. Por dëmi që ato shkaktojnë nuk shuhet lehtë, qoftë ndaj njerëzve të pafajshëm, por ndonjëherë qoftë dhe ndaj atyre vetë në raport me memorien traumatike që ato i shkaktojnë vetes në vite.

Modeli atipik i Znj. Nikolla si pushtet është një kundërvënie e modelit të të fortit, të dhunës e urrejtjes, të plumbave dhe kafshimeve të Shqipërisë nga kriminelë e gangsterë politikë antiperëndimorë që realizojnë qëllimet me mjete dhune siç ndodh me terroristë e radikalistë, me populistë e nacionalistë të kohës që po jetojmë. Sulmet e tyre për të luftuar kundërshtarin janë befasia dhe jo dueli i hapur, përjashtueshmëria dhe jo përfshirja, dinakëria dhe jo arsyeja, goditja tek e pafajshmja dhe e çmuara, përdorimi i injorancës dhe varfërisë, për të mbajtur gjallë urrejtjen dhe luftën e për të cenuar dashurinë dhe paqen kudo që ajo ekziston.

* * *

Së fundi, kisha një lutje dhe për ju, Znj. Nikolla, që të shpallnit të falur studenten e salcës, duke e lënë atë në rrugën e gjatë të reflektimit dhe arsyes, për të kuptuar thellë se jo dhuna, por protesta ndaj çdo padrejtësie është drejtësi dhe jo urrejtja, por dashuria është fryt i lirisë.

Leter vetem per Gazeten PANORAMA

Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura