Shifrat e Bankës Botërore: Rekord në uljen e pagave, 46% e popullit në varfëri

Apr 9, 2016 | 7:34
SHPËRNDAJE

Varfëria e matur me të ardhura 5 dollarë dita për të jetuar arriti në 46 për qind të popullsisë. Tendenca rënëse e normës së varfërisë në vend u vlerësua nga Banka Botërore si më e ulëta krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.

Tahsin Sayed, drejtoresha e BB-së për Shqipërinë
Tahsin Sayed, drejtoresha e BB-së për Shqipërinë

Rritja e ekonomisë me 2.6 për qind e 2015-s nuk dha efekt në uljen e varfërisë, papunësisë dhe rritjes së konsumit për familjet shqiptare. Banka Botërore publikoi dje raportin për treguesit ekonomikë.

Sipas saj, ekonomia e vendit u rrit me 2.6 për qind nga 2.7 që ishte parashikuar në fillim, e mbështetur në veçanti nga investimet private. Edhe pse Banka Botërore vlerëson se rritja ekonomike u udhëhoq nga investimet private, norma rënëse e varfërisë raportohet më e ulëta e Ballkanit.

PAGAT

Ndërsa norma e varfërisë në kufirin e 5 dollarëve në ditë nuk ndryshoi për 2014-2015, nga Banka Botërore vlerësohet se pagat shënuan rënie nga viti 2010 deri në vitin 2014. Përveç kësaj, rritja e ekonomisë në këto nivele stimuloi rritje modeste të vendeve të punës, kryesisht në shërbimet jotregtare dhe në bujqësi, kurse te të rinjtë numri i papunësisë mbetet i lartë.

1“Papunësia te të rinjtë, të grupmoshës 15–29 vjeç, ra krahasuar me një vit më parë, por mbeti ende e lartë, në nivelin 32.2%”, thuhet në raport. Ekonomistja e Bankës Botërore, Hilda Shijaku, rekomandoi reformim të tregut të punës për rritjen e potencialit ekonomik.

“Tregu i punës ka nevojë për reforma, që të reduktohet kjo papunësi strukturalisht e lartë, qoftë edhe nëpërmjet formatimit të tij me elementë të aftë për t’iu përgjigjur teknologjive moderne që sot kërkohen”, u shpreh Shijaku në prezantimin e raportit.

RËNIA E KONSUMIT

Inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit për 2015-n ka qenë 1.9 për qind, por kjo është shoqëruar me ulje të konsumit vjetor të familjeve shqiptare. “Konsumi i popullsisë shënoi rënie, duke arritur në 2.3 për qind në 2015 nga 3 për qind në 2014”, vlerësohet në raportin e Bankës Botërore. Rënie ka pasur edhe në dërgesat e emigrantëve.

Sipas Bankës, kjo ka ardhur për shkak se në 3-mujorin e tretë të 2015-s kontrollet mbi lëvizjet e kapitalit në bankat greke kufizuan sasinë e transfertave të emigrantëve drejt familjeve në Shqipëri.

RRITJA E PBB-SË

Banka Botërore ndryshoi me rënie projeksionin e rritjes ekonomike për 2016-n. Në raportin paraardhës ajo shpresonte që 2016-a të mbyllej me rritje ekonomike 3.4 për qind, por në raportin e djeshëm rritjen reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto e parashikon 3.2 për qind.

Arsyeja e dhënë nga ekonomistja në Bankën Botërore, Hilda Shijaku, ishte konstatimi i uljes së veprimtarisë së eksportuesve shqiptarë, e ndikuar nga rënia e çmimeve. Por Banka Botërore vlerëson se ritmi i rritjes ekonomike në 3.2 për qind për 2016-n do të arrihet nga investimet për gazsjellësin Trans-Adriatik dhe nga hidrocentrali i Devollit.

BORXHI

Në 2015-n qeveria rishikoi buxhetin duke ndryshuar parashikimet që ajo kishte në mbledhjen e të ardhurave. Por Banka Botërore informon se të ardhurat u realizuan 4.2 për qind më pak se plani.

“Mosrealizimi më i lartë ishte në mbledhjen e TVSH-së dhe akcizave, duke reflektuar probleme në administrimin dhe në kryerjen e parashikimeve për të ardhurat”, thuhet në raport. Ndërkohë borxhi publik vazhdoi të rritej dhe arriti 72.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të 2015-s.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura