“Si e vrau Liri Gega Mustafa Gjinishin me urdhër të Enver Hoxhës”

Sep 22, 2014 | 11:58
SHPËRNDAJE

ENVER HOXHA NE VITET E LUFTES
Historia e pritës në Sllatinë të Peshkopisë, në gusht të vitit 1944

Si u eliminua gjatë luftës personaliteti i shquar dhe i veçantë i së majtës progresiste shqiptare.

Letra e Gogo Nushit dërguar Komitetit Qendror të Partisë.

Shpërthimi i Myslim Pezës: E vranë pas shpine.

Mustafa Gjinishi është një personalitet i shquar dhe i veçantë i së majtës progresiste shqiptare. Ai u bë i tillë si rrjedhojë e traditës atdhetare e demokratike të trevës së Peqinit dhe të familjes Gjinishi, produkt i kohës, i cilësive dhe e vullnetit të tij të pazakonshëm. Babai i tij, Ademi, mori pjesë aktive në ngritjen e Flamurit Kombëtar më 26 nëntor 1912 në Peqin. Ai ishte delegat i Peqinit në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920. U vra nga njerëzit e Shefqet Vërlacit në vitin 1923. Në diturinë e Mustafait ndikoi veçanërisht

Mustafa Gjinishi
daja i tij, Mahmud Kaziu, nënprefekt i Peqinit dhe firmëtar i Pavarësisë më 1912, si dhe vëllai i madh, Rexhepi, që ndiqte mësimet në Liceun Francez të Korçës. Vetë Mustafai ndoqi mësimet në Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë në vitet 1924-1930. Drejtori Harri Fuls e vlerësonte shumë, jo vetëm për rezultatet e shkëlqyera, por edhe për karakterin, pjekurinë, diturinë (qysh në shkollë zotëronte disa gjuhë: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht etj.) dhe idetë perëndimore. Ai e quante Mustafain “studentin me koncepte si në Perëndim”. Studenti Gjinishi u bë mendja dhe shpirti i revistës “Laboremus”, ku botoi edhe përkthimin e tij në anglisht të “Lahutës së Malcis. “Ashtu si Anglia është krenare për Bajronin, Miltonin dhe Shekspirin, Gjermania për Gëten e Shilerin, Italia për Danten e Virgjilin, Spanja për Servantesin …,ashtu është edhe Shqipëria krenare për Gjergj Fishtën”( Rev. Laboremus, korrik 1929). Gjithashtu, si drejtues i klubit të letërsisë së shkollës, Mustafai inicioi edhe botimin e revistës letrare e shkencore “Shekulli XX”, ku shkruan edhe penat e Mid’hat Frashërit, Skënder Luarasit, Tajar Zavalanit etj. Pas mbarimit të shkollës teknike, çeli në Tiranë një librari me literaturë përparimtare, po ashtu edhe në Kavajë, si edhe botonte shkrime në gazetat e revistat opozitare “Bota e Re”, “ABC”, “Jeta dhe kultura”, “Rilindja”, “Flaka”, “Besa” etj. Ra në kontakt me idetë komuniste, në modë në atë kohë dhe me mbartësit e tyre: Hasan Reçin, Demir Godellin, Riza Cerovën, Petro Markon etj. Dënohet dy herë me burg për motive politike, mandej, kur ishte në burg, dënohet me vdekje për pjesëmarrje në kryengritjen e Fierit, 1935, dënim që iu kthye me burgim të përjetshëm. U lirua në vitin 1938. Mustafai mori pjesë në demonstratat e para të prillit 1939 dhe mandej u arratis në Jugosllavi me Myslim Pezën, Haxhi Lleshin, Mustafa Kaçaçin, Hamit Shijakun etj. Atje ata ra në kontakt me Drejtorinë e Veprimeve të Aleatëve, SOE dhe atasheun britanik Xhuliano Emer, që organizuan një grup prej 300 antifashistësh, dhe me në krye britanikun Oklli Hill, hynë në Shqipëri, prill 1941, për të nxitur kryengritjen antifashiste. Pikërisht në këtë kohë nis veprimi politik i Gjinishit për realizimin e kryengritjes së përgjithshme.

(Dossierin e plote e lexoni sot ne gazeten Panorama)

URAN BUTKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura