Skandali seksual, tronditet fshati i dy protagonistëve

Aug 20, 2014 | 12:11
SHPËRNDAJE

Fshati Navaricë
Protagonistët e videoskandalit të shndërruar në kryefjalë në Shqipëri janë të dy nga fshati Navaricë.
Fshati 37 km larg qytetit të Sarandës, pjesë e komunës minoritare Dhivër, prej së shtunës së kaluar gëlon nga bisedat për këtë ngjarje. Banorët janë të tronditur nga ajo që kanë parë në televizor e lexuar nga gazetat, si lidhja e vetme me atë që ndodh në Sarandë. Fshati Navaricë shtrihet në faqe mali, ku jetojnë rreth 3700 banorë. Janë të paktë ata që kanë marrë rrugët e emigrimit për një jetë më të mirë, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre i sigurojnë të mirat e tyre materiale përmes punëve të ndryshme, si me blegtori e bujqësi. Por, këto ditë duket se askush nuk mendon për punët, por mblidhen grupe-grupe, nëpër shtëpi apo kafe, ku flasin për atë që ka ndodhur me bashkëfshatarët e tyre. “Si Agronin, edhe Elvirën i njohim si familje. E dimë që janë dhe kushërinj mes tyre, por nuk na shkonte mendja kurrë se do të dëgjonim një gjë të tillë”, shprehen thuajse njëzëri ata. Banorë të fshatit janë të gatshëm të flasin për gazetën për bashkëfshatarët e tyre, por thonë se janë mosbesues deri tani për atë që kanë dëgjuar apo parë në video. Thonë se janë të shokuar, ndërsa e etiketojnë të arrestuarin si “intelektualin potencial” të fshatit.
Elefteria Jaçi, banore e fshatit Navaricë
“U njoha me këtë skandal, që për mua është i turpshëm nëse është i vërtetë, përmes medias, ‘News 24’, – na tha Jorgo Kola, 72 vjeç, banor i Navaricës. – Familja Cane ka vite që ka ikur nga Navarica. E megjithatë, vijnë shpesh në fshat, se kanë njerëz të tyre këtu. Vijnë nëpër dasma, por edhe në morte në fshat”. I moshuari thotë se si Agroni, ashtu dhe familja e tij, në fshat njihen për mirësi. “Ne krenoheshim me këtë djalë kur ai ka qenë komandant brigade në Sarandë. Babai i tij ka qenë kuadro në kooperativë. Unë nuk e pranoj dot këtë sa thuhet. Mendoj se këtu gjithçka është e kurdisur. Nëse ka dashamirësi për të zbardhur të vërtetën, duhet ndjekur e hetuar mirë ky problem”. Nga ana tjetër, i moshuari tregon se e njeh dhe Elvira Gegën. “Edhe ajo është nga fshati ynë. Është rritur në një familje tepër të varfër. U martua dhe aksidentalisht iu vra burri dhe ngeli e ve e me katër fëmijë. Që atëherë ajo ka bërë një jetë jo normale. Por një gjë dua të them me plot gojën e me bindje: nuk mund të shkiste Agroni tek ajo grua.”
Ndërsa Elefteria Jaçi, nga ana tjetër, nuk beson te denoncimi i Elvirës. “Për mua nga ajo pret shumë gjëra. Ajo nuk ka qenë grua e mbledhur. Prej vitesh nuk vjen në fshatin tonë, sepse nuk ka njeri këtu. Kanë ikur shpejt. Ky ka qenë edhe shkaku i prishjes së familjes së vëllait. Disa vite ajo iku edhe në Itali dhe ka bërë atje jetë të dyshimtë, la fëmijët këtu dhe iku”. Banorja tregon se ka qenë dhe vetë iniciatore për ta ndihmuar Elvirën, por është zhgënjyer. “Për ta ndihmuar e shpura te motra në Dropull, që të punonte atje, por nuk la gjë pa bërë dhe motra u detyrua ta zbojë nga puna. Nuk bindem nga ajo që pashë në televizor. Duhet parë mirë se mos ka gjë të kurdisur këtu!”. Opinion negativ shpreh dhe Lulzime Pipiko. “Agroni ishte njeri dhe djalë i mirë. Elvira burrin e kishte të mirë, po vetë ajo nuk më ka pëlqyer. Kur kam parë videon, realisht jemi tronditur. Nuk e kemi menduar kurrë për këtë njeri me potencial intelektual të futej në këtë skandal. E nëse është e vërtetë, ky është një turp për fshatin tonë”.

Kryeplaku: Tek Agroni drejtoheshim për çdo hall, Elvira ka qenë e urtë

Kryeplaku i fshatit Navaricë, Kastriot Mehmeti
Për kryeplakun e fshatit Navaricë, Kastriot Mehmeti, është e pabesueshme gjithçka është folur e parë për Agron Canen. “I njoh mirë të dyja familjet. Nuk di se me çfarë merret Elvira. Ata janë fis me njëri-tjetrin. Agroni është djalë nga një familje shumë e mirë këtu në Navaricë, por prej shumë vitesh ata kanë ikur këndej. Nuk besoj të jenë të vërteta ato që janë tjerrë prej ditësh nëpër media. Para disa kohësh, gati 3 muaj më parë, e thirrëm në fshat Agronin dhe i folëm për shqetësimet që kishim. Ne jemi vërtet pjesë e komunës Dhivër, por  vëmendja e komunës për Navaricën ka qenë zero. Me ndihmën e Agronit dhe mbështetjen e deputetit Koço Kokëdhima arritëm që me një financim të Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare të shtrojmë me beton një rrugë me gjatësi rreth 500–600 metra, rrugë kjo që për 24 vjet nuk ishte vënë dorë mbi të. Gjithashtu ka përfunduar ujësjellësi i ri i fshatit, pasi Navarica njihet për ujë të vetin, i jep Sarandës e Çukës e nuk kishte për vete”, shprehet kryeplaku. Gjithashtu ai e njeh personalisht edhe 40-vjeçaren. “Elvirën e njoh mirë, se jemi rritur bashkë. Kur kam qenë brigadier, e kam pasur në brigadë. Ka qenë e urtë, se si e bëri këtë nuk e mendoj kurrë. Kjo për mua është e pabesueshme. Sytë na e kanë parë në video e veshët na e kanë dëgjuar, por një gjë nuk dua ta besoj, se është e vërtetë. Shumë bashkëfshatarë i kanë shkuar në zyrë Agronit, në Sarandë, për shqetësimet që kanë pasur, por kurrë më parë nuk kemi dëgjuar ndonjë gjë të keqe për të. Drejtësia ta çojë deri në fund këtë çështje, se dhe ne jemi të tronditur”, thotë kryeplaku.

Nga Navarica, Shpresa Dine

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura