Shkëlzen Doli, koncert në skenën e Teatrit të Operës

Jun 9, 2015 | 13:58
SHPËRNDAJE

Shkëlzen Doli, njeriu që hyri me këmbë të mbarë në çdo shtëpi shqiptari e jo vetëm, më 1 janar të këtij viti, përmes Koncertit tradicional të Vjenës, do të japë një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Doli, violinist në Orkestrën e Vjenës, do të japë një koncert në datën 13 qershor, ora 20:00.

Shkelzen Doli

I shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TKOB, drejtuar nga dirigjenti Geoff Westley, violinisti do të interpretojë pjesë nga Rossini, Beethoven, Mozart etj. Koncerti i Dolit konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij sezoni të ngjeshur artistik në TKOB, krahas interpretimeve mbresëlënëse të Ermonela Jahos, Inva Mulës, Gëzim Myshketës, Eno Peçit, Oriana Kurteshit etj. Të gjitha të ardhurat, që do të sigurohen nga shitja e biletave do të dhurohen për fëmijët e SOS Fshatrave të Fëmijëve Shqipëri.

Kjo mbrëmje, mes një ekspozite me piktura të fëmijëve shënon edhe prezantimin e Fushatës Advokuese “Kujdesu për Mua”, iniciativë e SOS Fshatrave të Fëmijëve, Shqipëri. Fushata synon të nxisë zhvillimin e formave të ndryshme të kujdesit alternativ në interesin më të lartë të fëmijëve pa kujdes prindëror, nëpërmjet promovimit të kujdesit me bazë familjen, si pjesë e reformës së shërbimeve sociale në vend. Me origjinë nga Gjakova, por i lindur në Elbasa, Doli filloi të merrte mësimet e para për violinë në moshë shumë të vogël. Fitimi i disa çmimeve në konkurset rajonale bëri që në vitin 1986 të merrte një ftesë për t’u regjistruar në Gjimnazin e Muzikës të Novi Sadit, institucioni më i shquar i këtij lloji në ish-Jugosllavi.

Aty ai ishte nxënës i pedagogëve hungarezë Imre Jambor dhe Csaba Szima. Në moshën 17-vjeçare fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Muzikës për të rinjtë në ish- Jugosllavi dhe pas kësaj u regjistrua në klasën e Ewgenia Tschugaeva- s, në Akademinë Muzikore të Novi Sadit. Më 1995-n karriera e Shkëlzen Dolit si muzikant shënoi një sukses të ri shumë të rëndësishëm: ai filloi të luante në Orkestrën Filarmonike të Vjenës. Njëkohësisht vazhdonte studimet në Universitetin për Muzikë dhe Arte Figurative të Vjenës.

Pjesëmarrja në ansamble të ndryshme filarmonike të muzikës së dhomës, si “Toyota Master Players”, “Virtuozët Vjenezë” dhe Rene Staars “Ensemble Wiener Collage”, “The Philharmonics”, e ndihmoi Shkëlzen Dolin të zinte një vend të përhershëm dhe të suksesshëm në skenën muzikore vjeneze. Bën pjesë edhe në një grup të saporiformuar të muzikës së dhomës, në ansamblin “Philharmonisches Ensemble – Wien”. Shkëlzen Doli u bë i njohur për gjithë shqiptarët në fillim të këtij viti me përfshirjen e disa pjesëve të muzikës tradicionale shqiptare si introduksione në Koncertin e Vjenës në 1 janar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura