Raporti për Enverin në ’84: Studentët e huaj mbajnë qëndrim armiqësor

Apr 20, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Të ardhur në Shqipëri në mesin e viteve ’60, falë “ndjeshmërisë” të regjimit të Tiranës për fëmijët e patriotëve kongolezë, siç i quante ky i fundit radikalët e majtë rrëzuar nga froni me grusht shteti, ata u bënë të njohur për policinë sekrete, por jo vetëm, në fillimin e viteve ’80. Kur autoritetet shqiptare ndiheshin krenarë për investimin e bërë për mirërritjen dhe arsimimin e tyre, sjellja e djemve dhe vajzave me ngjyrë, tashmë studentë të Fakultetit të Mjekësisë, më i privilegjuari ky për kohën në Shqipëri, shkonte në të kundërtën e pritshmërisë së tyre. Sinjalet e para të konfliktit me ta u shënuan gjatë aksionit politik kundër shfaqjeve të huaja që u zhvillua në frymën e vendimeve të Plenumit të IV të KQ.

Universiteti Politeknik Tirane

Grupi i studentëve kongolezë, asokohe adoleshentë, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë, e vlerësonte të pakuptimtë, madje absurde kërkesën e Partisë-shtet për të standardizuar mënyrën e jetesës, shijet dhe dëshirat e rinisë. Megjithatë, reagimi i të huajave që nuk e dallonin dot të keqen e “shfaqjeve të huaja”, u shfaq dukshëm me kalimin e viteve, kur po përfundonin studimet universitare.

Kontakti me familjet dhe miqtë jashtë shtetit, takimet me të huajt në Tiranë, ndjekja e stacioneve perëndimore për ta ishte një dritare më shumë për ta parë botën jo vetëm nëpërmjet frëngjisë së Tiranës. Kjo e bënte grupin e tyre sa të veçantë, aq edhe problematik për regjimin. Lirshmëria në sjellje e veshje, shijet për muzikë e letërsi të huaj, këto falë edhe gjuhëve që zotëronin, veç të tjerave kishte zgjuar tek ata ndjenjën e revoltës për mos t’iu bindur rreshtit për mënyrën e sjelljes dhe të menduarit. Pikërisht këtu nisi të shfaqej dukshëm konflikti i tyre me shtetin e diktaturës dhe aparatin e tij represiv.

Që këtej, grupi i tyre që stononte me pjesën tjetër jo vetëm nga ngjyra u shpall kontingjent special dhe bë objekt vëzhgimi i policisë sekrete. Dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit për “grupin e fëmijëve të patriotëve kongolezë”, përmban me dhjetëra raporte të rrjetit agjenturor, me të dhëna e fakte që “vërtetojnë” opozicionin e tyre me vijën e Partisë dhe veprimtarinë armiqësore ndaj vendit tonë.

Pjesa më e madhe e kësaj lënde misterioze, siç konfirmohet nga dokumentet, është siguruar nga përgjimet e të rinjve gjatë takimeve me diplomatë të huaj në hotel “Dajti” dhe nga studimi i fshehtë i korrespodencës së tyre me familjarë e miq jashtë shtetit. Në morinë e relacioneve zyrtare me karakter sekret të dosjes në fjalë, “Panorama” publikon sot një raport të autoriteteve të Ministrisë së Brendshme për Enver Hoxhën të datës 12 tetor 1984, ku përveç problematikës serioze që ka shkaktuar sjellja e studentëve kongolezë, kreu i regjimit informohet për mënyrën si po procedohet për ndëshkimin e tyre. 

AFRIM IMAJ  

RAPORTI PËR ENVERIN
Mbi grupin e fëmijëve të patriotëve kongolezë në Shqipëri. Në grupin e studentëve kongolezë që janë strehuar në Shqipëri gjatë periudhës së studimeve universitare, lindën disa probleme shqetësuese: Marrëdhënie e lidhje me diplomatë të ambasadave të huaja në Tiranë, qëndrime e veprime armiqësore ndaj vendit tonë, shthurje në jetën shoqërore deri në imoralitetet, mosfrekuentim i studimeve etj.

Një nga shkaqet për krijimin e kësaj situate, ka qenë puna e pamjaftueshme që bëhej me ta nga institucionet tona të ngarkuara me edukimin e tyre, sidomos për periudhën kur ata kaluan nga shkollat 8-vjeçare në të mesmet dhe në mënyrë të veçantë në shkollat e larta të vendit. Si pasojë e gjendjes së krijuar, në muajin tetor të vitit 1982, organet tona shtetërore, me gjithë paralajmërimet e bëra, u detyruan që të marrin disa masa administrative e ligjore: Pesë veta u përjashtuan nga universiteti për rezultate shumë të dobëta në mësime, mungesa të pajustifikuara në mësime, ngelje në klasë dhe sjellje të pahijshme moralo-shoqërore dhe qëndrime armiqësore ndaj vendit tonë: Maria Zhose, Liliana Katasa, Koleta Jumbu, Zhak Jumbu, Elisabeta Mukeketa dhe Vital Pakasa. Dy prej tyre, Vital Pakasa dhe Zhak Jumbu u arrestuan për veprimtari armiqësore. Ndërkohë në qytetin e Beratit u arrestua Zhan Matie, për çështje ordinere.

Dokumenti i Ministrisë së Brendshme për Enver Hoxhën mbi qendrimin dhe sjelljet e studentëve të huaj në Shqipëri në fillim të viteve ‘80

Në këto kushte doli nevojë urgjente për të siguruar pasaporta kongoleze, mbasi shumica e tyre, meqenëse në Shqipëri kishin ardhur si fëmijë, nuk dispononin asnjë dokument. Nëpërmjet Ministrisë së Jashtme dhe Ambasadës tonë në Bukuresht, u bënë tratativa me Ambasadën Kongoleze në Rumani, për të pajisur me pasaporta gjithë fëmijët kongolezë që ishin strehuar në Shqipëri. Mbas sigurimit të këtij dokumenti, u morën masa për të nisur nga Shqipëria për në Kongo-Brazavil, në radhë të parë tre kongolezët që ishin arrestuar dhe dënuar nga organet e drejtësisë. Në të njëjtën kohë u morën masat e nevojshme për largimin e studentëve të përjashtuar nga Universiteti dhe që ngulën këmbë për t’u larguar nga vendi ynë. Mbasi u morën të gjitha masat u larguan nga Shqipëria:

1-Vital Vital Pakasa, lindur në Kongo-Kinshasa, më 15 qershor 1957, ardhur në Shqipëri në dhjetor 1966. Pas përfundimit të arsimit 8-vjeçar e të mesëm, ndoqi Fakultetin e Mjekësisë. Ka qenë student me rezultate të dobëta. Ka mbajtur qëndrim armiqësor ndaj vendit tonë. Në tetor të vitit 1982, u arrestua dhe u dënua nga organet gjyqësore. Në dhjetor 1982 u largua për në Kongo- Brazavil.

2-Zhak Gabriel Jumbu, lindur në Kongo-Leopolovil, më 16 gusht 1959, ka ardhur në Shqipëri më 27 dhjetor 1965. Mbasi mbaroi mësimet në 8- vjeçare e të mesme, u fut në Fakultetin e Inxhinierisë. Ka qenë student i çrregullt dhe me qëndrim armiqësor ndaj vendit tonë. U përjashtua nga Universiteti dhe në tetor të vitit 1982, u arrestua për agjitacion e propagandë. U largua nga Shqipëria më 26 prill 1983 për në Paris.

3-Marie Zhumbula Zhose, lindur në Kongo-Leopolovil, më 16 gusht 1958, ka ardhur në Shqipëri në dhjetor 1965. Pasi mbaroi shkollën e mesme u dërgua në Fakultetin e Mjekësisë. Nuk ka qenë studente e rregullt, në vitin e katërt nuk dha asnjë provim. Qëndrimi i saj nuk ka qenë aspak korrekt, si nga ana morale ashtu dhe politike. Në tetor 1982 u përjashtua nga Universiteti. Më 9 mars 1983 u largua nga Shqipëria për në Kongo-Brazavil.

4-Liliana Antuan Katasa lindur më 24 dhjetor 1960. Në Shqipëri ka ardhur më 27 dhjetor 1965. Pasi ndoqi mësimet në 8-vjeçare dhe në shkollën e mesme u fut në Fakultetin e Mjekësisë për stomatologji. Për rezultate shumë të dobëta në mësime, për sjellje e qëndrime moralo-politike aspak korrekte, në tetor të vitit 1982 u përjashtua nga Universiteti. Më 9 mars të vitit 1983 u largua nga Shqipëria për në Kongo- Brazavil.

5-Elisabeta Mukeketa lindur në Kongo-Kinshasa, më 8 gusht 1959. Ardhur në Shqipëri më 3 dhjetor 1966. Mbas përfundimit të mësimeve në 8-vjeçare dhe të mesme u fut në Fakultetin e Mjekësisë. Përsëriti dy herë vitin e parë. Në vitin 1982 u përjashtua nga Universiteti. Më 11 maj 1983 u largua nga Shqipëria për në Kongo-Brazavil.

6-Zhan Matie, lindur në Kongo-Bravazil në vitin 1960, ka ardhur në Shqipëri në dhjetor 1965. Ka bërë shkollën 8- vjeçare e të mesme. U fut në punë në zdrukthëtarinë e Beratit. Për çështje ordinere është arrestuar dhe dënuar nga organet e drejtësisë. Në vitin 1982 përfitoi nga amnistia. Më 9 mars 1983 u largua për në Kongo-Brazavil.

7-Koleta Gabriel Jumku, lindur në Kongo-Brazavil, më 29 mars 1961. Në Shqipëri ka ardhur më 27 dhjetor 1965. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare e të mesme, u fut në Fakultetin e Mjekësisë. Nuk ka qenë studente e mirë. Ndërroi degën e u fut në stomatologji, ku përsëri ngeli një vit, sepse nuk u paraqit në provime. Qëndrimi dhe sjelljet e saj moralo-politike nuk kanë qenë aspak korrekte. Në gusht të vitit 1983 u largua nga Shqipëria për në Gjermaninë Perëndimore, ku banon dhe nëna e saj Katerina Jumbu.

8-Maria Gabriel Jumbu, lindi në Kongo-Brazavil, më 8 tetor 1958. Ka ardhur në Shqipëri në vitin 1967. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare dhe të mesme u fut në Fakultetin e Mjekësisë. Ka qenë studente e rregullt dhe e mirë në mësime. Po kështu, qëndrimi i saj shoqëror e politik ka qenë i mirë. U diplomua në vitin 1982. Me kërkesën e saj dhe të nënës së vet, Katerina Jumbu u largua nga Shqipëria në RFGJ, në gusht të vitit 1983.

9-Fani Grigor Kazadi, lindur në Ugandë, më 29 gusht 1961. Ka ardhur në Shqipëri në vitin 1967. Ndoqi mësimet në shkollën 8-vjeçare e të mesme dhe pas tyre u fut në Fakultetin e Mjekësisë për stomatologji. Nuk ka qenë studente e mirë. Qëndrimi dhe sjelljet e saj aspak korrekte. Me gjithë problemet dhe shqetësimet e krijuara, duke marrë parasysh se në Shqipëri ata jetuan një kohë të gjatë, u morën masa për përcjelljen e tyre në aeroport. Përveç biletës së udhëtimit deri në destinacionin përkatës, u dha si dietë udhëtimi në lekë valutë për një kohë relativisht të mjaftueshme (150 dollar) deri sa të lidheshin me pjesëtarët e tjerë të familjes, apo për të blerë ndonjë gjë të domosdoshme gjatë rrugës. Kanë mbetur katër veta që ndjekin studimet e larta në Universitet, dhe njëri që ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë që punon në spitalin nr.1 të Tiranës.

1-Urbain Zhuasan Massena, lindur në Kongo-Kinshasa, më 25 dhjetor 1956. Ka ardhur në Shqipëri më 1 dhjetor 1966. Mbasi përfundoi arsimin 8-vjeçar dhe të mesëm, ndoqi studimet në Fakultetin e Mjekësisë. Tani është mjek në spitalin nr.1 Tiranë. Nuk ka qëndrim të mirë moralo-politik. Ka patur të dhëna për veprimtari armiqësore. Ka kërkuar të qëndrojë në Shqipëri dhe të martohet me një vajzë shqiptare.

2-Zhozef Zhose Makanga lindur më 7 maj 1958. Në Shqipëri ka ardhur në vitin 1966. Pasi përfundoi arsimin 8- vjeçar dhe të mesëm u fut në Fakultetin e Mjekësisë. Në përgjithësi ka qenë student i mirë. Ndjek vitin e katërt.

3-Tumba Emanuel Irozhe, lindur në 17 maj 1961, ka ardhur në Shqipëri në vitin 1967. Pasi përfundoi arsimin 8- vjeçar dhe të mesëm u fut në Fakultetin e Mjekësisë.

4-Klodiana Gabriel Jumbu, lindur më 1962, në Kongo- Brazavil. Në Shqipëri ka ardhur në vitin 1967. Pasi përfundoi arsimin 8-vjeçar dhe të mesëm u fut në Fakultetin e Mjekësisë. Vazhdon vitin e tretë.

5-Rhozher Kainda, lindur në vitin 1962. Ka ardhur në Shqipëri në vitin 1966. Ka bërë shkollën 8-vjeçare dhe të mesme. Ka filluar studimet në Fakultetin e Mjekësisë. Pas ngjarjeve të tetorit të vitit të kaluar, gjendja në grupin e studentëve kongolezë është qetësuar dhe nuk ka ndonjë problem shqetësues.

Për mjekun kongolez që ka kërkuar të jetojë në Shqipëri, lidhur me kërkesën e bërë nga ai pranë organeve shtetërore për t’u martuar me një vajzë shqiptare, do të veprohet sipas rregullave shtetërore, por mendojmë se krijimi i kësaj lidhje bashkëshortore do të krijonte probleme në të ardhmen, sepse me largimin e kongolezëve të tjerë edhe ai mund të kërkojë të largohet në vendin e vet ose në ndonjë vend ku janë dy vëllezërit e tij: Në Francë apo Çekosllovaki. Përveç kësaj, organet përkatëse kanë të dhëna për aktivitet armiqësor.

Koci Zengo
Tiranë, 12 tetor 1984

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura