“Spaç 1985, bisedat e të burgosurve për krijimin e Partisë Demokratike”. Vdekja e Enverit, si e rrahën Dom Simonin në Spaç

Oct 27, 2014 | 13:37
SHPËRNDAJE

Nuredin Skrapari duke folur për “Panorama”
Flet Nuredin Skrapari, inxhinieri i “Grupit sabotator të naftës”   

Si u përjetua vdekja e Enver Hoxhës në burg, euforia dhe skepticizmi i të dënuarve politikë për të ardhmen.

Vdekja e Enverit, si e rrahën Dom Simonin në Spaç
Dom Simoni, policëve: S’është kurrë vonë të hyjmë në rrugën e Zotit

“Feçor Shehu, zv.ministër i Brendshëm, njoftoi vendimin e Gjykatës së Lartë si vijon: Dënim me vdekje (me pushkatim) me padinë për fyerje të personaliteteve shtetërore, nxitjen e ushtarëve për kryengritje, plagosje për vdekje të personelit të sigurisë kombëtare, organizim të tubimeve të ndaluara e kundër pushtetit popullor. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, vendosi: ekzekutimin me pushkatim pa apel, të të pandehurve: Hajri Pashaj, Dervish Bejko, Skënder Daja dhe Zef Pali…”.

BURGU I SPAÇIT
Kjo është një pjesë e masakrës zyrtare të diktaturës që u bë mbi katër të dënuar, pas revoltës së Spaçit, që njihet edhe si revolta e parë antikomuniste e burgjeve të Hoxhës. Ajo nisi në orët e para të mëngjesit të 21 majit 1973 dhe përfundoi paraditen e 24 majit, kur u shtyp përdhunshëm nga forcat e sigurisë. Egërsia dhe terrori me të cilin regjimi “uli në gjunjë” të rebeluarit, vijoi me kryqëzatën ndaj organizatorëve të demonstrimit kundër pushtetit popullor, duke ridënuar rreth 100 të burgosur. Për të mbyllur procedurat për ridënimin e tyre, përfshirë edhe ekzekutimin e katër të dënuarve me vdekje, mjaftuan vetëm 13 orë. Ndërkaq, nisën ndëshkimet për çdo të burgosur në Spaç, shtimin e punës së detyruar, keqtrajtimet etj. Historia e terrorit që pasoi pas revoltës është e gjatë, ashtu si edhe vitet e burgut të të dënuarve atje, siç është rasti i Nuredin Skraparit. Ai është me profesion inxhinier nafte, bashkëpunëtor i punimeve shkencore, ish-i dënuar politik me 48 vite burg, nga të cilat kreu 16 vite e gjysmë, pasi përfitoi nga amnistia e vitit 1991, kur u përmbys regjimi komunist. Skrapari bën pjesë në të ashtuquajturin “grupi sabotator i naftës”, që është ndër tragjeditë më të mëdha gjatë sistemit komunist, sa i përket inteligjencës shqiptare. Inxhinierët e lartë Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli u pushkatuan. Të njëjtin fat patën edhe Avdyl Këllezi, anëtar i Byrosë Politike të PPSH, ish-ministër i Ekonomisë e zv.kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975, si dhe Koço
Dom Simon Jubani
Theodhosi, anëtar i Byrosë Politike të PPSH dhe ministër i Industrisë e Minierave. Dhjetëra inxhinierë të tjerë u kalbën burgjeve me dënime maksimale, disa u internuan, u dëbuan, u ulën në detyrë. Ndërkaq, pati edhe prej atyre që vranë veten, përpara se t’i vriste sistemi, siç ishte rasti i Piro Gushos, Tomi Kristos, etj. Nga këta, tashmë të mbijetuar janë vetëm 6 persona: Kadri Rama, Luan Këlliçi, Petrit Sadushi, Dhimitër Stefa, Jani Konomi dhe Nuredin Skrapari, i cili po dëshmon me anë të një dorëshkrimi gjithë tragjedinë e asaj kohe, një pjesë e së cilës është botuar në pesë numra për lexuesit e gazetës “Panorama”, përpara se të dalë në shtyp. Sot, rrëfimi i tij vijon me detaje nga burgu i Spaçit, pasojat mbi të burgosurit pas revoltës së vitit 1973, përjetimet për vdekjen e Enver Hoxhës, rrahjen e Dom Simon Jubanit pse përmendi kishën, si dhe një bisedë për krijimin e Partisë Demokratike që në atë kohë…

Pjesë nga dorëshkrimi i Nuredin Skraparit
NË SPAÇ
Dy godina të gjata trekatëshe prej tulle, ku flinin 1.200 veta, si sardelet në kuti, të vendosura në fundin e një krateri të stërmadh, me muret e pjerrët që ngriheshin përpjetë tokës së djegur, ku “dielli hynte me bezdi”, përbënin kampin-burg politik të punës në Spaç. Ai rrethohej nga tri radhë tela me gjemba, që përbënin rrethimin tërësor, ku përfshiheshin edhe galeritë e thella të bakrit e piritit, me sy ciklopik. Rojet e armatosura mbi karakollin 4-5 metra të lartë, pranë rrethimit, ruanin 24 orë pa ndërprerje arratisjet e mundshme të të burgosurve. Me gjithë këtë sistem të lartë vigjilence, në historikun e këtij burgu kishte pasur raste që individë kurajozë e kishin çarë këtë rrethim, por ishin asgjësuar nga rojet.  
Nga puna e rëndë në galeri ndieja stërlodhje, isha shndërruar në një sizif, por mendërisht ndihesha i lirë. Në galeritë e thella të minierës ngarkonim me lopatë vagonët me mineral dhe i shtynim më krah për t’i nxjerrë jashtë galerisë si skllevër. Policia që na rrinte mbi krye gjatë punës, fillimisht na rreshtonte para hyrjes së galerisë. Ne punonim me tre turne, ndërsa ata ulërinin të ndërkryer, duke na rikujtonin porosinë e komandës “o planin, o xhanin”.
NDËSHKIMET
Masat disiplinore ishin ekstreme. Cilido që nuk plotësonte normën që realizohej me shumë mundim, ndëshkohej duke u lidhur pas një shtylle.  Ndonjëherë na shtonin një peshë, rrotë vagoni, që të mos përsërisnim “gabimin”. Zakonisht ndëshkimet na i ruanin për në stinën e dimrit. Më i shpeshti ishte ndëshkimi me izolim në birucë me 10, 20 apo dhe 30 ditë. Atje, në birucë, na fusnin të veshur hollë, me një xhaketë doku dhe një këmishë, pantallona doku e benevrekë, duke na dhënë një sasi minimale ushqimi, sa për ta mbajtur frymën në atë dimër të ashpër. Na rrihnin, na prangosnin, duke na mbajtur të lidhur me orë dhe ditë të tëra. Nga çatia e birucës vareshin stalaktitët e akullit. Çdo orë, çdo ditë dhe javë na zhvatnin djersën, mundin dhe shkurtonin jetën tonë me punën e rëndë të detyruar, nën dhunën e shkopit të policit. Disa nga ne mbeten përjetësisht atje, thellë në galeri, të mbuluar nga dhera masive. Me atë punë mizore, ata synonin të na dëmtonin shëndetin, të dilnim të gjymtuar nga burgu nëse do të na ndihte fati, pasi atje hyje për të mos dalë kurrë gjallë. Prej vitesh kishin filluar ridënimet, ndonëse mjaft nga ne nuk kishin mbaruar dënimin e parë. Në këtë kategori jam përfshirë edhe unë që pata fatin e keq ta provoj. Ne vuajtëm në moshë të re, duke u rezistuar torturave çnjerëzore që ushtroi diktatura mbi ne.
Po iknin vitet më të bukura të lules së burrërisë, bartnim ëndrrën e lirisë që po vonohej shumë. Hymë me flokë të zeza dhe dolëm me flokë të bardha. Bënim jetën e absurdit, ashtu si një popull i tërë, jashtë rrethimit të burgut, që kalonte jetën i “lirë”.
REVOLTAT
Në datën 21 maj të vitit 1973, në Spaç shpërtheu Revolta e të burgosurve politikë, që ka vend nderi në historinë e burgjeve komuniste, finalizuar me ngritjen e Flamurit Kombëtar, pa simbolin komunist, yllin e kuq. Diktatori Enver Hoxha e përgjaku. Katër heronj u pushkatuan. Të dy revoltat, e Spaçit ndodhur 40 vjet më parë dhe e Qafë Barit 30 vjet më parë, i përcollën qeverisë komuniste atë mesazh lirie se fryma antikomuniste ishte e gjallë dhe e fortë. …I zhytur thellë në meditim të pandërprerë të ndjesive ngazëlluese që më kishte dhënë revolta e Spaçit dhe hidhësinë e ndëshkimit të vetë kampit-burg të Spaçit, historia e padëgjuar ndonjëherë që të dënohet i gjithë kampi, që për gjënë më të vogël na ndëshkonin rëndë, dëgjova zërin e hetues Ferhatit.
Hë ç’thua, më tha hetuesi. Unë tunda pak kokën majtas, djathtas dhe iu përgjigja: Jo, Jo, punë që nuk bëhet. Ai i zemëruar më tha: Ca kusure i ke në këtë çështje të sabotimit, ca të tjera i ke në atë punën e fëlliqur për të cilën po bën burgun. E kishte fjalën për thyerjen e portretit të Enver Hoxhës. Do të të japim dhe një dhjetëshe tjetër, e mbylli kërcënimin. U nis drejt derës dhe i tha policit: “Merre”. Ai pa fytyrën e vrerosur, dëgjoi tonin e ashpër të shefit dhe m’i shtrëngoi akoma me fort hekurat, dhimbjen e të cilave e ndjeja në kockë si thikë. E gjithë ligësia e shfaqur ndaj meje vinte nga fakti se në kujtesën e tyre unë isha njeriu i zi, bashkautor i thyerjes së portretit të diktatorit. Në çdo ridënim në burg, portretin ma përmendin të parin dhe në një mënyrë krejt kërcënuese e frikësuese, madje më kanë rrahur barbarisht. Me urdhër të zv.ministrit të Brendshëm Zylyftar Ramizi, një kriminel, që sapo hyri në dhomën e vogël ku ndodhesha unë i lidhur me pranga dhe rrethuar me policë, më pa, më foli: “A do dalësh ndonjëherë nga burgu ti?!”. Ishte 24 maji i vitit 1984 dhe kisha dëgjuar se Enver Hoxha ishte i sëmurë rëndë. Unë e pyeta duke i thënë: Si thua ti? I egërsuar urdhëroi policët: “Goditeni, ky ka thyer portretin e Enver Hoxhës”. Më rrahën aq sa rashë pa ndjenja, më dërguan në spitalin e burgut në reaminacion…
RIDËNIMI
Më rikthyen në Spaç. Pas ridënimit, erdhi babai të më shohë. I kishte qëlluar që të ecte në këmbë, pasi asnjë mjet nuk e kishte marrë. Ishte mjaft i lodhur, sepse mbi shpinë kishte ngarkuar ushqimet që më solli. U gëzova kur e pashë pas një viti e gjysmë hetuesi, ku, së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes, nuk m’u larguan asnjëherë. Unë i dhashë forcë vetes, ndërsa ai i mërzitur më përqafoi. E kishte marrë vesh ridënimin tim. Unë i thashë se nga dënimi i parë kam bërë shumë pak, vetëm dy vjet e gjysmë. Mbase nuk e bëj të parin, ndërsa për të dytin kismet. Në moment ndërhyri polici i cili na thotë: “Ndahuni, boll më”. Unë i thashë në vesh babait se unë jam i ri dhe i fortë, i zoti është plak…! Ai e kuptoi mesazhin tim, u gëzua dhe më tha: Burgu për burrat është. Kjo thënie më inkurajoi më shumë mua se atë, pasi ishte premtim se ata nuk do më ndaheshin asnjëherë dhe, në të vërtetë, kështu ndodhi. E vetmja lidhje me jetën ishte ajo me familjen nëpërmjet letrave dhe takimeve, nga skëterra ku na kishte degdisur komunizmi, në kampin famëkeq të Spaçit dhe të Qafë-Barit, në burgun e egër të Burrelit etj.
VDEKJA E ENVERIT
Në datën 11 prill 1985 vdiq diktatori i fundit stalinist në Europë, Enver Hoxha. I burgosuri politik në Burgun e Burrelit, Qani Sadiku, “banor” i qelisë nr. 6, ku flinin rreth 20 vetë, në mes të shpërthimit të gëzimit të përbashkët, tha: “Ngordhi monstra, shpëtuam”. I burgosuri tjetër, Spartak Veliu, i ndodhur te dera e dhomës thirri me zë të lartë “Urra”. Policët në përgjim hapën derën befas dhe e rrëmbyen si ujku delen, e mbyllën në një qeli të veçantë, ku qëndroi 20 ditë. Ndërkaq, Dom Simon Jubani tha: “Mos u gëzo o produkt i epokës, një tjetër si ai do të vijë në këmbën e tij, pasi do të duhen edhe 50 vjet të tjerë që të mbërrijmë në pikën zero për të filluar ndryshimi”. “Dom Simon, mos na vrit gëzimin”, – iu përgjigj Qaniu, duke i thënë më tej: “Unë kam rënë në burg për nder, dinjitet. Im atë më ka porositur që miqtë t’i zgjedh njerëz të mësuar, prandaj dhe unë them se sot jam njeri i ditur. Unë dua të dalim nga burgu të gjithë, së bashku. Jam i ri, 34 vjeç, e dua të krijoj familje si vëllezërit e mi. Edhe unë ashtu mendoj o Dom, se çfarë del nga macja, gjuan minj. Nuk ka komunistë të mirë. Faljet filluan, shpresojmë se do të dalim të gjithë”. Ndërsa Bardho Gjonzeneli tha: “Nuk shpresojmë ndonjë të ardhme të mirë. Bisht qeni kemi për të mbetur. Komunistët do ta mbajnë ende pushtetin, do të përplasen me njëri-tjetrin për të, pasi janë të shumtë në numër dhe të shkolluar. Ne jemi të lodhur dhe shkollimin na e mohuan. Do të nxisim fëmijët tanë të shkollohen dhe aftësohen në punët e shtetit. Do të vijë ora e ballafaqimit, por pak vonë. Ata janë të majtë, ne jemi të djathtë, prandaj duhet të votojmë djathtas-djathtas. Pozicionimi ynë i djathtë është një “urdhër” që vjen së brendshmi, prej asaj gjësë shpirtërore. E djathta është e aftë të ndërtojë shtet, të ngrejë ekonominë dhe të forcojë moralitetin e shoqërisë që është rrëzuar përtokë, pasi e majta është nëna e korrupsionit. Demokracia duhet të përçojë frymën e të persekutuarve, pasi e njohim mirë padrejtësinë që është ushtruar mbi ne. Për të realizuar këtë ide, ne duhet të ngremë Partinë Demokratike. Ne do të zbatojmë drejt ligjin”. Pastaj Bardho vijoi monologun: “Na vranë komunistët na vranë, pse s’na vranë po na lanë…”. Dom Simoni e kuptoi mjaft mirë këtë dilemë për ne që kishim rënë të rinj dhe kishim kaluar dekadën në burg, ndaj shpejtoi duke na thënë: “Nuk është asnjëherë vonë të hyjmë në rrugën e Zotit”.
Në qelinë tonë, kohë më parë hyri një ushtarak i Ministrisë së Brendshme, i shoqëruar nga komisari i Burgut Kosta Gramo. Polici i shoqërimit dha urdhër të çoheshim në këmbë. Komisari me gisht i tregonte të dërguarit të ministrisë, të burgosurit një për një, emër për emër. Në një çast, ai forcoi zërin duke i thënë kolegut: “Ky është prifti katolik nga Shkodra Simon Jubani”. Ushtaraku u krekos dhe iu drejtua me gisht: “Dëgjo, or ti, ato kishat tuaja i rrafshuam me tokën”. Dom Simoni u nervozua aq shumë, sa fjalët po i dilnin të rrokëzuara dhe iu përgjigj: “Dëgjo or ti, atje ku ka një prift, ka një kishë, këtu kisha jam unë, ndërsa këta bashkëvuajtësit janë grigja e Zotit”. Përnjëherë policët e rrëmbyen Dom Simonin, e futën në birucë dhe e rrahën barbarisht.
BISEDAT NË BURG
“Ne duhet të kthejmë edhe fytyrën nga Perëndimi, nga ligji, drejtësia, liria. Natyrisht, ndërkohë kemi nevojë edhe për një përtëritje shpirtërore”, thoshte Bardho, djali i Bego Gjonzenelit, profesorit të Shkollës Tregtare Vlorë para çlirimit, të cilin e pushkatuan nxënësit e tij. Qani Sadiku mbante në dorë një letër dhe shtirej sikur e lexonte: “Na lodhët shoku Mehmet, edhe unë brezi i tretë i trungut të burrave të Haxhiajve që jemi goditur nga regjimi juaj, kalova dekadën e parë në burg”. Fejzi Alizoti i Riu dhe Tomor Allajbeu, nipi i Abaz Ermenit, dëgjonin me vëmendje. Ky ishte një fragment nga letra që Hysen Haxhia, pinjoll i një familjeje të pasur dhe me emër nga Çorrushi, nip i deputetit të Mallakastrës në kohën e Zogut, ia dërgonte Kryeministrit shqiptar. Pastaj Qaniu nxori një letër tjetër, që “kthente përgjigje”: “Burra jemi ne, fitimtarë që me fishekun në gojë të armës, gishtin në këmbëz dhe tytën drejt jush, ju mposhtëm, ju vramë dhe ju burgosëm… Edhe ty me këtë armë të regjimit tënd të rrëzuam”, vijoi Qaniu dhe në shenjë proteste e grisi me inat “letër përgjigjen”, pastaj e hedh në koshin e plehrave.
Ndërkohë, u dëgjua hapja e derës. Kurt Kola flaku një fjalor enciklopedik shqiptar në korridor. “Na, merre”, i tha policit. “Botuat edhe ju një enciklopedi që e keni mbushur me Simon Stefanët, Lenka Cukot, Hekrin e me radhë”, vijoi Kurti.
Petrit Karazi nuk ishte përfshirë në atë gëzim. Këmbëkryq, i kërrusur në dyshekun prej kashte, thithte thellë një cigare dhe nxirrte shtëllunga. Iu afrova, por ai foli pa e pyetur: Më ka vdekur nëna. E ngushëlluam të gjithë. E çuditshme. Natën e kaluar, në ëndërr ishte takuar me nënën dhe ndërsa rrinin të përqafuar, ajo befas ishte mbështjellë nga një mjegull dhe ishte shkëputur prej tij. I tronditur, ai ishte zgjuar dhe me zë të lartë kishte bërtitur: Më ka vdekur nëna. Të nesërmen i erdhi telegram për ndarjen e nënës nga jeta. Pak vite më parë i kishte vdekur i ati. Ai u drejtua nga ekrani, ku dukej arkivoli i diktatorit dhe tha: Marrsh mallkimin e nënave tona, o vampir!”.
Qaniu u ul në stol dhe shikonte ekranin e televizorit. Diktatori i vdekur dukej i gjithi në arkivolin e hapur. Sikurse ndodh rëndom, që pas vdekjes gjymtyrët e njerëzve shtriqen (zgjaten), ai e pa këtë dukuri, qeshi dhe tha: “O bobo, më duket se u ngjall lugati dhe ngelëm në burg”. Komunisti Ballka, intelektual që kishte studiuar në Perëndim, i ulur pranë Qaniut, i tha: “Këta na bënë të na lëkunden idealet! Ky i hëngri një e nga një dhe hëngri veten”. Atij i ishte krijuar vakum shpirtëror. Kishte dyshuar për deformimet e komunizmit që herët. Ndihej i zhgënjyer nga komunizmi si ideologji, për një shoqëri të njerëzve të barabartë e të ndershëm, utopi që e propagandoi Partia e tij. Ai vetë e kishte pësuar duke u dënuar dy herë politikisht.
Nëpërmjet altoparlantit të dhomës nisën të jepen këngë për Enver Hoxhën: “Dilni se erdhi haberi, se erdhi Enveri… Deti qesh, mali qesh, Enver Hoxha midis nesh… Enver Hoxha tungjatjeta sa në kto male, sa kto shkrepa”. Në Spaç rifilloi procesi i riedukimit, tashmë me këngë. Na bënin që të lexonim e veprat e tij. Këngët u bënë torturuese për ne. Për t’u mbrojtur prej dëgjimit të detyruar, pasi këputja e fillit të altoparlantit ndëshkohej rëndë, zumë veshët me pambuk, bllokimi i të cilëve me orare të zgjatura dhe në mënyrë të përsëritur, na solli pasoja në dëgjim.

Fjalët e fundit të 4 të pushkatuarve për revoltën
Procesverbali për pushkatimin, në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor
Katër të dënuarit me pushkatim i shkruan për falje Haxhi Lleshit, që qëndronte asokohe në krye të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe dokumentacionin e shqyrtimit nga ky i fundit të kërkesave të tyre. Ndërsa përgjigjja e Presidiumit, e ardhur në kohë rekord brenda pak orësh, ka qenë e përbërë vetëm nga dy fjalë: Të pushkatohen! Procesverbali për pushkatimin është mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datë 24 maj 1973, ku kanë marrë pjesë: Haxhi Lleshi(kryetar), Rita Marko, Myslym Peza dhe Shefqet Peçi (nënkryetar), Bilbil Klosi (sekretar), Pilo Peristeri, Karaman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu (anëtar). Për referim ka qenë kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela. Po çfarë shkruanin 4 të burgosurit, teksa prisnin pushkatimin? Lutje dhe mëshirë për faljen e jetës… Por jo vetëm që nuk u falën, por ende dhe sot nuk u dihet as varri. Konfidencialisht flitet se janë groposur diku në rrugën Tiranë-Elbasan, aty ku është sot tuneli, por në dosjet e tyre nuk ka asnjë të dhënë për varret…
SKËNDER DAJA: Jam i ri, më falni jetën! Unë, Skënder Qemal Daja, i datëlindjes 1950, me arsim 8-vjeçar, lindur në Tiranë, me origjinë fshatar i varfër, i dënuar në Kampin e Spaçit me 10 vite për tentativë arratisjeje, sot i dënuar me vdekje, i akuzuar me nenin 72-76 dhe 73. Në fakt, kam pranuar se i revoltuar kam bërë propagandë atë ditë, ashtu siç bërtitën të gjithë në kamp dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj grupazhi e nuk jam bërë pengesë për sabotim ekonomik dhe të frymëzoj ndonjë person. Kur mbaroi revolta ne kishim frikë se do të na rrihnin, prandaj u grindëm me ta. Me kaq e mbyll këtë letër lutjeje, me shpresë që të më falni jetën si i ri që jam.
PALË ZEFI: Jam grindur, nuk kam sabotuar! Unë, Pal Gjergj Zefi, i datëlindjes 1940, me arsim trevjeçar mjekësor, me origjinë fshatar i varfër, lindur në sektorin Sukth-Shijak, sot në Kampin 309 Spaç, i dënuar në vitin 1971 me dhjetë vjet burg për veprimtari propagandistike kundër Partisë dhe tani i dënuar me vdekje, pasi akuzohem se kam kryer krimin e parashikuar nga neni 72 dhe 76 dhe 73. Në fakt, ne e pranojmë se kemi kryer një rrahje me nënoficerët e repartit 303 dhe kemi zhvilluar propagandë, por nuk kemi marrë pjesë në ndonjë organizatë kundër Partisë. Prandaj, ju lutem të keni mirësinë që të na falni jetën.
DERVISH BEJKO: Mëshirë, kam dy fëmijë! Unë, Dervish Bejko, emri i babës Enver, lindur në Pogradec dhe banues në Korçë. Jam dënuar në vitin 1971 nga dega e Elbasanit për përgatitje arratisjeje, ndërsa tani e kam hongër kot, ose si t’ju them, si njeri me ndjenja, por çdo gjë e kam bërë pa koshiencë dhe për këtë mbase duhet të keni mëshirë për mua dhe dy fëmijët që kam lënë. Jam ende i ri, me datëlindje 1946. Unë kam dhënë në çdo punë dhe në ushtri kam marrë flet-lavdërimi. Tani ju kërkoj mëshirë, juve të Kuvendit Popullor dhe ju them se do punoj për pushtetin popullor.
HAJRI PASHAJ: Jam 28 vjeç, më falni! Unë i dënuari Hajri Zenel Pashaj parashtroj lutjen sa vijon: U dënova me vdekje pushkatim nga Gjykata e Lartë për veprimtari armiqësore kundra pushtetit popullor, këtu në burg. Duke pasur parasysh se jam vetëm 28 vjeç, i lutem të nderuarit Presidium të Kuvendit Popullor që të ketë mëshirën dhe të më falë dënimin me vdekje. Do të jem i gatshëm për pushtetin popullor. Shpresoj se lutja ime do të merret në konsideratë.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura