Skënderbeu e nis me trofe, fiton Superkupën

Aug 18, 2014 | 13:56
SHPËRNDAJE

Ekipi i Skënderbeut, duke festuar fitoren e Superkupës
Skënderbeu bën të vetin për të dytin vit radhazi Superkupën e Shqipërisë, duke shpalosur, të paktën moralisht, ndaj skuadrave rivale të Superiores, sërish ambiciet për titull.
Ndaj Flamurtarit, fitues i Kupës në fuqi, mjaftoi një gol i Nimagës që bardhekuqtë të nisin me festë, ashtu sikundër e mbyllën Kategorinë Superiore. Edhe pse pa Lilajn dhe Orelesin, një dyshe mesfushe, absolutisht ndër më të mirat e viteve të fundit, skuadra korçare diti që të neutralizojë sulmet e vlonjatëve dhe të tregojë dhëmbët, duke shpërdoruar edhe disa raste të pastra shënimi. Nga ana tjetër, Flamurtari nuk tregoi asgjë, nga zhurma e madhe që e ka karakterizuar gjatë ditëve të fundit, me një merkato realisht për t’u marrë në konsideratë. Në lojë ishte Dagllas nga minuta e parë, teksa u futën edhe Gilberto e Vucaj, por përsëri më i miri rezultoi kapiteni Veliu. Pak, shumë pak për një skuadër që ka ambicie të mëdha për këtë edicion. Takimi nis menjëherë me një rast për korçarët, të cilët provojnë me Prognin, por më pas, për më shumë se 15 minuta, kemi një përgjumje totale të të dyja ekipeve. Më tej, zgjohen disi vlonjatët, të cilët mendojnë të ngacmojnë portën e Orges Shehit, por pa ndonjë rezultat të dukshëm. Abilaliaj, sulmuesi i vetëm i deklaruar i vlonjatëve, binte në “rrjetën” e prapavijës korçare dhe në mjaft raste ishte totalisht i pafuqishëm që të depërtonte në mbrojtjen e fortë të kampionëve. Sakaq nuk ndihmohet as nga Muzaka e Gilman Lika nga krahët, kjo edhe për faktin se që të dy këta të fundit markohen rreptësisht nga Arapi dhe Vangjeli. Në fraksionin e dytë të lojës, të dy trajnerët kuptojnë se duhet të ndryshojnë diçka në lojë, ndaj ia nisim me zëvendësime. Te Flamurtari hyn Gilberto, ndërsa te Skënderbeu Bernard Berisha. Është pikërisht ky i fundit që sjell drithërima në minutën e 47-të, kur lëshon një predhë nga një pozicion diagonal, por për pak centimetra i mohohet goli. Futja e kosovarit në lojë i ka dhënë tjetër ritëm Skënderbeut. Kjo lëvizje e Josës rezulton e goditur, sepse bëhet promotor i golit të parë në minutën e 51-të: goditje nga këndi e fituar nga Berisha, ekzekuton si përherë Shkëmbi, topi mbetet në zonën e vogël të Ilion Likës mes lojtarësh, por Nimaga tregohet nuhatës dhe e dërgon në rrjetë. Avantazhi u jep qetësi korçarëve dhe nervozon dukshëm vlonjatët, të cilët gjithsesi nuk dorëzohen. Përkundrazi, reagojnë shpejt dhe përmes brazilianit Gilberto, në fillim, pastaj të brazilianit tjetër, Dagllas, kanë mundësi të barazojnë në minutën e 60-të. Vlonjatët kanë raste, por janë të pasaktë para portës. Madje, edhe kur u jepet mundësia, pas një gafe të mbrojtjes korçare, Arbri nuk arrin të devijojë topin në rrjetë, edhe pse porta ishte thuajse bosh. Në fund, Skënderbeu ka edhe një tjetër rast me Dimon, por mjaftohet me një fitore minimale.

Skënderbeu-Flamurtari    1-0
Goli:
Nimaga 51′
Skënderbeu: Shehi, Radas, Osmani (Jashanica 67′), Vangjeli, Arapi, Shkëmbi, Nimaga, Abazi (Berisha 46′), Progni, Ribaj (Dimo 75′), F.Sefa. Trajner: Mirel Josa
Flamurtari: I.Lika, Veliu, Dagllas, Mici, P.Arbri, Telushi (Vucaj 69′), Kuqi (Gilberto 46′), Muzaka, G.Lika, Lena, Abilaliaj (A.Shehaj 82′). Trajner: Ernest Gjoka
Kartonë të verdhë: Vangjeli 30′, Dimo 86′, Shkëmbi 87’/ G.Lika 31′, Dagllas 48′, Lena 75′, Veliu 85′
Gjyqtarë: Lorenc Jemini (kryesor)/ R.Çokaj dhe R.Avdo (asistentë), B.Pashaj dhe E.Jorgji (pas portave)
Delegat: Besnik Çela; Vëzhgues: Plarent Kotherja

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura