Salihi shkon në Izrael, Çani huazohet te Bari

Feb 1, 2014 | 13:04
SHPËRNDAJE

Shkodrani do të nënshkruajë për 1.5 vite për Hapoel Acre

Shtatlarti ishte drejt Portugalisë, më pas zgjodhi italianët

Hamdi Salihi do të luajë në Izrael të paktën për një sezon e gjysmë, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.  Ai ka gjetur akordin dje me klubin e Hapoel Ironi Acre dhe zyrtarizimi është çështje orësh. Lajmin e bëjnë të ditur mediat izraelitë dhe konfirmohet më pas edhe nga burime pranë lojtarit. Bomberi i përfaqësueses do të mbërrijë sot në Izrael dhe pasi të kalojë testet mjekësore, do të firmosë zyrtarisht për një vit e gjysmë. Sa i përket shifrave të kontratës, nuk është bërë ende asgjë publike, por nëse i referohemi deklaratës së vetë lojtarit pak idiotë më parë, shifrat padiskutim që do të jenë shumë të larta, pasi Salihi tha shprehimisht se do të shkonte te skuadra që i ofronte më shumë.
Klubi
Hapoel Ironi Acre është një skuadër e dorës së dytë në Izrael. Klubi është themeluar në vitin 1962 dhe një pjesë të mirë të historisë së saj skuadra ka luajtur në Kategorinë e Dytë dhe të Tretë. Aktualisht ekipi renditet në vendin e 11-të në tabelë, me 19 pikë në 19 ndeshje dhe lufton për mbijetesë. Uniforma e parë e skuadrës është fanellë blu dhe çorape blu, ndërsa e dyta është fanellë dhe çorape të bardha. Skuadra luan në stadiumin “Akko stadium”, i cili ka një kapacitet prej 5 mijë vendesh të ulura. Trajner i skuadrës është izraeliti Juval Naim, 46-vjeçari i cili gjithë karrierën e tij ka luajtur dhe ka drejtuar vetëm ekipe izraelite.    
Çani
Edgar Çani është transferuar dje te skuadra e Barit. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë kaloi në formë huazimi nga Karpi te skuadra tjetër e Serisë B dhe shpreson që të ketë më shumë minuta aktivizimi. “Po, është e vërtetë që Çani kaloi te Bari në formë huazimi. Ai ishte duke nënshkruar për Olahensen në Portugali, por në orën 22:30 të mbrëmjes së djeshme morë një telefonatë nga Bari dhe duke qenë se aty kemi shumë miq, ndryshuam mendje. Çani do të jetë i huazuar vetëm për 4 muaj te Bari dhe në fund të majit do të rikthehet te klubi Katanias, që zotëron edhe kartonin e tij”, tha dje për “Panorama Sport”, agjenti i Çanit, Oberto Petrika. Pjesë e kësaj skuadre në të kaluarën ka qenë edhe Fatmir Hysenbelliu. Bari renditet në vendin e 17-të në Serinë B me 23 pikë në 22 ndeshje.  

Januzaj pritet  të zgjedhë Anglinë
Adnan Januzaj pritet që në të ardhmen të luajë për përfaqësuesen e Anglisë. Kështu ka raportuar të premten tabloidi anglez “The Sun”. Për yllin e Mançester Junajtid, në garë janë disa përfaqësuese, por sipas “The Sun”, Januzaj është i gatshëm të lidhë të ardhmen e tij në nivel të përfaqësueses me Anglinë. Gazeta angleze ka raportuar se Januzaj 18-vjeçar u ka thënë shokëve se është i interesuar të luajë për Anglinë, porse babai i tij, Abedini, do ta ketë fjalën përfundimtare për këtë. “Adnani ndihet si në shtëpi në Angli tashmë”, i ka thënë një shok i Januzajt gazetës “The Sun”.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura