Putin ndihmoi Trump të fitonte? Obama reagon ashpër: Ja ç’do bëjmë

Dec 16, 2016 | 11:55
SHPËRNDAJE

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime kundër Rusisë apo cilësdo qeveri tjetër të huaj që përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e SHBA-së.

obama

“Nuk ka asnjë dyshim se kur një qeveri e huaj përpiqet të ndikojë në integritetin e zgjedhjeve tona ne duhet të ndërmarrim veprime, dhe do të ndërmarrim” tha presidenti për Radion Publike Kombëtare (NPR), në një intervistë që transmetohet të premten

CIA ka arritur në përfundimin se hakerët rusë kanë hyrë në kompjuterët e Partisë Demokratike duke nxjerrë emaile potencialisht të turpshme rreth fushatës presidenciale të zonjës Hillary Clinton, me qëllim për të ndihmuar republikanin Donald Trump të fitojë zgjedhjet e muajit të kaluar.

Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë thonë se një gjë e tillë nuk do të mund të kishte ndodhur pa përfshirjen e presidentit rus Vladimir Putin, ose pa njohurinë e tij të drejtpërdrejtë. Ndërsa Moska e ka quajtur pretendimin “absurditet qesharak.”

Obama tha se ka ende një gamë të gjerë të vlerësimeve që po zhvillohen në mes të agjencive të zbulimit të SHBA-së, dhe ai është duke pritur për një raport përfundimtar mbi atë se kush saktësisht ishte i përfshirë dhe pse është bërë një gjë e tillë.

“Por kjo në asnjë mënyrë nuk e largon vëmendjen nga pika bazë që gjatë zgjedhjeve të gjithë e kanë perceptuar saktë, se në fakt ajo që ndërhyrjet kompjuterike ruse kishin bërë është se kishin krijuar më shumë probleme për fushatën e Clintonit sesa për atë të Trumpit”, ka thënë Obama.

Trump, megjithatë, ka kërkuar përgjigje në një koment në Twitter: “Nëse Rusia, apo ndonjë subjekt tjetër, ka ndërhyrë, pse të pres Shtëpia e Bardhë kaq shumë kohë për të vepruar? Pse ata ankohen vetëm pasi Hillary ka humbur?”

Obama nuk pranoi të përgjigjet nëse mendon që ndërhyrja kompjuterike ruse i ka kushtuar me zgjedhje Hillary Clintonit. Ai tha se shumë faktorë mund të bëjnë dallimin në një votim presidencial, por se nuk kishte asnjë dyshim se edhe kjo ka pasur një ndikim.

VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura