Serveri i Tatimeve, flet ish-kreu i IT: Auditi i mori me vete të dhënat

Oct 24, 2015 | 17:39
SHPËRNDAJE

Ish-drejtori i IT-së në Drejtorinë e Tatimeve ka folur në “News 24”, për skandalin e serverit në këtë institucion, ku u kopjuan dhe u ndryshuan të dhënat.

Renald Rista, ish-drejtor i IT në Drejtorinë e Tatimeve
Renald Rista, ish-drejtor i IT në Drejtorinë e Tatimeve

Renald Rista, i cili u akuzua nga Drejtoria e Tatimeve për shpërdorim detyre dhe prishje të të dhënave në serverin e Tatimeve, thotë se auditi që kopjoi të dhënat nuk vinte nga Ministria e Financave.

Ai gjithashtu tha se kallëzimi ndaj tij ishte i padrejtë, pasi sipas një udhëzimi të Administratës Tatimore të vitit 2014 nr. 25, thuhet se kjo administratë nuk mban përgjegjësi për serverin e Tatimeve.

Rista thotë se në urdhrin e Ministrisë së Financave për adutim nuk thuhet në asnjë rresht se ata kishin të drejtë të kopjonin të dhënat.

Ai tregon se personat që bënë auditin, e morën serverin e Tatimeve me vete, ndërsa të dhënat që lanë ishin të kopje të ndryshuara të të dhënave origjinale.

Sipas tij, auditi ka zgjatur tre ditë, nga datat 14, 15 dhe 16 nëntor të vitit 2014, ndërsa problemet e para me serverin u evidentuan më datën 18 nëntor. Rista tha se ai e kishte të ndaluar që të ndërhynte në serverin e Tatimeve, ndaj nuk mund të kishte përgjegjësi.

Prokuroria pubikoi sot konkluzionet për këtë çështje, ku rezulton se nga serveri i tatimeve nuk është fshirë asnjë e dhënë përgjatë vitit 2013 dhe akuza e ngritur nga Drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj ndaj ish­drejtorit të tatimeve Renald Rista dhe përfaqësuesit të kompanisë Ikubi info Elton Ropit nuk qëndron.

Ky është një prej konkluzioneve përfundimtare të dy prokurorëve të prokurorisë së Tiranës të cilët për 20 muaj hetuan për anomalinë e shfaqur në server gjatë nëntorit 2013.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura